ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubiko *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 190 *** 22:20    Cosmo *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Hienat

Ylli Hoxha
Publikuar: 04.08.2012 - 20:38

Komprometimi publik është vetëm pjesa transparente e problemit. Ajo është vetëm maja e Icebergut. Trajtimi i kundërshtarëve politikë nga këto struktura, të organizuara rreth apo nga kryeministri Thaçi, paraqet një ndërmarrje shumë më të sofistikuar përmes së cilës sigurohet pacenueshmëria e pushtetit

Polemika e Veton Surroit dhe Christopher Dellit nxori edhe një herë në shesh një sëmundje  të rënde të asaj që pretendon të jetë demokracia më e re në Evropë. Ndonëse atraktive në përmbajtje, vetë polemika nuk është temë e kësaj analize. Ajo më shërben vetëm si shkas për të trajtuar një manifestim anësor të saj.

Konteksti i konfliktit me Christopher Dell u pa si rast i mirë nga pushteti për të qëruar hesapet me Veton Surroin, një burim të pëlleshëm kritikash. Si hienat që presin të përfitojnë nga rasti, Ilir Mirena, Berat Buzhala, Baton Haxhiu, Shkëlzen Maliqi (e kushedi se kush do të bashkëngjitet në ditët që vijnë) lansuan një sulm të sinkronizuar ndaj tij. U shpalos një dosje e parapërgatitur, e sajuar me vite, që për qëllim kishte komprometimin e njërës prej pengesave më kokëforta të pushtetit.

Ky shkrim nuk ka për qëllim mbrojtjen e Veton Surroit nga akuzat. Në radhë të parë e ka për qëllim analizën e vetë grupit si fenomen kërcënues për demokracinë. Duke qenë se përmbajtja e akuzave të tyre është ende e freskët në memorien e lexuesve, dhe duke e konsideruar si më parimore, kornizën e kësaj analize do ta vendos jashtë raporteve të tyre me Veton Surroin. Atë do ta fokusoj në një kornizë më të gjere kohore duke e përqendruar vëmendjen në raportet e këtij grupi me figura të tjera të skenës politike. Do t’i përkujtoj disa momente të ngjashme të 3 vjetëve të shkuar, të cilat ilustrojnë natyrën e organizuar të kësaj ndërmarrjeje dhe dëshmojnë ndërthurjen e këtij grupi me një sistem më të madh dhe më të sofistikuar që pushteti aktual përdor për të shtrirë influencën dhe për të qëruar hesapet me  kundërshtarët politikë.



mst: Suxhuku i Albin Kurtit



Ne janar të këtij viti Bekim Haxhiu, njëri nga deputetët-spiunë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, akuzoi Albin Kurtin të jetë bashkëpunëtor i sigurimit serb. Nga selia e PDK-së i kërkoi shpjegime për takimet me disa serbë nga Klina, tregoi se si Albini me një “spiune të BIA-s” J.B. (shoqe e mirë e zv. ministre e Punëve të Jashtme) dhe disa kilogramë suxhukë, ishte zënë në flagrancë nga SHPK-ja në “komplotin e madh” ndaj Kosovës. Në fund kërkoi sqarime për një letërkëmbim të Albin Kurtit me vajzën e një ministri serb, të cilën spiuni Kamish e kishte kapur në vitin 2011, 3 vjet pasi shefi i SHIK-ut kishte deklaruar shpërbërjen e kësaj organizate. Të gjitha këto ndodhnin në kohën kur Albin Kurti dhe lëvizja “Vetëvendosje” kishin shkundur stabilitetin e Qeverisë Thaçi, duke mobilizuar mijëra qytetarë për të kundërshtuar politikat tregtare me Serbinë. Atë që e filloi Kamishi e vazhduan pa përtesë hienat.



