ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 15:15 Oxygen ® *** 17:00 KOHA E LAJMEVE *** 17:15 Oxygen ® - Vazhdimi *** 19:00 Lajmet e mbrëmjës *** 19:40 Serial Për femijë " Little Chearlies Bear " . Epis 13, 14, 15 *** 20:15 N'darkë *** 21:30 Sporti Total *** 22:55 Marketing *** 23:00 KOHA E LAJMEVE ...

Diçka për futbollin, Amerikën dhe ne

Publikuar: 06.07.2012 - 19:48

Kujt duhet t’i falënderohemi dhe si mund t’i falënderohemi për atë që kemi dhe atë që dëshirojmë?

PA DYSHIM JAM njëri nga përcjellësit më të këqij të kampionatit të sapombaruar të futbollit “Euro 2012”. Bile, nuk e di as se a mund të kualifikohem fare si përcjellës, pasi që ideja ime e përcjelljes së një ndeshjeje është me një libër ose kompjuter në dorë, dhe hedhjen e shikimit nga ekrani në rastet kur komentuesit sportivë ngrenë zërin me rastet e shënimit të golave, ose huqjes. Për më tepër, as që kam pasur ndonjë ekip favorit.

Por, pasi që thuaja gjithçka për tri javë rresht sillej rreth futbollit – për të mos u dukur fare si nga tjetër botë – vendosa që të bëja tifo së paku për lojërat medoemos ’të’ shikueshme nga çerekfinalet e tutje.

Dhe qëllojani se si i zgjedh ekipet favorite një antifutbollist si unë, me njohuri krejt modeste - për të mos thënë pa njohuri krejt - të lojtarëve?! Thjesht, duke u bazuar në faktorë absolutisht josportivë. Pra, te interesi. E kësaj radhe, si dhe në të shumtën e rasteve të tjera, duke qenë nga një shtet gjysmë i njohur e gati krejtësisht i izoluar, pa mundësi pjesëmarrjeje në gara ndërkombëtare, më e pakta që mund të bëhet është të shikohet se cilat do të ishin ato shtete që do të votonin pro pjesëmarrjes sonë në kampionate të këtilla. Sigurisht se shtetet që na kanë njohur. Nëse nuk mund të bëjmë diçka më tepër për to, nga një emocion pro tyre nuk do të ishte i tepërt.

Sidoqoftë, tash dihet edhe rezultati i atyre ndeshjeve të xhirove përfundimtare të kampionatit dhe fatkeqësisht asnjëra nuk ishte e mirë për favoritët e mi që mund të qëllohen lehtë. Madje, po t’i ndiqte dikush favoritët që kisha dhe të luante kundër tyre në bastore – do të mund të bënte goxha para.

Favoriti im i parë dhe kryesor ishte Anglia, e cila humbi nga Italia. Kur luajti Portugalia me Spanjën, natyrisht se isha për të vegjlit e Gadishullit Iberik, njësoj siç isha me Francën në ndeshjen me kundërshtarin e njëjtë. Pastaj, Gjermania me Italinë dhe Merkel më dukej më e angazhuar për neve sesa ç’ka qenë Berlusconi e tash Monti. E më vonë sërish, nuk kisha se si mos të isha për të njëjtën Itali, kur luante në finale me Spanjën.

E di që “tifozët e vërtetë” sportivë mund ta shajnë këtë qasje “aspak sportive” të tifozllëkut tim, mirëpo ky është rezultati i shikimit të futbollit nga një i painteresuar si unë.

E paramendojeni tash se tifoz i kujt jam në kampionatet botërore?! 



SHTETET E BASHKUARA të Amerikës fare nuk mund të krenohen për cilësinë e futbollit që luhet atje, por unë sërish jam për ta, për atë vistër të larmishëm gjërash jofutbollistike për të cilat ata mund të krenohen, e bashkë me ta shumë nga popujt e botës, veçanërisht ne shqiptarët.

Në këtë ditë të 4 korrikut, 236 vjet më parë baballarët themelues John Adams, Benjamin Franklin, Alexander Hamilton, John Jay, Thomas Jefferson, James Madison dhe George Washington do të ishin në mesin e 56 personaliteteve që do të nënshkruanin Deklaratën e Pavarësisë së shtetit që do të bëhej më i përparuari dhe më demokratiku në rruzull.

