Dialog ndryshe apo në stilin e vjetër

Artikujt tjerė
- A jemi ne me ne?
- 23 qershori: Heroik apo erotik?
- Rrugëtimi nëpër mjegull i shqiptarëve në Malësi
- Normalitet apo ekstremizëm paszgjedhor në Shqipëri
- Pse të paguajmë më shumë?
- Problemi me GDP-në e shteteve të varfra
- Funksioni? Analfabet me diplomë!
- Vizioni dhe fantazia
- Rruga e Arbrit duhet të përfundohet
- Jeta kundrejt përfitimeve
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, ndryshe e shohin takimin e tyre dhe dialogun e filluar, apo të vazhduar. Në këtë aspekt nuk pritet ndonjë ndryshim krahasuar me dialogun e deritashëm teknik. Edhe në këtë të nisur me takimin historik, të premten, në Bruksel, duhet me kujdes të përcjellim atë që thuhet në publik dhe atë që bëhet në takime, çfarë është e çfarë nuk është temë e dialogut. Që në fillim, kryeministri i Kosovës me deklaratën e tij se në asnjë mënyrë nuk do të diskutohet rregullimi i brendshëm i Kosovës dhe se nuk do të ketë në asnjë rrethanë as status të veçantë e as autonomi për veriun, ka dhënë fjalë të cilat do tia rikujtojnë çdo moment në të ardhmen.
Të premten, në Bruksel, për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, kanë shtrënguar duart kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq. As këtë konstatim nuk mund ta themi me plot bindje sepse nuk jemi tërësisht të sigurt. Gjasat që kjo të ketë ndodhur janë 2:1. Se ka pasur shtrëngim joformal duarsh kanë thënë disa burime të BE-së dhe ka pranuar edhe Hashim Thaçi. Se nuk ka pasur ka thënë Ivica Daçiq. Për të mos e nxjerrë Daçiqin si gënjeshtarë, BE-ja nuk do ti bëjë kurrë publike fotografitë e ndonjë shtrëngimi të duarve, edhe nëse ato ekzistojnë. Kjo dilemë se a ka pasur apo jo shtrëngim duarsh në një mënyrë ilustron tërë takimin e zhvilluar të premten në njërën prej tri zyrave të Baroneshës Catherin Ashton (ajo ka një zyrë në Komisionin Evropian si zëvendëspresidente e Komisionit, në Ndërtesën e Këshillit dhe një në ndërtesën e re të shërbimit të jashtëm të BE-së) dhe na paralajmëron se çfarë do të jetë dialogu në të ardhmen dhe çfarë nuk do të jetë. Nëse si barrë merret ky takim i parë atëherë mund të thuhet se dialogu nuk do të jetë aspak transparent siç premton kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, për opinionin e Kosovës dhe Ivica Daçiq, në anën tjetër, për opinionin e Serbisë. Për transparencën e Baroneshës Ashton dhe Shërbimit të Jashtëm të BE-së në këtë rast nuk do të humbnin shumë fjalë, sepse ata duket vazhdojnë të mendojnë se sa më larg opinionit, sa më sekrete të jenë takimet, edhe gjasat për kompromis do të jenë më të mëdha. Pra, për Baroneshën Ashton mungesa e transparencës do të konsiderohet si përparësi dhe si mjet që do të ndihmojë arritjen e rezultateve.
Baronesha Ashton, të premten, e lëshoi një komunikatë të shkurtër për shtyp. Në të tha se si është takuar ndarazi me kryeministrat pa e përmendur emrin e shteteve ku Daçiq dhe Thaçi janë kryeministra dhe se pas kësaj u takuan së bashku ajo me dy kryeministrat. Ajo nuk dha asnjë detaj rreth asaj që është diskutuar, por vetë komunikata ishte lëshuar lidhur me dialogun e lehtësuar nga BE-ja, prapë pa e përmendur se në mes të kujt po zhvillohet ai dialog.
