ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubiko *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 189 *** 22:20    Dokumentar: E Përkryera te Plastika - epis 5 *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Adresa e agonisë

Publikuar: 26.09.2012 - 19:11

Pasi e ka ndërtuar piramidën e korrupsionit dhe ka instaluar një sistem të nepotizmit dhe të papërgjegjësisë institucionale, kryeministri Hashim Thaçi tani po kërkon një shtegdalje: pensionimin politik në postin e presidentit të Kosovës. Një zhvillim i tillë do të ishte vetëm vazhdim i agonisë së Kosovës

Kur filloi ky vit Hashim Thaçi e pa të nevojshme të thotë diçka. Të bëjë disa premtime, sepse ashtu e do rendi ndër shqiptarët. Miletit edhe dimrit duhen hedhur disa dardha, qofshin ato edhe të kalbura. Kështu kryeministri më 5 janar paralajmëroi solemnisht se viti 2012 do të jetë as më pak, as më shumë se “vit i sukseseve historike”. Prioritet, natyrisht, do të mbetej “lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, pastaj implementimi i “agjendës evropiane”, “rritja e zhvillimit dhe e mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosovës”. Në këtë frymë të entuziazmit të shpifur, që të kujton planet pesëvjeçare të shokut Enver Hoxha, edhe një anëtare e kabinetit qeverisës e pa të udhës që më 18 janar të thotë se “deri në fund të vitit 2012 Kosova do të arrijë të heqë vizat për qytetarët e saj”. Fjalën e kishte për heqjen e vizave të Schengenit!Që nga atëherë janë dëgjuar qindra premtime të tjera, të cilat, me sa duket, kanë vetëm një qëllim: zhvendosjen e vëmendjes së opinionit nga dështimet dhe keqpërdorimet kolosale. Dështimet janë të Kosovës, ndërsa fitimi në kuptimin personal ka përfunduar në xhepat e rrjetit sundues. Për çka flitet në shtator të këtij viti, nëntë muaj pas premtimeve të janarit të Hashim Thaçit? Flitet për aferën e “Grandit”, ku është i involvuar direkt zëvendësi i tij i parë, të cilin përpiqen ta mbrojnë disa tyxharë të gazetarisë. Flitet për një figurant kafehanesh, i cili deri së fundi mbante postin e zëvendësministrit të financave, pra – sipas ligjit – ai ishte njëri ndër përgjegjësit kyç për menaxhimin e buxhetit të Kosovës që sillet rreth 1,5 miliardë euro. T’ia lësh buxhetin një personi si Astrit Haraqija është sikur ta thërrasësh piromanin për të fikur zjarrin që ka kapluar shtëpinë. Flitet edhe për plot kryetarë komunash nga radhët e partisë së Thaçit, të cilët rrotullojnë miliona euro si rrjedhojë e plaçkitjes së pasurisë publike. Është gati e vetëkuptueshme që në këtë moçal notojnë edhe eksponentë të opozitës. Drejtësia do të duhej të tregohej e pakompromis edhe në luftimin e tyre.

Por duke i shikuar lisat nuk duhet ta injorojmë malin. Burimi i së keqes në këtë vend e ka një adresë: ajo është zyra e kryeministrit, i cili brenda dy mandateve u kujdes që Kosova jo vetëm të perceptohet, por edhe të përbuzet si vend i kriminalizuar dhe i korruptuar thellësisht. I takon sferës së psikologjisë nëse këtë situatë Hashim Thaçi e shkaktoi nga paaftësia, nga dashakeqësia, nga lakmia gllabëruese apo nga energjia negative dhe hakmarrëse ndaj shoqërisë së Kosovës, e cila për 10 vjet e mbajti larg zyrës së kryeministrit, sepse nuk kishte besim në të. Në çdo variant dhe pa hyrë në psikologji tagrin e paguan shoqëria e Kosovës derisa Hashim Thaçi mund të merret me shqetësime krejt tokësore, siç është, ta zëmë, instalimi i gypave të ujit në shtëpinë e tij prej 800 apo 1.000 metrash katrorë të ndërtuar me siguri me djersë dhe me kursimet prej rrogës së kryeministrit.