Bazuar mbi idealet e themeluesve për liri dhe barazi të qytetarëve, shteti që në kohën e shpalljes kishte rreth 2.5 milionë banorë (sot mbi 310 milionë), do të luante rol të madh sidomos në shekullin XX, gjatë Luftës së I dhe II Botërore, për të siguruar  Evropën të cilën sot e kemi.

Mirëpo, përtej kësaj, amerikanët kishin rol themelor edhe për sigurimin e ruajtjes së etnisë shqiptare dhe lirisë së tyre, që nga angazhimi i presidentit Woodrow Wilson në Konferencën e Versajës, e deri te George Bush i Vjetri, Bill Clinton, George W. Bush dhe tash administrata e presidentit Barack Obama.

Pa rolin e tyre të drejtpërdrejtë në të gjitha kthesat e mëdha që kanë ndodhur në këto 100 vitet e fundit, vërtet fati i shqiptarëve përgjithësisht do të ishte shumë më ndryshe se ç’është sot dhe shumë më keq.

Për këtë arsye, përtej çfarëdo kortezie, shqiptarët kanë të drejtë kur 4 Korrikun e përjetojnë edhe si festë të popullit të tyre.

Amerikanët kanë vazhduar të dëshmojnë konsistencën e tyre të qëndrimeve karshi të drejtave të shqiptarëve, gjë që s’mund të thuhet njësoj gjithmonë edhe për të gjithë miqtë tanë të sotëm. Presidentët dhe populli amerikan u treguan të vendosur edhe më 1919, edhe më 1991, e më 1999, e edhe më 2008 e po vazhdojnë edhe sot.

Jo rastësisht, nga Washingtoni vijnë edhe mesazhet më të vendosura të pakënaqësisë me deklaratat e mandatarit për formimin e qeverisë së re serbe, Daçiq, për kthimin e forcave serbe në Kosovë.

Amerikanët edhe një herë po thonë “Jo” për të mbrojtur shqiptarët. Shqiptarët gjithmonë duhet të thonë “Po” për Amerikën dhe për veten.



FUTBOLL OSE PA futboll, bashkë me SHBA-në janë disa shtete të cilave shqiptarët duhet t’u jenë mirënjohëse për atë që janë sot. Sidomos shteti i ri i shqiptarëve, Kosova, ka një numër të madh vendesh edhe brenda kontinentit të vjetër, të cilave duhet t’ua shprehë falënderimin dhe kujdesin e veçantë për ndihmën e dhënë në lirinë dhe shtetësinë, gjithashtu mbështetjen për të qenë shtet funksional.

Fatkeqësisht, shumica nga këto shtete humbën në “Euro 2012” nga Spanja.

Më e mira që do të mund të bënte Kosova është që të adoptonte praktikat e tyre të zhvillimit të shtetit, në mënyrë që të bëhet shtet i suksesshëm. Kështu edhe do t’u shpaguhej në njëfarë forme edhe angazhimi i tyre për shtetëzimin, pasi që në fund të fundit, Kosova është një arritje e përbashkët e jona dhe e tyre.

Mbase, një Kosovë si shtet i suksesshëm e normal do t’ia mbushte mendjen më shpejt të na njihnin edhe shtetet deri tash skeptike. Në mesin e të cilëve edhe shteti kampion i “Euro 2012”.

Atëherë, ndoshta edhe Kosova do të mund të luante në një kampionat evropian të futbollit. E ndoshta-ndoshta edhe unë do të filloja të shikoja më tepër futboll (edhe pse kjo e fundit nuk i bëhet fort dert kujt)! ;-)



adriatik@kohavision.net

Komente (2)

valona16.07.2012/23:11

Mos more Adriatik mos shkruaj keshtu, se po te ndijn keta vellezerit musliman e te shpallin si tradhtar te popullit shqiptar musliman ose me mire me thene musliman shqipetar...

Driton bakija Gjakove 07.07.2012/11:54

Shkrim i mire nga ,Adrijatik Kelmendi.

1000  Karaktere
Prishtinė 15°CI kthjellėt
Tiranė 15°CMe vranėsira tė pjesshme
Shkup 15°CI kthjellėt
Prishtinė26°CMe diell
Tiranė25°CMe diell
Shkup30°CMe diell