T'i tejkalojmë dështimet të "investojmë shqip"!
Luan ShllakuDeri tash ndërkombëtarët i bënë të gjitha për energjetikën tonë. Jo rrallë dështuan. Është koha për të treguar kurajë, për të "investuar shqip" në projektet energjetike. Ekspertët ndërkombëtarë duhet vetëm të na ndihmojnë në këtë investim
Ka kohë që Qeveria është duke e projektuar zhvillimin energjetik të vendit. Dhe çfarëdo që ajo bën në këtë drejtim, sipas një rregulli, dështon. Projektet që u filluan deri tash tregohen vazhdimisht të parealizueshme: në fillim stërdimensionohen, synohen 2100 MW të paarritshme, pastaj futen mihja e thëngjillit dhe kapacitetet ekzistuese gjeneruese (termocentrali Kosova B) në një pako tenderuese me Kosovën e Re, me çka krijohet një monopol i rrezikshëm dhe si rrjedhojë humben investitorët potencialë. U humbën pas tenderit të parë ndërkombëtar në vitin 2009 dhe jemi fare afër t'i humbim edhe këta të fundit. Është duke u gabuar vazhdimisht, diku!
Ajo që duket se nuk është duke u marrë parasysh është fakti se jemi duke e stërdimensionuar investimin e ardhshëm, duke e bërë shumë të shtrenjtë. Është futur në te, çka e ka, e çka se ka fare vendin aty. Tenderi i parë mund të shkonte deri në 4 miliardë euro, kurse ky i fundit mund të dalë mbi 2 miliardë. Kush i ka sot këto para? Tenderi i parë dështoi për shkak se katër kompanitë e parakualifikuara u gjetën në krizë financiare të vitit 2008, dhe si dilnin ballë këtij investimi. Edhe sot, me këto 4 kompanitë tash të kualifikuara nuk mund të jetë më ndryshe. Kriza financiare është gjithandej. Ku është zgjidhja këtij problemi shumë të komplikuar?
E para, duhet që me kurajë të "demontohet" sa më shpejt pakoja tenderuese. Edhe ashtu ishte e bërë jo për t'i shërbyer energjetikës dhe konsumatorit kosovar, por, sipas një sindrome të vazhdueshme, ishte dizajnuar për t'u pëlqyer investitorëve të jashtëm. Ishte, po ashtu, e bërë jo nga kosovarët, por nga ekspertët e jashtëm. Është koha e fundit të lirohemi nga këto sindroma, dhe të mendojmë me kokën tonë për problemet tona. Pra, nëse duam investitor të jashtëm duhet ta bëjmë një pako sa më të thjeshtë dhe rrjedhimisht më të lirë investuese, që e ha pazari i sotëm. Thënë ndryshe, le të bëhet për xhepat e investitorëve realistë, që nuk janë aq të thellë.
Nuk e shoh asnjë arsye tekniko-teknologjike dhe sidomos jofinanciare për t'ua ofruar investitorëve në një pako edhe kapacitetet gjeneruese TC "Kosova e Re" (2x300MW), edhe mihjen sipërfaqësore të Sibofcit edhe TC "Kosova B". Ata, të gjendur para një kërkese investuese të lartë, edhe pse fitimet do të duhej të ishin shumë të mëdha, nuk ia dalin të ofertojnë çmim meritor, dhe është normale të ofrojnë shumë më pak se që meriton kjo pako. Këtu ne humbim. Bie pazari!
Pra, fillimisht duhet të bëhet e kundërta: të demontohet pakoja tenderuese, në disa pako më të vogla. Në mihjen e Sibofcit, TC "Kosova e Re" fillimisht me vetëm një bllok 300-400MW, dhe rikonstruktimi i TC "Kosova B" që mbetet një synim i veçantë. Pastaj duhet vlerësuar dhe dimensionuar secila pako veçmas, dhe të gjinden zgjidhje për to. Shumë më lehtë do të gjejmë investitorë për këto pozicione, duke llogaritur tash, për të parën herë edhe në investitorët privatë lokalë, si dhe qeverinë si investitor potencial.
Qeveria ka dëshmuar se nuk ka pengesa, ideologjike të paktën, për të investuar në asete shtetërore. E dëshmoi këtë me autostradën Morinë - Merdar. Pse mos ta bëjë tash edhe në sektorin energjetik, i cili që 12 vjet mbetet sektori më me nevojë në Kosovë. Në këtë mënyrë, të paktën do ta evitonim monopolin, duke sjellë ofertë më të favorshme për konsumatorin vendës. Kosova e Re do të garojë vazhdimisht me Kosovën B, dhe që të dyja do të krijojnë marrëdhënie tregu me furnizuesin e thëngjillit, që do të kishte një pronar të tretë.