Pasi e ka ndërtuar piramidën e korrupsionit dhe ka instaluar një sistem të nepotizmit dhe të papërgjegjësisë institucionale, kryeministri Hashim Thaçi tani po kërkon një shtegdalje: pensionimin politik në postin e presidentit të Kosovës. Një zhvillim i tillë do të ishte vetëm vazhdim i agonisë së Kosovës. Sigurisht që Thaçit i konvenon shumë që krejt faji për kriminalizimin e pushtetit dhe korrupsionin qeveritar t’u hidhet dy-tre personave, pa u adresuar problemi te shkaktari i kësaj situate. E shkaktari është vetë Thaçi, i cili ua shtroi qilimin e kuq të pushtetit figurave aq groteske dhe aq të dëmshme për Kosovën, siç është puna e Behgjet Pacollit. Ishte Thaçi që së fundi madje e bëri edhe president për disa ditë këtë individ, ndonëse, siç e thotë gazetari i pavarur rus, Vladimir Ivanidze, “Pacolli ishte një person që ndihmonte në pastrimin e parave të njerëzve, siç ishte (njeriu i besueshëm i presidentit Boris Jelcin) Pavel Borodini dhe disa ministra e zëvendësministra (rusë). Më kujtohet cinizmi i vetë Borodinit që premtoi se do të më fuste në burg për pesë vjet. Por fati ishte i tillë që ai përfundoi në burg. (...) Pacolli ishte pjesë e skemës së korrupsionit në Rusi, nga e cila Zvicra nuk mori asnjë dokument. Për ta akuzuar Pacollin për krime financiare, Zvicrës i duheshin dokumentet e Rusisë, të cilat natyrisht nuk ishin dërguar”. (Para se Pacolli të tregojë ndonjë mesele me lopë ose të merret me ndonjë konstruksion nga perandoria e fantazisë, të theksojmë se deklarata e gazetarit rus, Vladimir Ivanidze, është dhënë për “Radio Evropa e Lirë”, një medium serioz amerikan me seli në Pragë).

Tani Pacolli mund edhe të shkojë në burg për shkak të ndonjë vepre penale eventuale, por është ky regjim, regjimi Hashim Thaçit, i cili i ka mundësuar atij të instalojë rrjetin e tij në disa degë të ekonomisë së Kosovës. Këtij rrjeti nuk kanë arritur t’i bien tamam në fije edhe sisteme shumë më të sofistikuara gjyqësore sesa drejtësia praktikisht joekzistente e Kosovës. Pacolli mund të shërbejë vetëm si shembull për ilustrim sesi ka funksionuar dhe funksionon regjimi i Hashim Thaçit: me qëllim të mbajtjes së pushtetit pothuaj çdo mjet është i lejuar – pa marrë parasysh dëmin që i shkaktohet shoqërisë. Ndokujt mund t’i kujtohet se në verën e vitit 2008 mediumet e Kosovës botuan dhe emituan lajmin se në Prishtinë do të investojë firma e njohur gjermane “Dräxlmaier”, e cila prodhon pjesë për industrinë e veturave. E dini çfarë ka ndodhur ndërkohë? “Dräxlmaier” sivjet ka nisur ndërtimin e një fabrike në Kavadarci të Maqedonisë, ku parashihet hapja e katër mijë vendeve të punës! Pyetja pse një firmë e njohur gjermane si “Dräxlmaier” nuk investon në Kosovë apo në Shqipëri as që duhet të shtrohet, sepse përgjigjet i kanë dhënë regjimet shqiptare në Prishtinë e Tiranë. Derisa në Tiranë drejtësia i lë të lirë ministrat e involvuar në krime e korrupsion (rasti i Gërdecit, afera Meta e Prifti, dyshimet për vjedhje klasike me rastin e ndërtimit të “Rrugës e kombit” etj.), në Kosovë për investime flitet në kontekst të vetëvrasjes së shefit të Agjencisë së Privatizimit (Dino Asanaj) ose të dërgimit ambasador në Lindjen e Largët të Ahmet Shalës, i cili si ministër i Ekonomisë dhe i Financave dhe më parë si shef i privatizimit të ndërmarrjeve kosovare duket se ka lënë disa gjurmë potencialisht interesante për prokurorët. Përndryshe firma “Dräxlmaier” në Maqedoni do të prodhojë pjesë për veturat “Mercedes”, ndërsa në Kosovë gjiganti automobilistik gjerman nuk i shet madje as vetura Qeverisë së Kosovës për shkak të shkallës së lartë të korrupsionit, siç ka njoftuar në fillim të këtij viti gazeta “Zëri”.

