ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:00 KOHA E LAJMEVE *** 18:00 Talk *** 19:00 Lajmet e mbrëmjës *** 19:35 Sporti në KTV *** 20:00 Top Koha Music *** 21:00 Automan *** 22:05 Dokumentar: Biografi - Roman Polanski *** 22:50 Marketing *** 23:00 KOHA E LAJMEVE ...

Vendi i vuajtjes dhe i vrullit

Publikuar: 30.05.2012 - 21:38

20 vjet pas fillimit të luftës: një udhëtim nëpër Bosnjë-Hercegovinë

1.

Bosnjë-Hercegovina është një vend i çuditshëm. Ka një qeveri përgjegjëse për gjithë vendin, e cila pothuaj nuk ka kompetenca. Pastaj dy entitetet – federata bashnjako-kroate dhe republika e serbëve – kanë qeveritë e tyre. Federata është e ndarë në dhjetë kantone – dhe secili kanton ka qeverinë e vet. Bosnja nuk ka një president, por tre, nga një për secilën prej tri grupeve kryesore etnike, boshnjakët (myslimanët), serbët dhe kroatët. Secili nga anëtarët e presidencës ushtron funksionin e kryesuesit për tetë muaj, pastaj vjen tjetri, e kështu me radhë deri në mbarim të mandatit. Në të gjitha nivelet e burokracisë Bosnja ka mbi 180 ministra! Prandaj në Sarajevë mund ta dëgjoni këtë barsoletë: kur në qytetin e vjetër një qytetar i thotë një zotërie me kravatë: “Mirëmëngjesi, zoti ministër”, atëherë pothuaj të gjithë kalimtarët e kthejnë kokën, sepse çdonjëri mendon se është ministër.

2.

Në shikim të parë në Sarajevë nuk shihet asnjë gjurmë lufte. Së paku në qendër. Në Bashçarshi, në lagjen kryesore të qytetit të vjetër, jeta ecën me rrjedhën e rëndomtë. Dyqanet punojnë, zanatçinjtë prodhojnë artikujt e tyre, berberi më shumë flet se sa pret flokë, shitësit e suvenirëve nuk u ndahen turistëve, japonezët fotografojnë, turqit drejtojnë shikimet nga xhamitë dhe objektet e tjera që i ka lënë trashëgimi Perandoria Osmane, austriakët befasohen me pjesën e qytetit të ndërtuar nga arkitektët më të mirë të Perandorisë së Dyfishtë (Austro-Hungareze), zviceranët shikojnë me kureshtje këtë qytet, por nga distanca diskrete.

3.

Në zemrat e njerëzve, në kujtimet e tyre lufta, megjithatë, është e pranishme. Jo larg Bashçarshisë gjendet një përmendore në kujtim të 1.600 fëmijëve të vrarë gjatë rrethimit të Sarajevës. Duke ecur në asfalt do të shihni njolla me ngjyrë të kuqe. Janë gropëzat që kanë lënë granatat. “Trëndafilat e Sarajevës. Një rrëfim për luftën” quhet libri i gazetares amerikane Barbara Demick, e cila gjatë luftës jetoi bashkë me qytetarët e rrethuar. 20 vjet pas luftës ajo është kthyer në Sarajevë, më saktësisht në rrugën “Logavina”, banorët e së cilës i kishte portretuar gjatë luftës, kur çdo ditë ishte më shumë se një përpjekje për mbijetesë dhe çdo natë më shumë se një e kremte e mbijetesës.

4.

Ja si e përshkruan Barbara Demick ditën e 6 prillit 1992, e cila konsiderohet si ditë zyrtare e fillimit të luftës në Bosnjë-Hercegovinë. “Në Dobrinjë, një lagje me godina të larta, të ndërtuara për Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 1984, nisi një demonstratë spontane paqësore. Njerëzit u nisën drejt qendrës së qytetit, zunë vend para Parlamentit boshnjak, gjatë rrugës turma e njerëzve prej disa mijërave u rrit në dhjetëra-mijëra. (...) ‘Ne mund të jetojmë së bashku’, brohorisnin demonstruesit. ‘Ne jemi për paqe’. (...) Dikur dikush bërtiti: ‘Gore, snajper!’ (‘Lart, një snajper!’). Njerëzit filluan të ikin dhe bashkë me ta edhe Esadi (një banor i Sarajevës, v.j.). ‘Ne ishim krejtësisht të papërgatitur dhe naiv’, thotë ai sot. ‘Kurrë në jetë nuk kisha menduar se njerëzit do të shtinin ndaj nesh si kundër pëllumbave’. Të shtënat erdhën nga katet e sipërme të Holiday Inn. Nuk kishte dyshim se kush ishte përgjegjës. Radovan Karaxhiqi i kishte marrë me qira katet e sipërme të hotelit më modern të Sarajevës – një trashëgimi tjetër e Lojërave Olimpike të vitit 1984 – dhe i shfrytëzonte ato si seli për Partinë Demokratike Serbe (SDS). Policia u fut në hotel dhe arrestoi gjashtë persona, mes tyre edhe truprojën e Karaxhiqit. Atë ditë, më 6 prill 1992, në Sarajevë u vranë 14 njerëz. Në anale kjo ditë do të hynte si ditë e fillimit të luftës”.

