Është herët që Kosova ta ketë prioritet integrimin në BE
Augustin PalokajArtikujt tjerė
- Pamundësitë, kriter i zgjidhjeve në dialog
- BE-ja dhe rivaliteti serbo-kroat
- Papa Frana që do ta njohë Kosovën
- A na duhen çipa kundër korrupsionit dhe vjedhjes
- Për Kosovën nuk mjafton vetëm bashkëpunimi rajonal
- Turqia është e vetmja urë mes Lindjes dhe Perëndimit
- BE-ja vërtet nuk është fer ndaj kosovarëve rreth liberalizimit
- Paradoksi i nacionalizmit të Sali Berishës
- Pse BE-ja inkuadron edhe Nikoliqin në dialog me Kosovën
- Hashim Thaçi zgjohet në krahun e djathtë!
Kosova duhet të përfitojë nga prania e BE-së dhe asistenca financiare për të zhvilluar ekonominë, për të zbutur papunësinë, për të reformuar administratën dhe për të zhvilluar demokracinë. Këtë duhet ta bëjë duke marrë shembull nga demokracitë perëndimore dhe duke i përafruar ligjet me ato të BE-së. Por kur dihet se në një periudhë 15-vjeçare Kosova nuk do të mund të bëhet anëtare e plotë e BE-së, është humbje kohe, energjie dhe e mjeteve financiare që të thuhet tani se integrimi në BE është prioritet. Ka shumë prioritete më urgjente në Kosovë
Fjala prioritet vetvetiu nënkupton se nuk mund të kesh shumë prioritete. Ku ka shumë, atëherë ato nuk janë prioritete. Prioritetizimi nuk është një punë e lehtë, sepse secili e sheh fushën e vet të veprimit, interesin e tij personal apo grupor si prioritet. Por një shtet, një komb dhe një qeveri nuk mund të kenë shumë prioritete. Mund të kenë shumë plane veprimi, por jo shumë prioritete. Kosova si shtet i ri, ende i pakompletuar as në formën e ushtrimit të pushtetit në tërë territorin e vendit e as në arritjen e subjektivitetit ndërkombëtar, me papunësinë më të madhe në Evropë, duke qenë njëri ndër shtetet më të varfra në botë, me një korrupsion gjithëpërfshirës dhe dyshime për lidhje të politikës me krimin e organizuar, del vërtetë me shumë sfida, nga të cilat vështirë e ka të bëjë prioritetizimin e fushave ku duhet veprim urgjent.
Çfarëdo që të përmendësh si problem në Kosovë, imponohet si prioritet. Zvogëlimi i papunësisë imponohet si problemi kryesor, sepse dështimi për ta zbutur papunësinë mund të shkaktojë probleme edhe më serioze sociale. Për krijimin e vendeve të punës duhet pasur zhvillim ekonomikë dhe për këtë zhvillim është i domosdoshëm të sigurohet rritja e prodhimit vendës. Për tu rritur prodhimi vendës, duhet të ketë investime të huaja e ato vijnë vetëm nëse ka siguri dhe sundim të rendit e ligjit. Pra secilin prioritet të përmendim ai nxjerr si të domosdoshëm edhe prioritetet e tjera.
Kosova është sot shteti me buxhetin më të vogël në Evropë për kokë banori dhe në kohën kur edhe shtetet më të pasura evropiane zvogëlojnë shpenzimet për administratën publike, Qeveria e Kosovës shpenzon në mënyrë disproporcionale për vetveten. Për më pak se 1.8 milion banorë të Kosovës është krijuar një armatë e tërë e ministrave dhe e zëvendëskryeministrave (hiç më pakë se gjashtë), ndërsa me numrin e resorëve ministrorë Kosova ia tejkalon shumicës së vendeve të mëdha evropiane. Kështu partitë politike që janë pjesë e koalicionit qeverisës premtimet për krijimin e vendeve të reja të punës duket se e kanë përmbushur vetëm për të afërmit e tyre dhe për aktivistët partiakë, duke i punësuar në administratën publike. Për ta asnjë prioritet afatmesëm apo afatgjatë për shtetin e Kosovës nuk mund të jetë më i rëndësishëm sesa prioriteti i tyre i parë, mbetja në pushtet. Prandaj edhe veprimet e Qeverisë nuk janë të bazuara në ndonjë strategji afatgjate zhvillimore.
Nëse numërohen problemet më serioze që ka sot Kosova duket si anomali që të ketë aq shumë fokus në integrimet evropiane të Kosovës. Integrimi në BE gjithsesi duhet të jetë një qëllim strategjik madhor i Kosovës. Një synim i tillë nuk mund të ketë asnjë alternativë më të mirë. Nga një qëllim i tillë Kosova kurrë nuk do të duhej të hiqte dorë, as atëherë kur ndihet e diskriminuar nga Bashkimi Evropian. Por a mund të thuhet se integrimi në BE është prioriteti kryesor i Kosovës. Jo nëse është për të gjykuar në bazë të kuptimit të fjalës prioritet dhe në bazë të parashikimeve kohore se sa mund të zgjasë realizimi i një prioriteti të tillë.
Kosova duhet të përfitojë nga prania e BE-së dhe nga asistenca financiare për të zhvilluar ekonominë, për të zbutur papunësinë, për të reformuar administratën dhe për të zhvilluar demokracinë. Këtë duhet ta bëjë duke marrë shembull nga demokracitë perëndimore dhe duke i përafruar ligjet me ato të BE-së. Por kur dihet se në një periudhë 15-vjeçare Kosova nuk do të mund të bëhet anëtare e plotë e BE-së, është humbje kohe, energjie dhe e mjeteve financiare që të thuhet tani se integrimi në BE është prioritet. Ka shumë prioritete më urgjente në Kosovë.
Qëllimi strategjik i Kosovës për integrim në BE mund të ndihmojë në përballjen me prioritetet tjera. Në anën tjetër përballja me sfidat tjera do ta ndihmojë Kosovën që sadopak ta përshpejtojë rrugën edhe ashtu të gjatë të integrimit eventual një ditë në BE.
Përafrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian e ndihmon më shumë zbutja e papunësisë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dënimi i mashtrimeve në zgjedhje, funksionimi i pavarur i gjyqësorit, respektimi i lirisë së shtypit, zbatimi i ligjeve sesa krijimi i këshillave kombëtare për integrime në BE apo kompromiset politike me Serbinë në dëm të shtetësisë së Kosovës. Më së paku suksesi drejt BE-së varet nga puna e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, edhe pse ajo ministri, nëse tashmë ekziston si e tillë për të dëshmuar synimin politik të Kosovës, mund të koordinojë punën e ministrive tjera në mënyrë që, e dhe kur jemi jashtë BE-së, të fillojmë tu përshtatem standardeve evropiane. Ky është një mësim që është nxjerrë edhe nga shtetet të cilat para Kosovës e kanë nisur këtë rrugë të gjatë dhe sot janë në fund të kësaj rruge dhe në prag të hyrjes në BE siç është rasti me Kroacinë.
Në anën tjetër para se të nisë çfarëdo rruge formale në procesin e asociimit e më vonë ndoshta edhe të integrimit në BE, Kosova duhet ta rrumbullakojë shtetësinë e saj. Duhet të sigurojë ushtrim të pushtetit në tërë territorin e saj dhe duhet të jetë e njohur nga secili shtet që para Kosovës do të jetë anëtar i Bashkimit Evropian (sot janë 27, ndërsa kur Kosova të bëhet kandidat numri mund të jetë edhe më i madh). Pa u përmbushur ky parakusht formal Kosova nuk mund të nisë rrugën e integrimit në BE, ndërsa të gjitha premtimet politike që vijnë për shkak të qëllimeve momentale nuk janë serioze e as të sinqerta. Pra për Kosovën sigurimi i më shumë njohjeve, sidomos nga 5 shtetet e BE-së, është prioritet më urgjent sesa disa ide që i shiten Kosovës kinse si hapa të integrimit në BE, siç janë dialogët e ndryshëm me Beogradin apo BE-në.
Prioriteti i integrimit në BE shpesh me mjeshtëri po përdoret në Kosovë nga udhëheqësit politikë për të devijuar debatin nga problemet më urgjente të cilat i ka Kosova. Kur dëgjohen deklaratat e udhëheqësve të Kosovës për integrime në BE fitohet përshtypja se nëse jo brenda një viti, atëherë së paku pas 2 vjetësh Kosova do të bëhet anëtare e BE-së. Për integrim në BE si prioritet sot flitet më shumë në Kosovë, e cila nuk ka bërë as hapin e parë në këtë rrugë sesa në Kroaci, e cila pas një viti do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Por ata të cilët flasin aq shumë për këtë prioritet me veprimet e tyre bëjnë të kundërtën dhe e largojnë Kosovën edhe më shumë nga BE-ja. Afrimi me BE-në nuk mund të arrihet me kurrfarë deklarimesh për integrime evropiane në një vend ku manipulohen zgjedhjet, ku Parlamenti nuk respektohet nga ana e Qeverisë, ku lidhjet familjare janë kualifikimi më i duhur për të zënë ndonjë vend pune apo për të fituar ndonjë tender. Fakti se jemi aq larg BE-së, në aspektin kohore dhe përmbajtjesor, megjithatë nuk duhet ti dekurajojë kosovarët, sepse edhe nëse tash nuk mund të jetë prioritet ecja drejt integrimit në BE është rruga më e mirë për Kosovën. Për këtë nuk duhet të bëhet zhurmë, por duhet të punohet.