Këtë vit kryeministri Thaçi e filloi me premtimin për “suksese historike”. Duket se suksesi i vetëm “historik” për të sivjet do të jetë nëse arrin të prodhojë ndonjë krizë, e cila do ta katapultonte në postin e presidentit. Patatet e nxehta mund t’ua lërë në duar të tjerëve, nëse ka të gatshëm në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) për diçka të tillë. PDK-ja i ka dy rrugë: të vazhdojë si deri më tani (me korrupsion, shantazhe politike dhe shkelje të rregullave demokratike) apo të fillojë të profilizohet, duke u shkundur nga banditët, që në emër “të meritave të luftës” janë në gjendje ta shesin edhe lirinë e këtij vendi vetëm e vetëm për të vazhduar plaçkitjen e mëtutjeshme. Shenjat për reformim të PDK-së nuk janë aspak premtuese, sepse shumë eksponentë të saj politikën nuk e kuptojnë si shërbim ndaj vendit, por si mundësi që qytetarët të nënshtrohen dhe t’u shërbejnë atyre. Përvoja historike tregon se të nënshtruarit nuk do të pranojnë të jenë përherë shërbëtorë.

Kalkulimi i Thaçit për t’u bërë president bazohet në refleksin e tij për mbijetesë në pushtet. Tani mund të premtojë se do të jetë “kooperativ” dhe “kreativ” sa i përket veriut me shpresën se “ndërkombëtarët” do ta mbështesin në ambiciet e tij presidenciale. Në këtë mënyrë ai synon t’i shmanget çdo lloj përgjegjësie për degradimin institucional, ekonomik dhe kulturor të Kosovës nën regjimin e tij nga zgjedhjet e vitit 2007. Projektimi presidencial mund të dalë i gabuar. Hashim Thaçi si president mund të jetë vetëm karikaturë presidenti, sepse goditjet do t’i vijnë nga dy drejtime: nga qytetarët e uritur dhe të mashtruar dhe nga zërat kritikë brenda partisë. Para disa vjetësh në këto faqe gazete Hashim Thaçi ka mundur të lexojë një pyetje shumë të drejtpërdrejtë: në cilën anë të historisë dëshironi të mbeteni, në anën e ndritshme apo të errëtën? Ndërkohë zgjedhjen e ka bërë vetë Hashim Thaçi. Do të jetë komedi e vërtetë kur t’i shohim në të ardhmen kacagjelat e tij publicistikë duke u distancuar “prej shefit”, të cilit ia kanë rrahur supet, duke e gënjyer në sy se vërtet po punon mirë për Kosovën.

robelli@bluewin.ch

 


Komente (12)

Agoni DE29.09.2012/17:00

Respekt per punen e Juaj z. Robelli! Nuk e di se a publikohen shkrimet e Juaja edhe ne Kohen Ditore, e gazeta tjera ditore ne Kosove? Besoj qe shkrimet e ketij lloji do te ndikojne ne ngritjen e vetedijes kaq te ulte te Kosovareve!?

Flora Hoxha28.09.2012/13:50

Ajo qe shoh te Ju, dhe qe lexoj nga Ju Z.Robelli, me jep guximin te besoj se ky popull ka ende shprese te kthehet mbare. Jeni i vetmi gazetarkolumnist shqiptar qe une e lexoj me endje.

Gezim Isufi 27.09.2012/17:48

Perfekt zoti rrobeli ju na jepni shpres se ky komb ka njerez te afte te cilet e tregojn te verteten dhe nuk frigohen nga bandat te cilet e varferuan edhe me shume kete popull.te lumte

franj27.09.2012/12:50

No Comment! vetëm se të lumt Zotri Robeli...