Kjo deklaratë na kthen prapa tek ai i mëparshmi. BE-ja nuk e quan dialog mes Kosovës dhe Serbisë. Po ta quante ashtu, atëherë do të hapte disa çështje të ndjeshme, jo vetëm simbolike, por edhe politike dhe juridike. Nëse përmendet Kosova, atëherë ajo duhet të shkruhet me fusnotë. Në atë rast Kosova nuk do të ishte e barabartë, sepse në emrin e Serbisë nuk do të kishte fusnotë. Kështu Serbisë i mbetet mundësia të thotë se ajo është si shtet ndërsa Kosova jo. Për fat, në këtë komunikatë nuk flitet as për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, sepse nuk ishte aty kryetari i Komunës, Isa Mustafa, por kryeministri Hashim Thaçi. I vetmi vend ku përmenden Kosova dhe Serbia ishte nga fundi i komunikatës ku, duke përmendur qëllimet e dialogut siç janë përmirësimi i jetës së njerëzve dhe lehtësimi i zgjidhjes së problemeve thuhej se duke bërë këtë edhe për të afruar Serbinë e Kosovën me BE-në.
Pra, është e qartë se në këtë aspekt Beogradi ka siguruar që, sikur edhe më parë, lehtësuesi, në këtë rast Catherine Ashton në emër të BE-së, të jetë neutrale ndaj statusit të Kosovës. Në rrethana të tilla nuk mund të pritet ndonjë ndryshim në qëndrimin e BE-së ndaj statusit të Kosovës, sepse është pikërisht Zyra e Baroneshës Ashton ajo e cila me vite u ka dërguar porosi shteteve, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës se duke mos e njohur Kosovën janë duke i kontribuar dukshëm politikës së BE-së në rajon dhe madje duke e shpëtuar atë. Në kohën kur dialogun në emër të BE-së e lehtësonte tashmë i pensionuari Robert Cooper kjo na shpjegohej me fjalët se mund tu themi shqiptarëve se 22 vende e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe se nuk ka kthim prapa, ndërsa mund tu themi serbëve se BE-ja nuk e njeh Kosovën sepse kemi 5 shtete të cilat nuk e kanë njohur e në BE vendoset me unanimitet. Kjo e bën BE-në si lehtësuesin më të mirë të mundshëm, thuhej atëherë. E në këtë stil duket se do të vazhdohet, sepse BE-ja nuk do të bëjë ndonjë hap i cili mund të shfrytëzohej nga Serbia që të tërhiqej nga dialogu.
BE-ja nuk do të deklarohet as rreth qëndrimeve, së paku të deklaruara publikisht, të qeverive të Serbisë dhe asaj të Kosovës se secila do ta respektoj Kushtetutën e saj. Cooper një herë pati thënë edhe publikisht në një intervistë për një gazetë serbe se gjatë dialogut do të respektohet Kushtetuta e Serbisë e cila e konsideron Kosovën si pjesë të Serbisë dhe kjo thënë asnjëherë nuk ishte përgënjeshtruar nga askush në BE. E të gjithë e dinë se nuk mund të respektohen të dy kushtetutat, nëse për të njëjtin territor thonë gjërat e ndryshme. Kosova nuk mund të jetë edhe pjesë e Serbisë, edhe e pavarur. Nga dialogu i mëparshëm ishte Kosova ajo që hoqi dorë nga përdorimi i emrit të saj Kushtetues Republika e Kosovës për pjesëmarrje në nismat rajonale dhe prej atëherë Kosovo* përdoret edhe në dokumentet e BE-së sa për të demantuar dhe formalisht çfarëdo tentimi të zyrtarëve kosovarë apo atyre ndërkombëtarë se Kosova po trajtohet si e barabartë me të gjitha shtetet e rajonit. Kjo rezultoi edhe me ofertat për raporte me BE-në sipas shembujve dhe praktikave me entitetet të cilat nuk janë shtete sovrane me të cilat BE-ja ka disa lloj marrëveshjeje.
E tash tu kthehemi qëndrimeve të Serbisë dhe atyre të Kosovës. Kryeministri i Kosovës ka thënë se do të respektojë Kushtetutën e Kosovës, do të jetë tërësisht transparent ndaj institucioneve të Kosovës, Parlamentit dhe subjekteve politike. Ai atyre nuk u ka treguar të enjten se pasdite do të nisej për takim me kryeministrin e Serbisë. Tash ka rastin që menjëherë tu raportojë se çfarë ka biseduar të premten në Bruksel, nëse dëshiron që në fillim të dëshmojë se sinqerisht do të jetë transparent gjatë tërë procesit.
