ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 15:15 Oxygen ® *** 17:00 KOHA E LAJMEVE *** 17:15 Oxygen ® - Vazhdimi *** 19:00 Lajmet e mbrëmjës *** 19:40 Serial Për femijë " Little Chearlies Bear " . Epis 13, 14, 15 *** 20:15 N'darkë *** 21:30 Sporti Total *** 22:55 Marketing *** 23:00 KOHA E LAJMEVE ...

“Tema”: Hallet e pesë politikanëve dhe të dhjetë milionë shqiptarëve

 Kreshnik Spahiu Publikuar: 12.05.2012 - 21:06

Një karrige presidenti ka bërë që në një muaj të rizbulohet sërish fytyra e vërtetë e atyre që na qeverisin, që na kanë qeverisur ose pretendojnë të na qeverisin.

Një karrige presidenti ka bërë që në një muaj të rizbulohet sërish fytyra e vërtetë e atyre që na qeverisin, që na kanë qeverisur ose pretendojnë të na qeverisin. Fytyra tashmë të stërkonsumuara mbi dy dekada dhe pamje televizive deja’ vu vazhdojnë të na japin imazhin e atyre që tashmë e quajnë pjesën tjetër turmë. Ata janë shumë pak, madje sa gishtat e njërës dorë, dhe ne jemi mësuar që të “shqyejnë” njëri- tjetrin në luftën për një karrige. Ata po shëtisin, vizitojnë, drekojnë, pinë kafe si në ditë vakish. Herë të shqetësuar dhe herë të buzëqeshur, në ekrane shfaqen Berisha, Rama, Nano, Meta etj. në siparin e nisur nga ish- kryeministri tri herë i shqiptarëve Fatos Nano, i cili, pas 25 vjetësh në politikë, kërkon riciklimin e tij të radhës dhe pikërisht nga ai që e burgosi për 4 vjet me akuzën e korrupsionit dhe më pas e quajti vrasës të Azem Hajdarit. I lodhur nga pushteti ai u largua pjesërisht nga Shqipëria drejt Vjenës për t’u rikthyer sërish me ambicien e njeriut që do vendosë unitetin. Qokat e kafeve vazhdojnë mes njerëzve që burgosën dhe akuzuan njëri-tjetrin. Berisha burgosi Nanon dhe vite më pas Meta tentoi për disa orë të arrestonte Berishën. Berisha rrihte barbarisht Ramën dhe ky pas disa vjetësh ia kthente borxhin duke e rrethuar në zyrën e tij. Nga plumbat e këtij të fundit e deri te prangat që i vunë njëri- tjetrit, kjo shoqëri e pështirë i përngjan një skenari makbethian ku ata që pështyhen në agim puthen në perëndim.

Influenca e këtyre qokaxhive mbi mediet shqiptare ende vazhdon të vendosë në kryelajmin e ditës takimin e radhës. Ata që ishin të pangrënë, të paveshur, sot janë të tjetërsuar. Të gjithë të dalë nga një shoqëri e varfër dhe vend i mjeruar, të gjithë nga niveli zero e nisën, por ata zgjodhën biznesin më fitimprurës: pushtetin politik. Ata nuk janë më të dikurshmit, ata nuk janë më ata që patëm njohur, ata nuk janë ata që premtuan, ata nuk janë çfarë u shfaqën. Realiteti është diçka krejt tjetër. Sot kemi dy palë që mund t’i quajmë “Ata dhe turma”.

Në asnjë moment nuk i shikon aq të shqetësuar. Ata nuk shqetësohen nga kriza ekonomike, ata nuk alarmohen nga kriza rajonale, atyre nuk ua u ndien se ç’ndodh në viset shqiptare, mbi të gjitha ata nuk janë të shqetësuara sa dëm bën imazhi i tyre për kombin shqiptar. Udhëkryqi i historisë ku gjenden shqiptarët për ta është zëvendësuar me fjalëkryqin e presidentit, makthi që kanë shqiptarët nga e ardhmja e tyre e pasigurt është zëvendësuar nga makthi për 71 vota për presidentin, kriza që kanë shqiptarët për të qenë dinjitozë në rrugëtimin e tyre drejt Perëndimit është zëvendësuar me krizën që ata kanë në raporte me diplomatët klientelistë që janë përfshirë në pazaret e tyre për pushtet. Ata kanë zvogëluar kombin tonë dhe problemet e tij në pak metra katrorë të Zyrës së presidentit dhe hallet për zgjedhjen e tij.