Fatmir21.03.2012/13:15
Te lumte z. Palokaj, po cka me ba qe "udheheqesit" tane mjerisht i kane perzi prioritetet apo thene shkurt ju ka hup udha ne oborr sepse i ka mpire pasuria e krijuar mbrenda dite ... tash po kujtojn qe krejt kosova e ka rregullu jeten si ata si thone i ngiti te untit sja beson, andaj su ka mbet tjeter vec ta qesin prioritet evropen.

Arti20.03.2012/21:42
ZPaloka jeni i pari qe po e thoni nje te vertete e cila eshte dashte te kuptohet qysh moti prej ketyre demagogeve se BE ne e perdorin vetem per demagogji e pazarlleqe ne dem te Kosoves.Bravo.

lexuesi20.03.2012/20:55
shume me vend i spjegon te gjitha por kto po hasin ne vesh te shurdher per fat te keq









sl21.03.2012/14:09
z palokaj ju lumte,por mjerishte ne populli kemi ra ne gjume e kursesi spo zgjohemi,se me keta "qeveritare"ne do te arrijme vetem ne humnere siq edhe jemi sepse keta hora vetem per paran e popullit mendojne por me habit fakti qe populli i ka ngritur duarte dhe eshte dorezuar,deri kure nuk e di,se me keta evopen do ta shofim vetem ne harte