Kryeministri i Kosovës ka thënë se nuk do të bisedohet për rregullimin e brendshëm të Kosovës, dhe këtë i pyetur a do të bisedohet për situatën në veri të Kosovës. Të njëjtën ditë ka thënë se dialogu do të sigurojë shuarjen e strukturave paralele në veri, me çka në mënyrë indirekte ka pranuar se do të bisedohet për veriun. E sa për ato struktura paralele të cilat vetë BE-ja i quan në dokumente si struktura të Serbisë e që këshilltari i presidentes së Kosovës i quan përfaqësues legjitimë të qytetarëve ato, sipas paralajmërimeve të zëvendëskryeministres së Kosovës, Edita Tahiri, deri vonë e dërguara e posaçme e kryeministrit Thaçi për dialog, është dashur të ishin shuar qysh në vjeshtën e vitit të kaluar.
Kryeministri i Serbisë po ashtu nuk ka folur shumë për përmbajtjen e takimit. Ai më shumë ka folur se sa në mënyrë të zgjuar i ka thënë Thaçit se Kosova është e tij sa edhe e Thaçit. Është lavdëruar se e ka po ashtu flamurin e Serbisë në xhaketë më të madh sesa flamurin e Kosovës që e kishte Thaçi. Është lavdëruar se ka luftuar kundër Thaçit kur ka qenë nevoja. Këtu ka përmendur në serbishte fjalën ratovao që nuk është dykuptimëshe si borio sepse ratovao nënkupton pjesëmarrje në konflikt të armatosur e borio e cila mund të ketë edhe kuptimin e kam luftuar me mjete të tjera, por jo doemos pjesëmarrje në luftë. Me këtë Daçiq do të duhej tu ketë ndihmuar atyre që orvaten ta minimizojnë rolin e tij si bashkëpunëtor i Millosheviqit në kohën kur në Kosovë janë kryer krimet më të mëdha nga forcat serbe. Thaçi dhe Daçiq kanë thënë se tash shikojnë interesin e shteteve të tyre. Por këtu pala kosovare është në një pozitë më të vështirë, sepse emri i kryeministrit të tyre është përmendur në raportin famëkeq të Dick Martit për tregti organesh dhe për të bëjnë hetime ekipet e EULEX-it të cilat janë nën autoritetin e Baroneshës Ashton, e cila është lehtësuese e dialogut. Kjo nuk e vë në pozitë të qetë as në dialog kryeministrin e Kosovës dhe tërë këtë situatë e rëndon edhe më shumë fakti se, sipas vetë zyrtarëve të afërt me hetimet, ato hetime nuk do të përfundojnë së paku edhe dy vjet.
Kryeministri i Serbisë, edhe pse vetë pranon se ka qenë pjesë e luftës në Kosovë, nuk është nën hetime. Për dallim nga Thaçi, Daçiqi ka thënë se do të diskutohet edhe për veriun, edhe për statusin e Kosovës. Ai ka thënë se në asnjë mënyrë nuk do të marrë pjesë në diçka që do të shërbejë për të njohur Kosovën si shtet, se do të respektojë Kushtetutën e Serbisë dhe se do të punojë në bazë të një platforme të cilën do ta dakordojnë të gjitha subjektet politike në Serbi.
Që në fillim është e qartë se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq ndryshe e shohin takimin e tyre dhe dialogun e filluar, apo të vazhduar. Në këtë aspekt nuk pritet ndonjë ndryshim krahasuar me dialogun e deritashëm teknik. Edhe në këtë të nisur me takimin histotrik të premten në Bruksel duhet me kujdes të përcjellim atë që thuhet në publik dhe atë që bëhet në takime, çfarë është e çfarë nuk është temë e dialogut. Që në fillim kryeministri i Kosovës me deklaratën e tij se në asnjë mënyrë nuk do të diskutohet rregullimi i brendshëm i Kosovës dhe se nuk do të ketë në asnjë rrethanë as status të veçantë e as autonomi për veriun, ka dhënë fjalë të cilat do tia përkujtojnë çdo moment në të ardhmen. Kësaj radhe zotimet se nuk do të bisedohet për veriun, se nuk do të ketë as status të veçantë e as autonomi në veri, kryeministrin Thaçi e bëjnë shumë më përgjegjës sesa premtimet paushall dhe bosh për heqje të shpejtë të vizave (kanë mbetur edhe dy muaj e gjysmë deri në fund të vitit 2012!) apo përshpejtim të integrimit të Kosovës në BE. Për të ardhmen e Kosovës çështja e integritetit territorial dhe ushtrimit të pushtetit në tërë territorin e vendit është më e rëndësishme sesa çështja e vizave apo e disa marrëveshjeve për bashkëpunim kulturoro-shkencor me Bashkimin Evropian.
