ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubiko *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 189 *** 22:20    Dokumentar: E Përkryera te Plastika - epis 5 *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Milosheviqi dhe Shesheli kthehen në Serbi

Publikuar: 25.05.2012 - 22:14

Për Kosovën, Nikoliqi si president dhe Daçiqi si kryeministër i bie kthim në situatën e qeverisjes së dyshes Sheshel-Milosheviq të viteve ’90. Prishtina duhet të jetë e vendosur që përfundimisht të vërë kushte për bashkëpunim: Perëndimi duhet të përdorë politikën e shkopit dhe karotës, përfshirë këtu kërkesën e qartë për njohjen e pavarësisë së Kosovës

DHE NDODHI. Për hair. Jo për diçka tjetër, por, se na kanë lodhur. Tomislav Nikoliqi fitoi me meritë postin e presidentit të Serbisë. Dhe kur them me meritë, e nënvizoj, pasi që edhe për të tretën herë kundër tij dhe partisë së tij u ngritën të gjithë, që nga SHBA-ja, Bashkimi Evropian e – ironikisht - edhe shumica e partive politike në Kosovë, së paku duke e përkrahur hapur dhe tërthorazi, me koncesione e thuaja pa kushte, kundërshtarin e tij “më pak të keq” Boris Tadiq.

Tash së paku shihet se cila është Serbia edhe në vitin 2012. Fare legjitime. Populli serb ka zgjedhur në mënyrë demokratike ata që ka dashur, pavarësisht implikimeve dhe ndikimeve nga jashtë. Ata zgjodhën për Sheshelin dhe Milosheviqin. Ish-dora e djathtë e Sheshelit, Nikoliq, u votua për president, kurse ish-dora e majtë e Milosheviqit, Daçiq, dyfishoi numrin e votave. Këta janë të vetmit fitues të zgjedhjeve serbe.

Me gjithë brengën e përgjithshme perëndimore për këto fitore, unë vlerësoj se ka ndodhur më e mira që ka mundur të ndodhte në këto rrethana.

Thjesht, ka fituar origjinali kundrejt falsifikuesit.

Tadiqi për gjithë këto vite e ka tërhequr për hunde gjithë bashkësinë ndërkombëtare, duke mos ndërmarrë kurrfarë veprimesh konkrete që do të ndikonin në normalizimin dhe paqetimin e rajonit, sidomos në kontekstin e Kosovës. Kështu, të gjithë të tjerët, përfshirë shpesh edhe politikën kosovare, për shumë vjet kishin vallëzuar sipas tingujve të defeve të Tadiqit. Nën kërcënimet se më mirë ai se “të këqijtë”.

Situata ndryshoi. Serbia e ka vulosur atë që është përsëritur nga shumë prej nesh me vite, fatkeqësisht, jo me shumë sukses – se ajo ende nuk është denazifikuar. Për më tepër, se është duke shkuar në trendë të kundërt.

Gjithsesi, u vërtetua se rrobat që i janë qepur Serbisë kanë qenë të matura keq nga rrobaqepësi.

Tash, së paku dihet se cila është Serbia dhe çfarë rrobash i duhen qepur.



MIRËPO, A EKZISTON Plani B? A ka pasur Qeveria e Kosovës, e cila kishte hyrë pa krye edhe në dialogun teknik-(politik) të ndërmjetësuar nga Beogradi, një plan se si do të sillet në rast se do të fitojnë Milosheviqi dhe Shesheli i vogël në zgjedhje? Aq më shumë, a kanë qendrat e vendosjes një Plan B, tash kur i ka dështuar e gjithë përkrahja e verbër ndaj Tadiqit dhe po përballen me Serbinë e vërtetë.

Ka ndodhur - fundi i iluzioneve.

Është e pafalshme gjithë kjo miopi ndërkombëtare ndaj Serbisë me gjithë paralajmërimet.

Tash mund të shohim ndërrim strategjie ndërkombëtare ndaj Nikoliqit dhe Daçiqit, kur do të mendohet se duke i bërë koncesione do të joshen drejt Perëndimit. Gjë që është e parë.

Por kjo politikë joshëse do të mund të kishte shumë më tepër rezultate, në qoftë se vërtet kësaj radhe SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian do të përdorte shkopin dhe karotën.

Shumë shpejt qendrat e vendosjes do të duhej t’ia bënin të qartë presidentit të ri dhe kryeministrit të ri - Nikoliqit, respektivisht Daçiqit – se nuk mund të hanë me dy lugë.

E para nga e cila do të duhej hequr dorë është politika e adoptuar së fundi nga shtetet perëndimore, sipas së cilës është e kuptueshme se Serbia nuk mund ta njohë Kosovën, por vetëm të normalizojë marrëdhëniet me të (sic!). Tash do të duhej kërkuar me vendosmëri direkt njohjen e Kosovës. Pasi që politika e kaluar “për normalizim” ka qenë më e dëmshmja e mundshme për shtetin e ri dhe relaksimin e raporteve në rajon, për shkak së paku disa nga pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, kanë thënë se nuk do ta bëjnë këtë po nuk e bën së pari njohjen Beogradi. Me këtë qasje është bllokuar çdo mundësi e aderimit të Kosovës në BE, për shkak se në këtë organizatë mund të hyjnë vetëm shtetet dhe duhet votuar nga parlamentet e të gjitha shteteve respektive, përfshirë edhe të atyre parlamenteve që nuk e kanë njohur shtetin e ri.

