ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubiko *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 190 *** 22:20    Cosmo *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Në rënie të lirë

Publikuar: 20.10.2012 - 16:56

Rrethimi institucional nga forcat speciale policore ishte akti i fundit i një blasfemie ndaj demokracisë, patriotizmit e lirisë së të bërit. Falë Zotit që kemi kaq shumë sy ndërkombëtarë këtu, se me mendje si këto Koreja Veriore do të na dukej parajsë

Kur Felix Baumgartner po bënte rënien e tij të lirë nga stratosfera për një rekord të ri prej 4 minutave e 19 sekondave, dikush diku tha se rekordi megjithatë mbahet nga Kosova; rënie e lirë për plot 13 vjet. E trishtë se si një tallje e tillë megjithatë ka kuptim në tërësi; edhe më e trishtë se si ne mbesim spektatorë derisa gjithçka gjithkund na zhbëhet mu para syve. E sa më shumë provoj të bind veten se kjo rënie tanimë ka prekur fundin e se nuk ka ku të shkojë më rëndë,  më keq e më mbrapshtë, del një forcë tjetër gravituese që na zhyt edhe më rëndë, edhe më keq, edhe më mbrapshtë. Na del diçka si një shtet policor, një plaçkitje privatizuese apo edhe një rezolutë e pakuptimtë dialoguese që bëjnë konsternacionin e evoluimit të një shoqërie në tërësi. Është një shoqëri e tërë që bie lirshëm e më lirshëm, keq e më keq, mbrapshtë e më mbrapshtë. Ajo bie mu para syve tanë e mu nga duart e soditësve që megjithatë ngrenë dolli me plot arrogancë e indiferencë.

Në këtë indiferencë e arrogancë të tyre njeriu kupton dhe sjelljen që ata tregojnë përballë problemeve më madhore të vendit; aq shumë indiferencë e arrogancë saqë në një pikë na del një ministër, i cili si para derës së shtëpisë jep urdhër për t’i larguar (për një minutë) mysafirët e paftuar; veçse dallimi është se shtëpia nuk është e ministrit e mysafirët e paftuar janë në të vërtetë deputetët e vendit, pra të zotët e shtëpisë. Largimin e deputetëve ministri e gjykoi si parandalim të veprave të tyre potenciale; pra ministri na bëhet nostradamus, di e parasheh çfarë do të ndodhë dhe për këtë vendos për dhunë. Ministri na bëhet edhe mbret, mbi-interpreton të drejtën e garantuar me ligj për qasje të lirë të deputetëve. E përfundon duke u bërë dhe diktator i vocërr kur në foltore kërcënon deputetë, kryekuvendarë e madje edhe presidentë se do t’i arrestojë që të gjithë për t’i mbrojtur institucionet. Pra, thënë shkurt, ministri i Policisë, me forcën policore, kërcënon me arrestimin e të gjitha institucioneve për të mbrojtur institucionet. Ka një shpjegim racional në një thënie irracionale si kjo, e ky shpjegim thotë se ministri i Policisë institucion sheh vetëm shefin e gjithçka rreth tij, e se rrjedhimisht çdo institucion tjetër që nuk është në krah e vijë të shefit për të është subjekt i arrestit e burgosjes; madje me një forcë më të madhe sesa keqinterpretuesit e urdhrit të tij kishin treguar. Ka një term për një mendësi të tillë, i thonë shtet policor.

Çfarë ministri irracionalisht kërkon është rrahja e deputetëve, ndalimi i lëvizjes së tyre, moslejimi i mendimit të lirë në Parlament e përfundimisht mbyllja e Parlamentit; diçka shumë e freskët për kosovarët. E për të mos mjaftuar kjo, ai vendosi dhe për futjen e forcave speciale policore brenda godinës së Kuvendit. Rrethimi institucional nga forcat speciale policore ishte akti i fundit i një blasfemie ndaj demokracisë, patriotizmit, e lirisë së të bërit. Nuk di çfarë potence ministri ka dashur të tregonte vetë i dyzeti në Parlament, nuk kuptoj se si në një vend demokratik forcat speciale policore arrijnë të futen dhunshëm në një tempull a-policor, e nuk dua as të paramendoj se çfarë imazhi antidemokratik e paradiktatorial japim me veprime si këto. Madje ndërhyrjet policore në Parlament njeriu i gjen vetëm në Bjellorusi e Rusi, Venezuelë e Amerikë Jugore (gjatë aparteidit).  Do të ishte skenë e filmave apokaliptikë sikur një ditë SWAT-i amerikan të qëndronte në Senat a Kongres për të mbrojtur institucionet nga senatorët apo kongresistët. Interesant se si kritikuesit gjoja antidiktatorialë na dalin me mish e me shpirt si imitues të lodhur paradiktatorialë. Falë Zotit që kemi kaq shumë sy ndërkombëtarë këtu, se me mendje si këto Koreja Veriore do të na dukej parajsë.

Kuvendi ishte me fat megjithatë që pati një kryeparlamentar që mendonte ndryshe nga ministri, në të kundërtën seanca e djeshme do të mbahej nën tingujt e prangave e nën tiktaket e çizmeve policore. Madje kryeparlamentari krahasoi rrethimin parlamentar me përvojën e viteve ’90, e për çdokënd me pak respekt e dinjitet, një kritikë kaq e fuqishme e kaq serioze për nivelin e burimit do të prodhonte pasoja. Sikur ky stil qeverisës të kishte një fije marre e një fije respekti për qytetarët e vet, për Kuvendin e vet, për deputetët e vet, një ministër i tillë do të merrte plaçkat në mbrëmje. Nuk dua të kërkoj përgjegjësi morale e dorëheqje; kjo është luks për një vend në rënie të lirë.