mst: Vila e Ramush Haradinajt 



Në qershor të vitit 2009, sulm i ngjashëm ishte lansuar ndaj kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ai u sulmua pasi akuzonte SHIK-un për keqpërdorim të parasë publike në Ministrinë e Transportit. Goditjen e mori nga zëvendësministri-spiun, Adem Grabovci, i përcjellë nga hienat. Ne vend të përgjigjeve mbi akuzat për keqpërdorime të parasë publike në Ministrinë e Transportit, Grabovci shpalosi në detaje ato që pretendonte të jenë prona dhe biznese të kryetarit të AAK-së. Renditi shumë të tilla,  deri në detaje, që mund t’i hartonte vetëm ndonjë spiun me kompetencë, përfshirë shupat e Deçanit e deri te vilat në Monte Carlo dhe Dubai.



mst: Komunisti mizor Isa Mustafa



As Isa Mustafa nuk kaloi më mirë. Ai shndërrohet rregullisht në komunist mizor, zhvatës të trepërqindëshit, keqpërdorues të fondeve komunale, posedues patundshmërish shumëkatëshe në Perëndim, në kolumnet e hienave sa herë që angazhohet më seriozisht në rolin e tij prej lideri të opozitës.



mst: Çetniku Florin Krasniqi



Më 6 nëntor 2010, Partia Demokratike e Kosovës lëshon një deklaratë për media si përgjigje ndaj kërkesave të vazhdueshme të deputetit të Kuvendit të Kosovës, Florin Krasniqi, për shpërbërjen e SHIK-ut. Ndër të tjera PDK-ja akuzon z. Krasniqi se ishte martuar me një vajzë nga një familje me trashëgimi çetnike, që ia kishte grabitur gruan një miku, që i kishte paguar 500.000$ për të hartuar një raport komprometues për pushtetin në Kosovë, që kishte qenë pjesëmarrës në vrasjen e Burim Demirit në vitin 1998, që kishte korruptuar këtë dhe atë zyrtar për të përfituar nga privatizimi i ndërmarrjeve publike.

Sulme të ngjashme komprometuese janë drejtuar edhe ndaj shumë zërave të tjerë të medias apo shoqërisë civile që kanë kapërcyer “Rubikonin”, duke gjetur guximin që t’u vihen në rrugë malverzimeve të këtij grupi të organizuar. Halil Matoshi, Enver Robelli, Arbana Xharra, Hajrulla Çeku, Flaka Surroi dhe shumë të tjerë që i rezistuan aprovimit të mendësisë totalitare nuk u kursyen prej kësaj makinerie.

Dhe pyetjet legjitime pas këtij rekapitullimi ngjarjesh janë se a ka PDK-ja struktura kompetente për t’i vlerësuar gjitha këto akuza? Si e dinë p.sh. Vlora Çitaku ose Memli Krasniqi, si anëtarë të Kryesisë së PDK-së, nëse Florin Krasniqi është përgjegjës për akuzat që ia bëjnë? Dhe nëse e dinë cilat janë ato struktura partiake që arrijnë të depërtojnë në këtë nivel informatash për jetën personale të kundërshtarëve politikë?  Përgjigjja është e vetëkuptueshme. PDK-ja ka struktura të organizuara të sigurisë që për vite me radhë mbajnë privilegjin e përdorimit të inteligjencës së mbledhur. Të njëjtit në emër të sigurisë publike përdorin këto dosje të hartuara nga spiunë tradicionalë, që për art kanë humbjen e dallimit mes informatës dhe sajimit, sa herë që kjo u duhet në ballafaqimet me kundërshtarët politikë. Dhe deklarata e paprecedent ndaj Florin Krasniqit, ku e tërë kryesia e partisë bëhet bartëse akuzash të çmendura, dëshmon për nivelin e dominimit të këtij grupi të organizuar jashtëstatutar mbi strukturat udhëheqëse të këtij subjekti politik.

