ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:00 KOHA E LAJMEVE *** 17:20 Anima *** 18:00 Talk *** 18:35 Filma Vizatimor: “ Ariu i Vogël Çarli “ epis.16 dhe 17 *** 19:00 LAJMET E MBRËMJES *** 19:35 Sporti ne KTV *** 20:00 Top Koha Music *** 21:05 Automan *** 21:30 Dokumentar: “At the Edge of Russia” *** 22:55 Marketing *** 23:00 KOHA E LAJMEVE ...

Gjendje e jashtëzakonshme

Publikuar: 19.04.2012 - 20:17

Serbia parazgjedhore e ka rikthyer në skenë postulatin fashist se “vetëm shqiptari i vdekur është shqiptar i mirë”, ose të paktën shqiptari në pranga. Në tokën kosovare (në veri të vendit) turmat e pafytyra e të çakërdisura, të thirrura nga “Obraz” (Fytyra) janë në gjendje gatishmërie për t’u përleshur me shqiptarët kosovarë, sepse Qeveria serbe i ka rrejtur gjatë tërë kësaj kohe se Kosova është Serbi

Çka mund të bëjë qytetari kosovar sot, kur papandehur një pushtet i papërgjegjshëm e ka sjellë në situatë jostabiliteti shoqëror, shtetëror, ekonomik, kulturor dhe identitar? Qytetari kosovar sot duhet të jetë një patriot kushtetues, të flasë, të debatojë hapur dhe të kërkojë përgjegjësi e llogaridhënie nga pushteti, ai me shqetësim duhet të thërrasë institucionet legale të shtetit që të veprojnë: Qeveria e Kosovës nuk e ka për detyrë që të dënojë aktet kriminale dhe terroriste, por që t’u kundërvihet atyre për të siguruar jetën dhe pronën e të gjithë shtetasve kosovarë, pa dallim etnik, politik, social etj.

Qeveria e Kosovës duhet të këndellet, sepse potenciali shpërthyes jo vetëm në veri të vendit, por në tërë rajonin, ka shënuar rritje drastike, prandaj Qeveria kosovare me urgjencë duhet t’i drejtohet selisë së NATO-s në Bruksel që të përmbushë mandatin e saj sipas Rezolutës 1244, të rikthejë kushtetutshmërinë në tërë tokën kosovare, e kjo nënkupton që KFOR-i duhet t’i shpartallojë barrikadat dhe të sigurojë një ambient të sigurt për lëvizje të lirë të qytetarëve.

NATO-ja, përmes misionit të KFOR-it, duhet që pas heqjes së barrikadave të nisë operacionin e demilitarizimit të pjesës veriore të Kosovës – çarmatimi i komandosëve të MUP-it serb – pra strukturave ilegale serbe të sigurisë dhe tek atëherë Brukseli zyrtar dhe shefja e diplomacisë, Kathrin Ashton, e marrin të drejtën morale t’i zmbrapsin kosovarët nga e drejta legjitime për t’u mbrojtur nga agresioni i jashtëm.

Qeveria kosovare duke u sjellë si organizatë joqeveritare mjaftohet me dënimin e dhunës në veri, ajo, kështu po e shkatërron kohezionin kombëtar.

Kohezioni mbahet duke dhënë shëmbëlltyrë të mbrojtjes së Kushtetutës dhe lirisë së vendit dhe qytetarëve të tij, jo duke rënë në gjunjë, ose duke thirrur qytetarët që “të mbrojnë pragun e shtëpisë.”

Kosova e ka njohur një herë e një kohë një gjendje të tillë të papushtet, një gjendje të padurueshme, kur qytetarët e pashpresë mes jetës së padenjë dhe vdekjes e zgjedhin këtë të dytën, për t’u dhënë fund vuajtjeve.

Pas deklaratës emotive të të parit të Mitrovicës një kanal televiziv shqiptar “inskenoi” diku në jug të qytetit tregimin e “mbrojtjes së pragut”, duke i shfaqur disa politikanë lokalë tek kërcëllijnë me armë. Derisa shtetit, që është bartës i ligjshëm i forcës dhe i së drejtës për mbrojtje, nuk po i del tamam asnjë matematikë.