Thënë të drejtën, zanafilla e shtetit policor nuk është vetëm në një rrethim që të paktën shihet. Shteti thënë shkurt është kaherë i rrethuar e zaptuar. Tjetër është që ne pranojmë tregtimin e dinjitetit me komfort e se në këtë komfort na zhvlerësohet jo vetëm demokracia por dhe pasuria shtetërore e dinjiteti individual. Kështu na u zhvlerësua e shkoi edhe Distribucioni i Kosovës në një vendim që nuk zhbëhet më. Paramendojeni, 290.000,00 euro qarkullim vjetor, 180.000,000 investime nga taksapaguesit kosovarë, 450.000 konsumatorë të përjetshëm, 21.000 km tel përçues, 7.000 trafo të tensionit të ulët, 37 objekte afariste, 33 trafo të tensionit të lartë, 22 hektarë tokë, 1 treg i përjetshëm e 0 konkurrencë u dhanë për veç 26.3 milionë euro. Deri më sot procesin në fjalë e kam llogaritur si falje të asetit, nga sot dua ta korrigjoj veten; ky nuk është privatizim, as shitje, as falje, është thjesht plaçkitje.

Natyrisht që ka të tillë që të puthitur në njërën apo formën tjetër me diçka si ‘Targa Z’, xhama të zinj, kostume gri e fellne 17-she, e shohin një tregti të tillë, si sukses historik të vendit, madje po i dëgjove gjatë shumë dikur dhe fiton simpati e dhembshuri për privatizuesit që disi i paskemi mashtruar, por për çdo kosovar tjetër një degradim kaq i hapur i pasurisë së vendit është mosrespekt ndaj durimit të tyre.

Se ky stil nuk tregon respekt jo vetëm ndaj të gjallëve po as ndaj të vdekurve, të zhdukurve, të dhunuarve, të djegurve e të përndjekurve, tregon dhe miratimi i rezolutës së fundit për normalizim të marrëdhënieve me një vend që jo se ka relacion anormal ndaj teje, por tregon në vazhdimësi pretendime të sëmura të shfarosjes, nënshtrimit e mohimit të akteve gjenocidale mbi ty pak vjet më parë. Po të kishim pak respekt ndaj vetes e të tanëve, asnjë relacion normalizues pa (të paktën) kërkimfalje nuk do të ndodhte. Siç e bëjmë ne, jo që Serbia nuk na kërkon falje, por kërkesën për afrim e bëjmë ne, thuajse ua kemi borxh. E kur nuk respektojmë veten e të kaluarën tonë me çfarë sensi presim respektin nga dikush që të mirë të sheh vetëm si të vdekur?

Në fund fare, nuk mbaj mend që vendi të jetë katandisur kaq rëndë për një kohë të gjatë. Ka diçka që nuk shkon dot në gjithë këtë sjellje politike e shoqërore, ka diçka që na ngufat. Ka një tension e një amulli për fatin politik e ekonomik të vendit, kulmimi i të cilave prodhon plot pasiguri. Në këtë pasiguri ne do të vazhdojmë me sjellje të çorientuara, e përderisa mbesim në rënie të lirë, edhe me vendime e ecje të çorientuara. E sigurt përveç rënies megjithatë është vetëm vazhdimi i avazit destruktiv, i cili nuk ka se si të mos shpërthejë dikur.

(Autori është kolumnist i rregullt i “Kohës Ditore”)

Komente (5)

arben berisha29.10.2012/14:28

Te lumt z.Lumir, kjo qe thu ati eshte me vend per ate qe jane ne rruge te Zoti e qe ja duan te miren keti vend, e qe eshte katandisur keq nuk ka diskutim, sidomos mbas luftes, ate qe luftin u ben lypes e ate qe ne kon e lufets bashkpunun me pushtetin serb tash u ben komnandanta, patriot sa e pasnikat me te medhej, por ata din me ju pershat kushdo qe vjne ne kete ven e ndrroj lekur si do gjallesa.

Cen Kryeziu24.10.2012/14:03

Nuk po e mbajke mend z. Abdixhiku "qe vendi te jete katandisur kaq keq...." Sinqerisht, sa vjet i ke ti dhe ç'ka mund te mbash mend?

banulla lypjan21.10.2012/12:54

ska pas faj bajram regjepi qe ika qu policin se u frigu prej jakupit qe pe shpall verin e dardanis te ribashkuar me shqiptarin

hajdari20.10.2012/21:29

o popull i njer flej flej se miri i ke punƫt

bes20.10.2012/18:24

Po me vjen me qajt per ket vjedhje qe ju be Kosoves me distribucionin.Fajin kryesor e kan delegatet e AAK qe nuk votuan kunder privatizimit.O popull zgjohu nga gjumi se jan duke ndodhur gjana qe kan me lan pasoja per te ardhmen e ketij vendi.

1000  Karaktere
Prishtinė 17°CKryesisht me vranėsira
Tiranė 17°CRrebesh shiu
Shkup 20°CKryesisht me vranėsira
Prishtinė21°C
Tiranė22°CRrebesh shiu
Shkup26°CMe diell