E dyta, është afati konkret ultimativ deri kur do të duhej që Serbia t’i hiqte strukturat paralele dhe të ndihmonte në luftimin e organizatave kriminale në veri. Këtë nuk e bëri, por edhe nuk u detyrua ta bënte Tadiqi, me gjithë kushtet e qarta të vëna nga kancelarja gjermane Merkel, sërish për shkak të përkëdheljes ndërkombëtare ndaj tij. Sidoqoftë, ndoshta Tadiqi as që do të mund ta bënte, duke pasur parasysh se nga katër kryetarët ilegalë të komunave në veri, vetëm një ishte nga Partia Demokratike, dhe tre të tjerët nga partitë kundërshtare të tij, gjegjësisht të Nikoliqit dhe të Koshtunicës. Tadiqi arsyetohej se ilegalët nuk po e dëgjojnë, gjë që s’mund ta pohojë më Nikoliqi. Në rast të trysnisë së vendosur ndërkombëtare, presidenti i ri serb e ka edhe pushtetin, edhe ndikimin që t’u japë fund strukturave ilegale e kriminale. Ky do të duhej të ishte kusht i panegociuar.

E treta, ka të bëjë me implementimin e konkluzioneve të bisedimeve teknike-(politike) të deritashme në Bruksel, si dhe të japin informacionet për fatin e të pagjeturve nga lufta, në mënyrë që të konfirmojnë përkushtimin e Serbisë ndaj obligimeve të BE-së.



QË TË GJITHA këto që u përmendën më lart do të duhej të ishin pjesë edhe e planit strategjik të Prishtinës zyrtare në rrethanat e reja.

Për Kosovën, Nikoliqi si president dhe Daçiqi si kryeministër i bie kthim në situatën e qeverisjes së dyshes Sheshel-Milosheviq të viteve ’90. Kosova e ka mundësinë që t’i tregojë botës se cila është Serbia sot, duke vënë vija të qarta të kuqe. Situata tash është bukur bardhezi.

Në qoftë se Nikoliqi dhe Daçiqi dëshirojnë të thonë se janë ndarë përfundimisht nga politika e tyre e viteve ’90, do të duhej ta dëshmonin atë konkretisht duke mos u sjellë si Shesheli e Milosheviqi. Nuk mund të ketë një opsion të dytë. Pasi që në atë mënyrë politika e Milosheviqit dhe ajo e Sheshelit jo që do të merrnin dënimin e merituar, por do të stimuloheshin.

Në qoftë se tolerohet nga Perëndimi. Dhe në qoftë se nuk kushtëzohet nga Kosova.



adriatik@kohavision.net

 

Komente (11)

LIRIGZON KASTRATI02.06.2012/17:49

ky osht nje plan i ber me strategji te SHBA shum mir amerikanet i din sende sepse e kan CI e kan ber me qellime shum te mira per te hyre edhe ne at zon per ta pushtua serbin e ka nje luf te vogel me vojvodin edhe kshtu muneden me psu edhe shqiptaret e lugine kjo osht nje politik e SHBA per ta shti serbin ne grusht ndal nga dal edhe e ben nje lidhej durrs bonstill serbi det te zi maqedoni greqi aviani ITALI KY O SINIMI I SHBA TUNG KALONI MIR

Mergimtari,BW,Gjermani26.05.2012/19:44

Zoti Adriatik,Millosheviqin ne zgjedhjet e para 4 viteve ne Serbi, ne pushtet e ktheu vet BE,per ta ruajtur dhe mbrojtur Tadiqin te cilit i beri mjaft koncesione ne dem te Kosoves gjat kesaj periudhe.Dhe megjithate nuk mundi ta mbroj.Sheheli tani u kthye dashti apo nuk deshi BE.Dhe kane mundesi reale, perkunder dekleratave kontradiktore te Ivica Daqiqit, keta te qeverisin sebashku me Serbin.Por mbetet te shofit se a do te jete ne gjendje Millosheviqi i vogelIvica Daqiqi, tua shkull kabllot e mikrofonave parlamentreve te SheshelitNikoliqit, siq bente Shesheli at bote me parlamentaret e Millosheviqit ne Parlamentin e Serbise.BE, per fate te keq ,gjithenje e ma shume qe po kalon koha, po behet e pafuqishme ndaj Serbise.Na mbetet te shofin qdo te beje tani BE e cila para se te konfirmohet fitorja e Nikoliqit, ajo i uroj fitoren.

dyl tahiri26.05.2012/17:12

Adriatik te vleresoj si gazetar,ndaj te lutem nese i lexon komentet ne kete portal,organizo ne emisionin tend RUBIKON temen ne te dhenat historike te Azem Bejtes dhe Shaban Polluzhes,te ndriqohen nje here e mire dhe te iu mbyllet goja tradhetarve nga drenica.