5.

Përtej historisë së përgjakshme Sarajeva ka një të kaluar të lavdishme. Shembull i parë që përmendin qytetarët e kryeqytetit të Bosnjës është ky: “Sarajeva ka pasur tramvaj para Vjenës”. Dhe kjo është e vërtetë. Pas zaptimit të Bosnjë-Hercegovinës në vitin 1878 Perandoria Austro-Hungareze ndryshoi pamjen e Sarajevës. U shtruan disa vija tramvaji, pranë pjesës orientale të qytetit u ngritën godina “si në Vjenë”, u hapën fabrika. Për të realizuar këto projekte administratori i Bosnjës, Benjámin von Kállay, solli nga Vjena dhe nga qytetet e tjera të perandorisë arkitektët më ambiciozë, më novatorë. Njëri prej tyre ishte Josip Vancash, i cili në Sarajevë qëndroi plot 37 vjet. Ndonëse ishte adhurues i madh i arkitekturës vjeneze, Vancash nuk e imitoi atë plotësisht në Sarajevë, por u përpoq që ndërtimet t’ia përshtatë ambientit dhe historisë boshnjake. Për ndërtimin e katedrales së Sarajevës ai mori si model Votivkirche (një kishë në Ringstrasse, rrugën e famshme të Vjenës), por duke ia përshtatur përmasat e saj kryeqytetit të Bosnjës. Në fund të viteve 80-të të shekullit XIX Vancash dizajnoi tri objekte, në të cilat i inkorporoi edhe karakteristikat e arkitekturës islame: biblioteka për lexues myslimanë (u shkatërrua para Luftës së Dytë Botërore), hoteli “Central” dhe hamami i emëruar sipas themeluesit të Sarajevës, Isa Beg Is-hakoviq. Arkitekti tjetër, të cilin e solli në Sarajevë Benjámin von Kállay, ishte Alexander (Karl) Wittek. Ky është autor i ndërtesës mbase më mbresëlënëse të Sarajevës: Vijećnica (në gjuhën boshnjake), Rathaus (gjermanisht), në shqip: qendra reprezentative e administratës së qytetit. Vitrazhet në dritare, kupola e madhe prej qelqi, foajeu gjashtëkëndësh të kujtojnë Alhambrën, kështjellën e Granadës në Spanjë, të cilën e kishin ndërtuar sundimtarët maurë. Gjatë kohës së Jugosllavisë së Titos, Vijećnica ishte bibliotekë nacionale. Në gjysmën e parë të viteve 90-të forcat serbe e qëlluan disa herë me granata e raketa këtë ndërtesë, duke djegur miliona libra e dokumente.

6.

Çdo udhëtim në Srebrenicë është si një ecje këmbëzbathur mbi xhama të thyer. Ky qytet në lindje të Bosnjës, në kufi me Serbinë, nuk e lë askënd indiferent. Në korrik të vitit 1995 këtu forcat serbe, nën komandën e gjeneralit Ratko Mladiq, masakruan rreth tetë mijë burra e djem boshnjakë. Trupat holandeze të OKB-së, që gjendeshin në hyrje të qytetit, të vendosura në një fabrikë të baterive, u dorëzuan turpshëm përballë makinerisë serbe. Fabrika e dikurshme tani është qendër përkujtimore. Brenda një kubi të zi në një ekran të madh shfaqet pandërprerë një film mbi Srebrenicën e rrethuar dhe të pushtuar, mbi Srebrenicën e përgjakur dhe të shkatërruar. Në një moment shihet gjenerali Ratko Mladiq duke hyrë në Srebrenicë. Ai thotë: “Ja ku gjendemi në Srebrenicën serbe, të cilën po ia dhurojmë popullit serb. Tani, më në fund, erdhi koha t’u hakmerremi turqve në këto hapësira”. Dita kur po qëndronim në Srebrenicë ishte historike: derisa ecnim me vizitorë të tjerë nga Zvicra, Austria e Amerika nëpër fushën me varre të panumërta në Potoçari, në Hagë një prokuror amerikan i Tribunalit për ish-Jugosllavi lexonte aktakuzën kundër Ratko Mladiqit.