Nëse dikujt prej tyre sot i kujton problemet që kanë shqiptarët në Greqi dhe përqasjet me racizmin, është një rrezik se në vend të rrugëzgjidhjes ata e shikojnë këtë si një mundësi për pazar. Nëse u flet për problemet e shqiptarëve në Maqedoni dhe paragjykimet raciste dhe etnike ndaj tyre, ata e marrin si një mundësi të re për pazar. Nëse u flet për përplasjen e re të shqiptarëve në Luginën e Preshevës me shovinizmin e rizgjuar të Beogradit ndaj tyre, ata e shikojnë si një mundësi të duken të moderuar për të fituar simpati për pazaret e tyre. Hallet e dhjetë milionë shqiptarëve dhe hallet e pesë politikanëve shqiptarë në Tiranë janë krejt të ndryshme dhe nuk takohen askund. Shqiptarët ëndërrojnë një komb dinjitoz demokratik, properëndimor dhe një treg të madh shqiptar, politikanët e Tiranës kërkojnë një zyrë 50 metra katrorë, ku qëndron karrigia e presidentit, dhe nga ku kontrollohet sistemi i drejtësisë dhe pushtetet e tjera në vend, për të çimentuar regjimin e tyre poshtërues për shqiptarët. Ata ngatërrojnë orën e historisë që për ta ka kaluar, me orën e zgjedhjes së presidentit që po afron.

“Burrat e shtetit” të vendeve fqinjë janë treguar shumë herë më dinjitoz se këta burracakë, por sërish kanë ditur kur të ikin nga skena. Ata i bashkuan kombet e tyre në kohën dhe vendin e duhur dhe ndryshe nga këta burracakë ditën të bëjnë luftën dhe paqen brenda dhe jashtë trojeve të tyre. E kanë bërë këtë pasi popujt e tyre kanë ditur t’u tregonin vendin politikanëve plëngprishës. Dhe ne nuk jemi një shoqëri e dorës së dytë. Dhe ne do t’i dimë të tregojmë se jemi një shoqëri dinjitoze, dhe se e vetmja gjë e dorës së dytë në këtë vend është kjo elitë politike.



 

Komente (1)

Fehmi DIBRANI12.05.2012/21:43

I nderuar zoti Spahiu,
Perderisa nuk emancipohet mendesia e bashkimit kombetar shqiptar ne kuptimin e ndjenjave dhe nevojave shpirterore,eshte paksa e veshtire per te ndodhur bashkimi fizik i njemendet faktik!Kombi yne i lashte i ka dhene njerezimit shume figura kolosale te fushave te caktuara,por ende nuk jemi te bashkuar shpirterisht per ti besuar nje Shqiperie,tamam sikur nje Perendie!
Eshte e vetmja rruge,bashkimi yne kombetar i te gjitha trojeve tona Shqiptare!Ne duhet dhe do ta kemi vetem nje Flamur,nje gjuhe,nje kushtetute,nje parlament,nje Abetare dhe mbi te gjitha nje mendesi te bashkuar mbarekombetare! Nese i arrijme keto,cka eshte teper e veshtire pa kaluar nje rruge teper te veshtire,atehere ceshtje mbi te gjitha ceshtjet do mbetet arsimimi,puna e madhe dhe mireqenia sociale ekonomike! Konsideroj se ne mes te endrrave,deshirave dhe aspiratave te nje kombi te tere,eshte puna,puna,puna! Ne vegjelia jemi me ju si gjithemone, nese na jepni prova dhe fakte se jeni me te mire se pushtetaret tane ne Tirane,Prishtine,Shkup,Tetove,Ulqine,Presheve e gjetke te cilet nuk deshmuan se jane te interesuar per bashkimin tone kombetar dhe as per mireqenie sociale,por jane duke bere gara te ashpra per pushtet dhe interesa te tyre te ngushta individuale!Jemi me ju,por duam FAKTE!

1000  Karaktere
Prishtinė 29°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė 29°CI kthjellėt
Shkup 31°CMe vranėsira tė pjesshme
Prishtinė26°CMe diell
Tiranė25°CMe diell
Shkup30°CMe diell