Duke marrë parasysh se dialogu tash është ngritur në një nivel më të lartë politik ka mundësi që ai të jetë ndryshe. Por në bazë të takimit të parë nuk shihen shumë ndryshime në qasje nga asnjëra palë. Mund të ndodhë që në fund dialogu të mos prodhojë për askënd rezultatin e pritur, por të blejë kohë dhe të vërë në hije proceset e brendshme në Kosovë dhe Serbi.
Augustin Palokaj


jetoni24.10.2012/10:18
Augustin e paske zgjat shume kesaj here por e lexova me shum vemendje dhe kujdes. Eshte e qarte se Kosova nuk fiton asgje nga ky dialog por Thaci mbahet ne pushtet. Ashton ka derguar ekip ta hetoj Thacin per trafikim organesh, Daqiqi si Minister i brendshem i Serbis e ka shti Thacin ne listen e Interpolit e tash ata bajn dialog me Thacin. Thaci ketu ska faj sepse eshte i shantazhum dhe pranon gjithcka. Fajin e ka Kosova qe lejon ta perfaqedoj ne dialog nje person aq i shantazhum. Edhe pse nuk ka kurfar legjitimiteti ma mir do te ishte te na prezantoj Presidentja Jahjaga.

enveri23.10.2012/21:34
Duhet pas kujdes!
Lojtar i lojes eshte po ai lojtar qe per lojen e "flliqt" nga Bashkesia Nderkombetare shume her ka marre "kartona te kuq". Ketu nuk pritet loje e paster. Ne kete ndeshje pse nuk pritet loje e paster fajtore jo te sinqertejane edhe "gjygjtaret" BEpse nga tereni kane nxejrre lojtaret me pak te "flliqt" ti quajm demokratet e Serbise, BE keta i ruan per nje periudhe tjeter dhe per ta ruajtur Serbin ose thene shkurt nese lojtaret e flliqt nuk fitojne lojen prishin lojen nuk u a zen kush per te madhe te flliqt se te flliqt BE nxjerret me ate se ja keta jane lojtaret e vertet demokratet e Serbis. Loja nuk ka filluar paster edhe une jame banor I Kosves deklarate e kapitenit te ekipit te flliqt, por edhe kujdesiserioziteti jo I mjafueshem i kapitenit ekipit te Kosoves sidomos me kthim te provokimit si dhe me deklaraten takim historik. Kujdes ekipi kundershtar ska cka te humbe ekipi Yne PO.







O ha Jo,jooo!24.10.2012/10:25
Ju ngjatjeta lexues te nderuar.!Kemi mbetur duke humbur kohe her me njerin minister militarist te Serbise,her me minsitrin tone .Asnjeri nga keta ministra nuk jane urate per Ne veq varrmihsit me te medhaj te popullates se gjore Kosovare.Zoteri Augustin Palokaj ,jeni njeri i madh,prej se u njoh,keni qene i paperseritshem.Me lajmet tuaja jemi qetesuar mbase nje çike ,sepse ,te tjeret na varrosen per se gjalli.Lajme te sakta dhe edukuese ,nervaqetesuese kemi arritur nga ju Zoteri Paloka.Me vjen keq mbase nga ana e juaj sepse mbaruat duke edukuar njerez dhe duke i kenaqur me lajme te verteta,por Per fjale te nderit shqiptaret nje pjese jo te gjithe nuk kane koke per pergdhelje.Me vjen keq edhe prej atyre qe kane rene ne flake te luftes,sepse Lirine po e keqperdorin.