7.

Të shkosh në Srebrenicë e të mos vizitosh restorantin “Misirlije” të Abdullah Purkoviqit – është si të shkosh në Paris e të mos vizitosh Kullën e Eiffel-it. Abdullahu, kështu e quajmë të gjithë gazetarët që prej vitesh kemi ndërtuar me të një raport mirëbesimi dhe miqësi, është njëri prej boshnjakëve të parë që jo vetëm u kthye në Srebrenicë, por duke hapur restorantin ai dëshmoi se në këtë vend vuajtjesh mund të sigurosh edhe ekzistencën. Kuzhina e Abdullahut është legjendare: një kombinim mes specialiteteve boshnjake, eksperimenteve të pronarit dhe punëtoreve të tij, shumica gra të vuajtura dhe aq të përzemërta e jetëdhënëse të Srebrenicës. Restoranti i Abdullahut është adresa e parë për të gjithë të huajt që vijnë në Srebrenicë. Në mur qëndrojnë të varura fotografitë e pronarit me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Sarajevë, mes tyre edhe dy miq të mëdhenj të Bosnjës, austriaku Wolfgang Petritsch dhe Christian Schwarz-Schilling, i cili në fillim të viteve 90-të kishte dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Postës në kabinetin e kancelarit Helmut Kohl për shkak të pasivitetit të Perëndimit ndaj agresionit serb në Bosnjë. Abdullahu ecë në hap me kohën. Në restorantin e tij interneti punon më shpejt se në hotel “Europa” në Sarajevë, një bujtinë me nam, ku së fundi ka fjetur edhe Angeline Jolie.

8.

Urat janë simbole. Ato bashkojnë botët e ndara, popujt, qytetet, qytetërimet, kulturat, idetë, mallin, tregtarët. E tillë ka qenë ura mbi lumin Neretva në Mostar. Kjo urë ka qenë ndoshta motivi që ka ilustruar më së shumti panorama, të cilat prej turistëve janë dërguar anekënd botës. Ka njerëz në Perëndim që nuk dinë asgjë për Ballkanin, por ura e Mostarit për ta është e njohur. E kanë parë diku, në televizion, në gazetë, në enciklopedi. Mëngjesin e 9 nëntorit 1993 ura u rrëzua nga granatat e shkrepura prej pozicioneve kroate. Bashkë me gurët e urës në Neretvë ra edhe një pjesë e historisë së Bosnjës. Në këtë urë janë takuar çifte të dashuruarish, në këtë urë djemtë u kanë bërë përshtypje vajzave duke kërcyer në lumin e rrëmbyeshëm, në këtë urë jo pak njerëz kanë përjetuar puthjen e parë, në këtë urë janë projektuar dëshira madhështore. Dikur, kur flisnin për urën, qytetarët e Mostarit tingëllonin sikur po flisnin për një dashnore, së cilës ia numëron frymëmarrjet, ia shikon vezullimën e syve dhe drejtpeshimin e trupit duke vallëzuar. Ashtu sikur urës. Edhe ura, së paku ura e Mostarit, harku i saj madhështor, merrte frymë, mbante drejtpeshimin e qytetit, lidhte botën orientale me atë perëndimore.

9.

