ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubikon *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 206 *** 22:20    Dokumentar: E Përkryera te Plastika - epis 9 *** 22:55    Marketing *** 23:00    Interaktiv ...

Një detaj që rrëfen për “pushtetin e familjes”

Publikuar: 03.08.2012 - 21:01

Dy ditë më parë në redaksitë e gazetave kryesore në Tiranë mbërriti një e-mail nga Zyra e shtypit e kryeministrit, që postonte fotografinë e kryeministrit Berisha me kryeministrin britanik, Cameron. Fotoja ishte jozyrtare dhe ishte porositur me pagesë nga Zyra e kryeministrit. Për shkak të një lajthitjeje të Zyrës së shtypit të kryeministrit, bashkë me foton në duart tona ra dhe gjithë korrespodenca që kishte negociuar foton, e cila niste me një Berishë që është i ngarkuar me punë në Britani, vazhdonte me shtetasen angleze të paguar për foton, vazhdonte me një nëpunëse të ambasadës dhe hallka e parafundit, para se fotoja të mbërrinte në zyrë të shtypit, ishte e-mail-i i dhëndrit të kryeministrit Berisha. E thënë më qartë, fotoja, para se të shkonte tek zyra e shtypit, e cila në fakt duhej të kishte bërë foton nëse takimi do të ishte zyrtar, shkoi tek familja e vajzës së kryeministrit. Ky detaj nuk tregon thjesht një rutinë komunikimi mes një kushëriri të Berishës, që bën rolin e ambasadorit, dhe familjes që ka paguar foton, por tregon kontrollin që familja e Berishës, dhe në rastin konkret e bija e tij, ka vendosur edhe mbi marrëdhëniet publike të babait kryeministër.

Pra, fakti që e bija e Sali Berishës kontrollon dhe i raportohet edhe për një foto të rëndomtë, të paguar ndoshta prej saj për takimin informal të babait të saj me kryeministrin britanik, tregon peshën reale që ka familja në gjithë veprimtarinë politike të kryeministrit dhe pushtetit në tërësi.

Ky detaj tregon se Berisha ka një strukturë pushteti paralele vendimmarrëse në raport me pushtetin formal dhe është pikërisht ky pushtet paralel që vendos dhe dikton dinamikën politike në vend. Për një foto të rëndomtë me homologun britanik, natyrshëm mund të investonte zyra e shtypit që e ka për detyrë, por fakti që takimi është blerë me lobistët britanikë të së bijës, ka detyruar shtetin t’i raportojë dhëndrit para se t’ia çojë zyrës së shtypit foton e blerë. Është e njëjta skenë që iu bë fat Aldo Bumçit vite më parë, kur ishte ministër Drejtësie. Meqë i biri i Sali Berishës ishte investuar në historinë e Gërdecit, ministria e Aldos i raportonte Shkëlzen Berishës me faks sikur të ishte eprori i tij, duke e siguruar se rekomandimi i Ministrisë së Drejtësisë për projektin e Gërdecit ishte pozitiv.

Kjo kulturë e të raportuarit të shtetit para pjesëtarëve të familjes është thelbi i pushtetit të Sali Berishës.

Një miku im biznesmen, nga ata që shpesh rrinë nën shoqërinë e njerëzve të Klanit apo sekserëve të shpallur të Berishës, më thoshte me shqetësim disa kohë më parë se “ka së paku disa vite që sa herë jam në tavolinë ‘me këta që flasin me Doktorin’, sa herë që kanë për të bërë ndonjë pazar apo diçka konkrete, nuk flasin me Doktorin, por të birin. Bile dhe kur ndonjëherë dikush shkon tek gruaja e tij për ndihmë, ajo u rekomandon të birin ose të bijën”.

Ky degradim i pushtetit në një shtet paralel me shtetin formal, e ka kthyer praktikisht Shqipërinë në një shtet tribal, ku vendimmarrja lidhet vetëm me pushtetin e familjes. Në këtë qeveri ke më shumë se gjysmën e ministrave që nuk janë konfidencialë me familjen dhe nuk arrijnë dot të fusin asnjë roje në punë, ndërsa të tjerë, që fati ua ka sjellë t’i bëjnë ndere familjes, janë të lirë të bëjnë kërdinë në tendere, licenca dhe koncesione sikur ta kishin Shqipërinë pronë të tyre.

Pushteti i familjes ka arritur deri në kapilarët e vendimmarrjes politike dhe shtetërore në vend, deri në pagesën dhe miratimin e një fotografie të blerë të kryeministrit me homologun britanik. Familja është sot institucioni i vetëm i rëndësishëm në vend, që njerëzit mund të zgjidhin hallet e tyre. Nëse dikush ka një gjobë të rëndë nga tatimet, duhet të paraqitet atje, të shkojë diku në Vjenë, të bëjë një pagesë informale dhe gjoba ikën. Nëse dikush ka njeri në burg, mund të shkojë atje, të bëjë një pagesë dhe burgu zbutet. Nëse dikush ka një pronë që nuk e merr dot, i dorëzon letrat atje, legjitimohet si pronar, dorëzon shumicën e pronës, plus atë që i shtohet pa e pasur, dhe bëhet pronar. Nëse dikush do të privatizojë një kompani shtetërore, gjen një kompani fantazmë, jep një çmim të favorshëm për familjen dhe gjithçka rregullohet që ai të bëhet pronar formal, duke mbajtur dhe aksionet e familjes. Shqipëria po shkon kështu me shpejtësi drejt përqendrimit të kapitalit dhe patundshmërisë në një grusht njerëzish rrotull familjes, të cilët po marrin ujin, tokën, ajrin dhe çdo biznes që buron nga pushteti në këtë vend. Mund ta quanim gjysmë fatkeqësie nëse do të ishin njerëz të aftë dhe t’i menaxhonin mirë gjithë këto pasuri dhe gjithë këto miliarda, por fatkeqësia jonë e madhe është se miliardat po shkojnë tek një grusht njerëzish të paaftë, delenxhinj, plot komplekse dhe defiçenca njerëzore, dhe mbi të gjitha të frikësuar nga e ardhmja e tyre. Kjo është tragjedia reale, nga e cila duhet shpëtuar Shqipëria.

Berishajt po bëhen miliarderë jo si biznesmenë të aftë, por si gjobaxhinj të aftë, që i duan ato pasuri për të blerë të ardhmen e tyre. Pushteti i tyre i frikshëm mbi çdo qelizë të shoqërisë, që nga vizitat zyrtare të kryeministrit deri tek problemet banale të shqiptarëve, e ka kthyer tribalizmin në sistem politik në Shqipëri. Një sistem, në të cilin i vetmi investim është blerja e pushtetit në emër të makthit të tyre për të nesërmen.



 

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 31°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė 31°CI kthjellėt
Shkup 34°CI kthjellėt
Prishtinė33°CMe diell
Tiranė35°CMe diell
Shkup36°CMe diell