Kosova mbron autorin me fushata, por jo edhe me ligje

Artikujt tjerė
- Kosova mbron autorin me fushata, por jo edhe me ligje
- Kalendari historik, 24 prill
- LDK: Projektligji i PDK-së rrezikon teatrin
- Librat e Kohës arrijnë edhe në Deçan
- Rock për rock hap dyert për të njëmbëdhjetën herë
- Dy kosovarë në evenimentin botëror të artistëve të rinj
- Kalendari historik, 23 prill 2012
- Pas 72 vjetësh shuhet Vjesnik i Kroacisë
- Udhëtimi në Maqedoni e vërteta mbi ecejaket e shqiptarëve
- Buxhovi: Schmitt sulmon historinë shqiptare
Prishtinë, 23 prill Kuvendi i Kosovës kishte miratuar në vitin 2006 një Ligj për të drejta të autorit. Por ai nuk kishte gjetur zbatim asnjëherë. E kur në krye të Ministrisë së Kulturës kishte ardhur Memli Krasniqi e kishte parë të nevojshme që ai ligj të ndryshohet. Pas disa muajsh pune në përpilimin e një ligji thuajse krejtësisht të ri, ai qe miratuar në dhjetor të vitit të kaluar. Katër muaj më vonë ende nuk janë miratuar rregulloret që vënë në funksion ligjin. Shoqatat e administrimit kolektiv të të drejtave të autorit nuk kanë ku të licencohen.
Ndonëse po përfundon muaji i katërt i vitit, Ministria e Kulturës ende nuk ka arritur që të shpërndajë fondin prej 60 mijë eurosh që e ka rezervuar për vitin 2012 për subvencionimin e botimit të librit. Këshilli i librit në këtë Ministri, vendimin se cilën shtëpi botuese do ta përkrahë, pritet ta marrë këtë javë.
Por këto nuk e kanë penguar të parin e kulturës në vend, Memli Krasniqi, që në Ditën Botërore të Librit dhe të Drejtave të Autorit të krenohet me arritjet e tij në krye të MKRS-së për këtë fushë. Në një aktivitet të mbajtur mesditën e së hënës ai ka lansuar fushatën e Kosova mbron autorin.
Shumë aktivitete të tjera kanë shënuar në mënyra të ndryshme ditën të cilën konferenca e përgjithshme e UNESCO-s në vitin 1995 ua dedikoi autorëve dhe librave.
Mst: Ministri thërret krijuesit për themelimin e shoqatave tjera
Përveç shoqatës për mbrojtjen kolektive të të drejtave të autorëve, prodhuesve dhe interpretuesve Apik që ishte themeluar në gusht të vitit të kaluar në krye me kompozitorin Florent Boshnjakun, së fundi edhe aktori e producenti ka themeluar shoqatën Vapik, që mbron kryesisht videoartistët. Ndonëse kjo e para ka të kompletuar dokumentacionin për licencim, Ministria e Kulturës ende nuk mund ta bëjë këtë gjë.
Florent Boshnjaku, shoqata e të cilit tashmë numëron 500 anëtarë, ka thënë se ka shpresën që shumë shpejt do të mund të licencohen.
Të pranohemi si Shoqatë në Ministri dhe të kemi mundësi që thjesht të funksionojmë për të mirën e artistëve, ka thënë Boshnjaku.
E Blerim Gjoci i Vapikut ka thënë se shpreson se në këtë ditë të shënuar edhe Kosova të kthjellet nga ajo përgjumje autoriale që na kishte kapluar.
Përkundër kësaj, ministri Krasniqi e ka quajtur inkurajues themelimin e këtyre dy shoqatave e u ka bërë thirrje edhe shkrimtarëve, botuesve, studiuesve e krijuesve të tjerë, që të bashkohen dhe të themelojnë shoqata të tilla. Ka thënë se rregullorja për licencim të shoqatave për administrim kolektiv është hartuar para disa ditësh, teksa ka premtuar se ajo do të hyjë në fuqi që nga muaji i ardhshëm. E në këto ditë ai ka thënë se e presin shumë punë.
Strategjia kundër falsifikimit dhe piratërisë tashmë është në hartim e sipër. Ne do të konsultojmë të gjithë faktorët relevantë për finalizimin e saj, ka thënë Krasniqi. Me nxjerrjen e dokumenteve të tjera ligjore i paraprijmë edhe formimit të Task Forcës për luftimin e piratërisë, ka shtuar ai.
E ka cilësuar lajm të keq që nuk është bërë më herët, por ka thënë se është më mirë vonë se shumë vonë, kur ka lansuar një fushatë vetëdijesimi dhe informimi mbi këtë fushë. Ka thënë se është hap simbolik, por tejet domethënës. Fushata do të zgjasë tre muaj.
Në një kënd në mes të sheshit Nënë Tereza në kryeqytet në stola prej druri, të hënën pasdite ishin ulur rreth 20 fëmijë. Ata po ngrinin dorën se cili më parë të lexojë për të gjithë të tjerët poezi të poetëve të njohur të vendit, si Ibrahim Kadriu e Kismete Hyseni. Aty do të mbahej edhe një shfaqje teatrale me motive nga librat për fëmijë. Ky ka qenë vetëm njëri nga aktivitetet që qendra për zhvillimin e arteve, Artpolis, ka organizuar për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtat e Autorit.
Libra të Botimeve KOHA, të Dukagjinit, Artini/Toena, Dite Nat, Buzuku, e Titanik kishin krijuar këndin e librit, që një pjesë të Sheshit e shndërroi në panair njëditor të librit në kryeqytet. Në prapavijë të stendave të tyre kanë qëndruar fotografitë e francezes Sylvie Roçe me temë librin.
Ditën Ndërkombëtare të Librit e ka shënuar me aktivitete edhe libraria Dit' e Nat'. Në mesditë aty ka mbajtur ligjëratë Ben Blushi, teksa ka bërë edhe promovimin e librave të tij Shqipëria, Otello e Të jetosh në ishull, ndërsa në mbrëmje në këtë librari është mbajtur mbrëmje letrare nga Hutini Books.
UNESCO-ja shpalli 23 Prillin si Ditën e Librit dhe së Drejtës së Autorit, në kujtim të gjigantëve të letrave të shekullit XVI, dramaturgut William Shakespear dhe autorit të "Don Kishotit", Miguel Servantes.