Në shekullin XVI Sulltan Sylejmani i Madhërishmi ia kishte besuar ndërtimin e urës njërit prej arkitektëve më të mirë të Perandorisë Osmane, Mimar Hajrudinit. Sipas legjendës përpjekja e parë e Hajrudinit për të ngritur një hark prej 30 metrash dhe pa shtylla mbi Neretvë kishte dështuar. Ura ishte rrëzuar gjatë ndërtimit. Hajrudinit iu dha edhe një shans. Thuhet se në ditën e hapjes së urës për kalim Hajrudini ia kishte çelur vetes një varr – nëse edhe kësaj here ura nuk do të qëndronte, ai do të vetëvarrosej. Por ura qëndroi. Deri më 9 nëntor 1993. Ndërkohë ura është rindërtuar. Gjithnjë e më shumë turistë vijnë në Mostar. Duket se një vrull i pandalshëm ka përfshirë qytetin. Zejtarët ofrojnë suveniret e tyre, pronarët e restoranteve joshin kalimtarët, nga lartësia dëgjohet zëri i myezinit dhe kambana e kishës katolike, në thellësi shkëlqen uji i Neretvës.

10.

Në të gjitha pjesët e ish-Jugosllavisë ekziston një lloj nostalgjie për kohën e sundimit të Josip Broz Titos. Kur e krahason rrethimin e Sarajevës, ferrin e Srebrenicës, shkatërrimin e Vukovarit dhe bombardimin e Dubrovnikut, dëbimin e gati një milion shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe, atëherë epoka e Titos vërtet mund të duket më e mirë. Gjithnjë varet se prej cilës perspektivë bëhet krahasimi! Në Mostar krahas xhezveve suveniri më i shitur janë t-shirt-at me portretin e Josip Broz Titos. Por së paku deri në vitin 1966, kur u rrëzua shefi i shërbimit sekret OZNA, i policisë politike UDBA dhe ministri i brendshëm i Jugosllavisë, Aleksandar Rankoviqi, Jugosllavia e Titos ishte një diktaturë me pak dallime nga Bashkimi Sovjetik. Vetëm në vitet 1945-46, gjatë pushkatimeve, marsheve të vdekjes dhe qëndrimit në kampe të shfarosjes, trupat e Titos ua morën jetën së paku 250 mijë njerëzve. Qëllimi i OZNA-s, sipas Titos, ishte që “t’ua fusë frikën në palcë atyre që nuk e duan Jugosllavinë”. Anët e errëta të sundimit të Titos rrallë tematizohen në Ballkan. Në çdo vitrinë librarie në Zagreb, Sarajevë e Beograd do të gjeni vepra që Titon e shohin vetëm në dritë pozitive. Në një libër të botuar para disa vjetësh gjenden të përmbledhura recetat e gjellëve që suita e Titos ua kishte servuar mysafirëve burrështetas nga mbarë bota. Një libër tjetër merret me Titon dhe të gjitha femrat e tij. Monarku i kuq përshkruhet si gjuetar i ushkurit. Një ish-përkthyes i Titos nga gjermanishtja në kujtimet e tij e sheh Josip Brozin vetëm si gjeni që luante për mrekulli në skenën e politikës botërore. Këtë talent Titos nuk ia mohojnë madje as nacionalistët kroatë. Prandaj në Zagreb njëri prej shesheve më të bukura mban emrin e tij.



robelli@bluewin.ch

 

Komente (4)

bashkim31.05.2012/21:12

z.Robelli, shpresoj qe kto shkrime qe po na i servon, ti lexojne edhe gazetaret e mediumeve tona.

besi31.05.2012/13:02

Zoteri Robelli gjithmon i lexoj shkrimet e tuaja sepse ke guximin dhe shkurt me pelqejn sepse ju i preki do tema qe ne kosove rrall naj kush qe ka guxim ti shkruaj , por kesaj radhe per mendimin tim e keni bere nji gabim , sikurse kishe mundur te me pergjigjesh kisha pase nji lehtesim ne shpirte ,pse zoteri Robelli ketu larte kur keni cekur emrat e nacionaliteteve vetem per boshnjaket keni futur fejen e tyre kjo mos asht gabim .

astrit31.05.2012/08:29

Me shum dhemb fjala apo vepra e keqe e mikut, se sa plumbi i armikut!

floriani30.05.2012/23:07

Enver Robelli,te falenderojme per shkrimet qe po na i dhuron,se te pakten te ti po e gjejme nje gjelle qe e ka nje shije,ne togun e shum gjellerav bajate qe na servohen.Te pakten po mesojme diqka nga ti,e per disa qaste po horrojme qe e kemi hashen kryeminister e po na pushon kryet.

1000  Karaktere
Prishtinė 18°CI kthjellėt
Tiranė 18°CI kthjellėt
Shkup 15°CI kthjellėt
Prishtinė27°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė28°C
Shkup30°CMe vranėsira tė pjesshme