E për fat të keq, komprometimi publik, ku hienat luajnë rolin e papërtueshëm, është vetëm pjesa transparente e problemit. Ajo është vetëm maja e Icebergut. Trajtimi i kundërshtarëve  politikë nga këto struktura, të organizuara rreth apo nga  kryeministri Thaçi, paraqet një ndërmarrje shumë më të sofistikuar përmes së cilës sigurohet pacenueshmëria e pushtetit. Instrumentet e ndryshme “bindëse”, në rend të parë shantazhi përmes “të dhënave të errëta” të së kaluarës, përdoret sistematikisht ndaj një shtrese të tërë shoqërore që nuk e kanë as guximin, as integritetin, po as mbështetjen që gjejnë Veton Surroi, Albin Kurti, Isa Mustafa  apo Ramush Haradinaj në ballafaqim me këtë grup të organizuar. Duke qenë krejtësisht të pambrojtur shumica e tyre zgjedhin heshtjen dhe bindjen në vend të ballafaqimit. (Fare lehtë edhe ndonjë nga hienat mund të jetë viktimë e sistemit në të cilin kontribuon me devotshmëri).  Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut raporton se dhjetëra prokurorë, gjykatës, policë, biznesmenë, publicistë, politikanë apo zyrtarë të tjerë trajtohen sistematikisht nga ky grup i organizuar, duke shpërndarë një ndjenjë të përgjithshme frike dhe duke krijuar një kontekst thellësisht antidemokratik.. 

Dhe çështja që shtrohet është se si duhet të trajtohet ky problem? 

Është evidente se kjo organizatë jashtëkushtetuese dhe e kundërligjshme, respektivisht kriminale (shih nenin 134 të Kodit Penal), nuk zhbëhet lehtë. Dhe derisa është aktiv, në luftë për mbijetesë, nuk do të kursejë asnjë mjet dhe askënd. Askush mos të mbajë shpresë se ky grup do të vetëpërmbahet. E aq më pak se do të shpërbehet me vetiniciativë. Ato janë përralla për fëmijë. Nuk është në natyrën e një shërbimi sekret të vetëshpërbëhet e as në natyrën e një politikani të heqë dorë nga privilegjet që ofron kjo strukturë.

E vetmja mënyrë e trajtimit të kësaj lëngate të rëndë është imponimi. E imponimi duhet të fillojë nga politika.  E kjo nuk ka gjasë të ndodhë përderisa lista e lartshënuar e viktimave, që posedojnë një sens bazik demokratik,  mbesin të shpërndarë në grupe që më parë rivalizohen në mes vete se që bashkohen në mbrojtje të një interesi të përbashkët. Kjo nuk do të ndodhë përderisa një sulm i çmendur ndaj Florin Krasniqit përcillet me heshtje nga rivalët opozitarë, media e lirë apo shoqëria civile, sikur që vëzhgon kopeja  shqyerjen e një zebre të pafat të shndërruar në ushqim për hienat. Homogjenizimi nën objektivin për çrrënjosjen e këtij kërcënimi është obligim primar i kësaj gjenerate politike dhe çdo qytetari. Ballafaqimi me këtë grup kriminal më nuk është çështje e mbrojtjes së dinjitetit dhe kredibilitetit të njërit apo tjetrit lider politik, por është çështje e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut nga një shkelje sistematike. Është çështje e mbrojtjes së vendit nga degjenerimi në autokraci arabe apo latino-amerikane.

E ç‘është më e rëndësishme, mandatin për këtë gjë tanimë e kanë dhënë qytetarët e Kosovës.

 

Komente (2)

baci08.08.2012/01:08

Ylli ma zbukurove naten pas yftarit.Te lumt dhe Zoti i Madh te rruajt

fitim06.08.2012/15:12

gjeja ma reale dhe ma e sakt dhe gjithashtu ma e bukur gjer qetash qe kam lexu per kete pushtet kriminal, dhe per keta njerz qe mendojn veprijn ne mentalitetin sllavist edhe muj lirisht me thon qe kta njerz me siguri nuk kan gjak shqiptari po jan sllave te shqiptarizum se shqiptari nuk ka zemer me ja bo vendit te vet qeshtu

1000  Karaktere
Prishtinė 13°CKryesisht me vranėsira
Tiranė 13°C
Shkup 19°CMe riga tė lehta shiu
Prishtinė21°C
Tiranė22°CRrebesh shiu
Shkup26°CMe diell