Rruste Gashi27.09.2012/12:47

Te pergezoj per shkrimin e sotem,me endje i lexoj shkrimet e tua.Ato neve na ndihmojne te kemi qartesi dhe te formojme opinionin real ndaj bemave te keqija te pushtetareve te sotem dhe te djeshem.
Plotesisht pajtohem me ju se ai qe projekton te mira per vete e keq per te tjeret do ta barte vllaqen e turpit,dhashte zoti ne hapsin e Dyzit.

luledukagjini27.09.2012/12:19

z.Robelli jeni nji pend e art njerzit si ti me japin pak shpres,dhasht zoti te lexohesh ma shum kta mafioz na e ... n edhe te ardhmen.

Arianit Gashi27.09.2012/10:03

Shume artikull me vend dhe syhapes! Cilesia e ketij gazetari eshte e hatarshme. Respekt!
Mjere populli i Kosoves ne kurthen e Hashim Thaqit. Ne vende normale ky njeri H. Thaqi nuk kishte pasur kurfar gjasash te jet ne krye te ndonje komune, e lere ma ne krye te shtetit. Tragjedi!

lirimi27.09.2012/10:00

Analiza jote Enver perputhet me realitetin, sepse shifen problemet cdo kund. Tani edhe perse duhet qe Qeveria PDK te kritizohet me shume, sepse ajo udheheqe vendin, per hire te demokracis dhe zhvillimit te vendit duhet gjithashtu te theksohet, se edhe ne Prishtin, ku LDK udheheqe nuk jan punet aspake me mire. Ase ne PejeAAK e keshtu me radhe. Pra, ne kemi problem me kuadra te pa afte per ta udhehequr ne njeren ane dhe ne anen tjeter kemi mungesa per krijimin e institucioneve te pavarura nga Partit Politike si p.sh., Mediat, Gjykata Kushtetuse, Sherbimi i Shtetit, Ushtria, Policia, Akademia, Institutet politikestrategjike, etj. Kjo eshte diagnosa! Dhe terapia eshte sipas mendimit logjik, thirrja e trurit ne boten e perendimore, pra atyre qe kan studiuar ne perendim nga ana e Parlamentit te Kosoves dhe inkuadrimi i tyre ne shtyllat e Shtetit, te cilat jan te pa mvaruara nga Partit qe hypin dhe zhdrypin prej karikeve!

shkambi27.09.2012/08:59

je me i miri z.Robeli...
Une vetem do t'i shtoja edhe diqka...
Te flete PDK HAshim Thaqi per luften kunder korrupcionit,nepotizmit etj eshte njejt sikur te flet nje prostitut per moralin qe duhet ta ken femrat...
Me shum respket
SHKAMBI

Dr.Gezim Bytyqi27.09.2012/06:30

Artikulle shume i qelluar dhe ne kohe te duhure .Pasi qe Kosova dhe Shqiperia deri ne nji te ardhme jo te afert nuk e zgjedhin Kryetarin e shtetit nga vota e popullit ateher ndodhe edhe ajo qepo ndodhe ne keto 2 vendet me te varfure te Evropes.Jame shume i bindure se te gjithe ata qe jane pasuruar ne krahe te ketije populli do te japin llogari heret apo vone sikure qe dhane koleget e tyre nga shtetet arabe.Vetem pritet momenti i pershtatshem ...

Ty te uroi jete te gjate dhe vazhdo shkruaj prape se vetem keto komente te Flakes dhe kolegve tu i mbajne gjalle shpresat e neve ne diaspore qe nji dite do behet mire ne keto 2 shtete.Te pershendes.

strellci27.09.2012/01:27

shum pergezime zoteri robell se je shum i drejperdrejt edhe o jav qet senet ne drit ktyne hajnave se na kan bo shtetin mej thon dikujt jam nga kosovo skan deshir me fol me ty dihet pse fajet si ka populli po udheheqja me dosjae ... nga ... sjet deri te krimi i organizuar me respekt zoti rogelli nga strellci i tahir zemes

sabit llapi26.09.2012/20:55

Te lumshin duart o Enver!

1000  Karaktere
Prishtinė 17°CKryesisht me vranėsira
Tiranė 17°CKryesisht me vranėsira
Shkup 21°C
Prishtinė19°C
Tiranė19°C
Shkup26°C