XUXI 26.05.2012/17:12

me pas rahati e qetsi ne ballkan duhet serbin me pushtu nato per ndyreshe nuk ka paq kurr mos harroni

xhevdeti26.05.2012/12:23

Te gjithe pushtetaret ne shtetin e Serbise,por pa i harruar edhe partite tjera politike ne kokat e tyre i kane te ngulitura ellaboratet e Millosheviqit per Kosoves.Serbet luftoine per pushtet por kur eshte Kosova ne pyetje keta te gjithe heqin dore nga pushteti dhe behen bashk si nje trup per rifreskimin e planit te Millosheviqit dhe Cubrilloviqit e keshtu me radhe.Te ne shqiptaret eshte e kunderta luftojme per pushtet e jo per shtet si dhe i inskenoim si armiq ata te cilet nuk luftoin per pushtet, por kane luftuar dhe luftoine per popull dhe shet.Perderisa shqiptaret nuk bashkohen si nje trup kur eshte ne pyetje sheti veshtire se do te kemi shtet,na vlersoine te tjeret aq sa ne e vlersoim vetevehte dhe shtetin.Mendoi qe njerezit e paditur perhere e kane humbur betejen ne tavolinat e bisedimeve si bajraktare pa u konsultuar me akademite e shkencave ne Prishtine dhe Tirane.Ne fund sheti nuk mbahet me Kamisha kur dihet se me keta perhere jemi ne defanzive dhe te denuar te humbasim cdo gje te shenjet si shtetin,nderin dhe krenarine e trimave te UCK te cilet na e lane amanet ne ruajtjen e shtetit flamurt dhe kombit.

Bekimi26.05.2012/10:56

Z Adriatik, keni dhene analiza dhe mesazhe shume te kjarta,por sa kane fuqi keto kur populli yne nje mase e madhe ka teper nostalgji per serbet dhe Serbine .Pra, kjo nostalgji nuk njeh as atdhe as shtet as kushtetute e çka mos tjeter !

Rilindi26.05.2012/10:17

Te pergezoj Adriatik per kete shkrim te bukur dhe nje analiz sikur me u pas shkru nga ndonje gazetar te New York Tims ose te Frankfurter Allgemeine Zeitung...bravo, kenaqesi te lexosh qart nje shkrim trimeror te till...veq do deshiroja qe keto vija politike te u realizonin nga kuqkat tona qe sju intereson asgje tjeter perveq se te qendrojn ne ... kat e tyre me kemb perpjet neper tavolina...ARMIKU SFLEN KURRË...kurse ne ende mbesim te gjall me miell dhe ETCja te Serbis.....oooo a jeni tu ja ndegju fjalet Adem Jasharit, se ai edhe prej vorrit flet...o vlla mos em mer ne qaf se qateher une kam dek....zoni

PEJA26.05.2012/10:14

PO EDHE TADIQI ISHTE NJE MILLOSHEVIQ INTELEGJENT QE I SHKAKTOJ KOSOVES DËME GATI SI MILLOSHEVIQI NE DISA GJERA EDHE MA TE MEDHA POR ME METODA TJERA ME TE MENQURA.

idez Imetaj26.05.2012/08:14

plotesisht jam i ketij mendimi, dhe jam shume i lumtur qe fituan sheshelianet dhe millosheviqanet.
jo per dicka, por vetem se duke pare se sa e dobet eshte qeveria jone, situata e krijuar automatikisht e favorizon anen tone... per fat! Se Tadiqi ishte teper i rezikshem me politiken e tij.
....a eropjanet i dime mire ata jane te interesuar te mbajne status "Pat". Nese nuk kishte qene Amerika ne as me tadiqat as me milloshevicat dhe sheshelat e ri sja kishim dale dote!!!
bile as qe dote vinim ne kete situate qe te bisedojme ose komentojme per kete teme sepse thjesht ose dote ishim ende ne Blace ose ne Kukes!!!!!!!!!!!!

osllani26.05.2012/07:16

Po si te jan kta te dyt Millosheviqi dhe Sheshelji, neve garant jo vetem Mitrovicen mirpo deri te Velika Pllana kena me i shkue Serbijes. Ha ha ha.

tususi.prizren25.05.2012/22:31

o Adriatik krejt Shqiptaret e din qe serbia eshte serbi, ata qdo here e kan politiken para nesh, ti mos u brengos se kur ne ia japim besen shkive ateher jemi ne rezik, e une shpresoj qe ska Shqiptar qe ia jep besen shkaut.

1000  Karaktere
Prishtinė 15°CKryesisht me vranėsira
Tiranė 15°CI kthjellėt
Shkup 18°CKryesisht me vranėsira
Prishtinė19°C
Tiranė19°C
Shkup26°C