Qeveria e Kosovës dhe investitorët kosovarë do të mund të futeshin në një biznes shumë fitimprurës, sepse energjia elektrike kur prodhohet nga lënda e parë e sigurt dhe e lirë mundëson fitime të mira. Tregu i 2 milionë qytetarëve konsumatorë është i siguruar, dhe kjo do të thotë shumë. Qeveria duhet me më shumë përcaktim dhe kurajë të mendojë për aktivizimin e potencialit kredimarrës të Kosovës. Pra, ajo duhet që nëpërmes Bankës Botërore, BE-së dhe FMN-së të kërkojë akses në bankat zhvillimore të këtyre institucioneve. Pjesëmarrja e nevojshme bashkëfinancuese me mjete vetjake duhet siguruar nga buxheti, sepse kur të shpërndahet ky investim në disa vjet, nuk do të duhej të ishte i papërballueshëm. Me këtë them se ne mund të ndërtojmë Kosovën e Re me forcat tona. S'besoj se do të duhej të frikësoheshim se nuk dimë ta bëjmë këtë punë. Atë pjesë që na mungon, e kjo është menaxhimi i këtij investimi, mund ta "blejmë" jashtë Kosovës. A nuk e ndërtuam para 30 vjetësh Kosovën B vetë? A nuk paguan Qeveria me vite tashmë këshilltarë të transaksionit nga jashtë? Është punë e njëjtë - paguajmë përsëri për atë që nuk e kemi, dhe i ndërtojmë kuadrot tona dalëngadalë. Ky është varianti më i mirë ekonomik për Kosovën. I tërë ky skenar implikon një kampanjë të fortë politike karshi BB, BE-së dhe FMN-së që duhet të na ndihmojnë në këtë drejtim - t'i bindin bankat e tyre zhvillimore që të na ndihmojnë me kredi. Kjo është punë e Qeverisë dhe Ministrisë së Zhvillimit.
Në anën tjetër Mihja e Sibofcit, në të cilën deri tash janë investuar shumë para të taksapaguesve kosovarë dhe të donatorëve të jashtëm, do të duhej të ishte rast më i lehtë. Ajo që i mungon është një menaxhim cilësor. Le të blihet edhe ai. Le të sillet një kompani botërore - e të interesuar ka pasur deri tash. Le ta paguajmë këtë kompani me paratë e profitit që ajo do ta sjellë me menaxhimin e saj më efektiv se deri më tani, te burimit - linjitit. Kështu, kjo mihje mund të zhvillohet vazhdimisht dhe mund të zgjerojë kapacitetet edhe në biznese të tjera, përtej shfrytëzimit vetëm nga TC-të.
Dhe në fund, Kosova B. Ajo duhet të rivitalizohet patjetër. Të ngrejë sigurinë e prodhimit dhe të neutralizohet ndikimi i saj negativ në mjedis. Kjo ndërmarrje nuk mund të kushtojë aq sa thuhet. Besoj se me më së shumti 200 milionë bëhet. Këto para investitorët mund t'i kthejnë shpejt, sepse ajo ka kapacitet të madh prodhues. Por edhe Qeveria duhet të shqyrtojë mundësinë që të sjellim në këtë proces banka të interesuara, pse jo lokale dhe nga BE, sepse është obligim yni të prodhojmë sipas standardeve të tyre.
Roli i Qeverisë me pjesëmarrje direkte në investime publike (nëpërmjet buxhetit te saj dhe kredive nga bankat zhvillimore ndërkombëtare) do të duhej të jetë transitor, në pronësinë e aseteve të reja publike që do të ndërtohen sipas këtij koncepti. Qeveria mund t'ia kalojë aksionet e këtyre ndërmarrjeve të reja sektorit privat, kur kushtet ekonomike në treg të jenë mjaft më të favorshme se sot. Ky model investimesh kapitale në shërbime kritike publike është zbatuar me sukses në mjaft vende të tjera me mbështetjen e Bankës Botërore dhe organizatave të tjera zhvillimore ndërkombëtare.
Sidoqoftë, është koha e fundit të fillojmë t'i bëjmë planet tona për zhvillim energjetik. Krahas termoenergjetikës, që do të vazhdojë të jetë shtylla kryesore e furnizimit stabil, duhet pa kurrfarë vonese t'i realizojmë projektet tona me energji alternative, të ripërtërishme. Jemi duke u vonuar shumë edhe në këtë sektor. Por, mbi të gjitha le të lirohemi nga varësia që jemi duke e treguar vazhdimisht ndaj ideve, projekteve dhe pse jo, edhe diktateve jo rrallë të dështuara të një pjese të institucioneve ndërkombëtare. Le ta mendojmë ne së pari variantin që na pëlqen më së shumti, e pastaj i blejmë shërbimet e ekspertëve ndërkombëtarë që do të na ndihmonin me ekspertizën e tyre ta realizojmë planin tonë. Ama plani duhet të jetë yni, duhet të jetë i studiuar dhe i argumentuar, duhet të jetë edhe në përputhje me parimet e BE-së drejt së cilës kërkojmë të shkojmë shpejt! Institucionet tona së bashku ato qeveritare dhe joqeveritare, i kanë të gjitha kapacitetet e nevojshme të përgatisin plane të tilla; kërkohet vetëm të vendoset bashkëpunim real nën drejtimin e Qeverisë.
Jo se duam patjetër të "investojmë shqip", por na dështuan investimet që na sugjeruan të tjerët!








rrezarti04.08.2012/19:51
a po sheh o dost!