I pari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, e hodhi pataten e nxehtë te shteti. Zëvendëskryeministri dhe ministër Drejtësie, Hajredin Kuçi, në KTV nuk e përjashtoi dërgimin e policisë speciale në veri për t’i kapur bandat kriminale dhe për ta rikthyer kushtetutshmërinë, por ai e tha këtë në mënyrën më jologjike, kur u shpreh se do të ketë një “25 korrik të dytë në veri”.

Qytetarët të shastisur vetëm mund të luten që të mos ndodh një dështim fatal, i dytë!?

Që nga shfaqja e shoqërive të para të organizuara, pragu i shtëpisë mbrohet në kufijtë e shtetit, nga përfaqësues kushtetues të popullit dhe me metoda kushtetuese shtetërore, e jo nga qytetarët, me gjithë situatën e pasigurt në të cilën ata ndodhen.

Duke qenë se metodat frikësuese dhe destabilizuese të shërbimeve sekrete të Republikës së Serbisë në pjesën veriore të Kosovës, pos që paraqesin agresion, ato metoda po marrin karakteristika të terrorizmit klasik, që kanë rezultuar me vrasje civilësh, shteti i Kosovës detyrohet të kthejë kundërgoditje.

Kuvendi i Kosovës si instanca më e lartë e vendit, duke qenë se është dominuar nga Ekzekutivi dhe po e luan rolin e një departamenti qeveritar për “menaxhimin e popullit”, nuk e pa të udhës që të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, për t’i informuar së paku qytetarët se çfarë të bëjnë.

Nuk u mblodh se s’ka çka thotë. Është si një thes me kashtë!

Për hir të gjendjes eksplozive në vend, nuk ishte fare e rëndësishme se cila parti kërkoi këtë seancë, por turri pas pushtetit dhe paranoja se mund ta humbë atë, e ka verbëruar partinë më të madhe në vend, PDK-në, e cila tashti, me tërë forcën përpiqet ta marrë primatin duke e thirrur mbledhjen e Kuvendit, për të thënë broçkulla të përsëritura që nga paslufta e këtej.

Në anën tjetër po rritet presioni i publikut dhe i aktorëve politikë në vend që presidentja e vendit në bashkërendim me kryeministrin, të shpallë gjendje të jashtëzakonshme, për t’u fokusuar në mbrojtjen e territorit. Këtë hap ajo duhet ta ndërmarrë duke u mbështetur në Kushtetutën e Kosovës, neni 131, pika 2 (ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues ose sigurisë publike; pika 7: presidenti i Republikës së Kosovës, pas konsultimit me Qeverinë dhe Kuvendin, mund të urdhërojë mobilizimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, për të ndihmuar në gjendjen e jashtëzakonshme); pika 8 (Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës, vetëm gjatë gjendjes së jashtëzakonshme ushtron funksione ekzekutive që kufizohen në funksionet që ndërlidhen në veçanti me gjendjen e jashtëzakonshme. Gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës do të drejtohet nga presidenti i Republikës së Kosovës, i cili urdhëron mobilizim të pjesshëm të forcave mbrojtëse policore-ushtarake për rikthimin e integritetit territorial si detyrim kushtetues, me mjete klasike shtetërore, duke aplikuar standardet më të larta në situata të tilla emergjente).

Tek pas rikthimit të integritetit territorial, Qeveria e Kosovës duhet që t’i nisë negociatat me qytetarët kosovarë serbët etnikë për zbatimin e Pakos Ahtisaari me përpikëri edhe në këtë pjesë të vendit dhe të shpallë amnisti të përgjithshme për rebelimin.

Serbët kosovarë janë nën “alarm” dhe të homogjenizuar si në kohën e Millosheviqit, prandaj dikush duhet t’i kthjellojë më në fund. Por ata janë sa të duash edhe viktima të qëndrimeve të paqarta dhe krejt konfuze të Brukselit që lëshon kumtesa tashmë bajate, për sa i përket kontekstit të shpërbërjes së ish-federatës jugosllave, për zgjidhje paqësore. Po të vlente parimi i zgjidhjeve paqësore për Serbinë, ajo nuk do t’i vriste qindra e mijëra njerëz që nga Sllovenia, përmes Kroacisë e Bosnjës e deri në Kosovë.

Serbia e njeh vetëm gjuhën e forcës, serbët e instrumentalizuar gjatë kohë rreth fashizmit, është e qartë se i binden vetëm shtetit policor.

Vetë ideja e shtetit serb buron në frikën nga milicia, si formë arkaike e shtetndërtimit, nga e cila Serbia nuk ka hequr dorë asnjëherë. Millosheviqi ua dha atë dhe serbë kosovarë e pranuan krahëhapur, me këngë e raki!

Prishtina duhet t’ua japë informatën që ata e dëshirojnë: Shteti policor ka kapitulluar në Kumanovë më 10 qershor 1999. Kosova nuk ka aspirata të tilla. Ajo duhet t’u japë qytetarëve liri dhe ligj. Kufijtë e shtetit mund të mbrohen, kushtetutshmëria mund të rivendoset pa terror dhe pa represion mbi qytetarët dhe këtë është koha ta dëshmojë shteti i ri.

Raportet rajonale deri këto kohët e fundit ishin heshturisht të qeta. Por kolaptimi i Greqisë po e nxjerr Ballkanin nga binarët e realpolitikës, kurse Maqedonia e bjerr kohën në inat që grekët ia mohojnë edhe emrin, duke iu vërsulur “fajtorëve kujdestarë”, shqiptarëve etnikë. Këto raporte mes fqinjëve ballkanikë ndonëse nuk ishin në kulmin e lavdisë, së paku pas Pavarësisë së Kosovës kishin ulur armët. Dhe kjo mjaftonte në Ballkanin egërshan e të paemancipuar politikisht.

Pra Pavarësia e Kosovës e ka qetësuar rajonin, ndonëse nuk i ka dërguar ende në histori idetë hegjemoniste dhe etnonacionaliste. Dhe për këtë Serbisë duhet dhënë ultimatum.

Larg duart nga Kosova. Ndërsa Maqedonisë po i del boll vetvetja e veshur me parzmore mesjetare. Ai shtet, me këso politikash është i dështuar. Kosova duhet të marrë nasihat nga këta fqinjë të këqij, që kurrë rehat s’janë bërë vetë as s’i kanë lënë të tjerët, që të jetojnë në mënyrë cilësore, e jo nëpër shpella.

Fqinjët e Kosovës po ulërijnë, jo historia!?

Kosovarët nuk d.m.th. se duhet t’u ngjajnë, të bëhen si ata. 

Komente (3)

Muharrem Krasniqi20.04.2012/19:41

Koment i mirĆ,por duhet tĆ dimĆ se nuk kemi arritĆ vet tĆ Ćlirohemi pa ndihmen e tĆ huajve.Ne nuk jemi vatanli aq sa duhet,e lamĆ rrugen mu nĆ mes! NjĆ fjalĆ e urtĆ thotĆ" I mjeri i ligu, po i fortĆ ĆshtĆ".Kjo fjali tregon mjaft dhe sdo koment!

sef dura20.04.2012/11:40

krejt kto sene pi dim po spo ekm qa me bo

LUANINew York19.04.2012/22:48

Kete moment kurre sdo kisha qene i sigurt qe lideret politik shteteror e partive politike shqiptare do te kene lexuar artikullin "gjendje e jashtzakonshme"qe si platform e baze do te sherbente per ndryshime a mendime te cfaredo vendimi te ligjeve qe kryekeput do ti mbronin eleven kombetare derisa cdo qytetar nga cdo rrethane e shikuar si nje lloj eshte shqiptar .Ne kete instance politika cfaredo politik konsiderohet e shuar apo politike e cofur. Ne pyetje mbetet vazhdimi i ekzistences sone kombetare. Cdo i vetedishem sot vitin 2012 duhet te kuptoj qe gjendemi ne "RILINDJEN KOMBETARE " te dyte te mbrojtjes se gjuhes kultures e traditave tona te lashta te trojeve te bashkuara.

1000  Karaktere
Prishtinė 15°CKryesisht me vranėsira
Tiranė 15°CMe vranėsira tė pjesshme
Shkup 22°CMe vranėsira tė pjesshme
Prishtinė16°C
Tiranė18°CRrebesh shiu
Shkup23°CRrebesh shiu