ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 19:55    Moti *** 20:00  Oxygen  *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Piramida e krimit dhe beteja për demokraci

Publikuar: 19.09.2012 - 20:09

Qeveria pa legjitimitet demokratik dhe e prirë nga Hashim Thaçi po i përgjunjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për të lidhur koalicion para negociatave me Serbinë për gjetjen e një zgjidhjeje për veriun. Si në çdo parti, edhe në AAK ka politikanë pa kurriz, të cilët me qejf do të uleshin në kolltukët e pushtetit në emër të gjoja “interesave të Kosovës”. Por interes i Kosovës nuk janë koalicionet që forcojnë krimin, por ndërtimi i demokracisë, përgatitja dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira. Në negociata me Serbinë nuk mund të hyjnë pushtetarë që rrinë këmbëkryq në piramidën e korrupsionit grandioz

“Koalicionin PDK-AAK e shoh si shumë pozitiv dhe që do t’i ndihmojë vendit dhe do t’i çojë proceset shumë shpejt përpara. Them se sa më shumë që të jemi të mobilizuar, më lehtë do ta kemi. Nuk thuhet në popull rastësisht se bashkimi bën fuqinë”. Kjo është vetëm një nga deklaratat e hedhura në opinion javëve të fundit nga Adem Grabovci, funksionar i “naltë” i Partisë Demokratike të Kosovës. Nëse do të bëhej një renditje e politikanëve më të dëmshëm për Kosovën, atëherë Grabovci do t’u bënte konkurrencë të madhe shumë të tjerëve. Të shohim një herë vetëm rritjen e pasurisë së tij, të cilën e ka arritur me siguri me djersë, punë të ndershme dhe talent sipërmarrësi të përvetësuar si refugjat në Zvicër.

“Pasuria e shefit të deputetëve të partisë në pushtet (PDK), Adem Grabovci, në vitin 2012 ka arritur në mbi 1,6 milionë euro. Pasuria e paluajtshme e Grabovcit është vlerësuar 1 milion e 630 mijë euro, vetura të markave “Audi A6”, BMW dhe “Golf 6”, 21 mijë euro para të gatshme në banka. Të ardhurat vjetore familjare të tij janë rreth 30 mijë euro. Në vitin 2007 Grabovci kishte qenë shumë më i varfër. Ai në atë kohë kishte deklaruar një banesë në vlerë prej 120 mijë eurosh dhe një veturë 12 mijë euro. Për pesë vjet pasuria e Grabovcit është dhjetëfishuar”! Këto të dhëna janë publikuar nga mediumet e Prishtinës në fund të majit, duke cituar një raport të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit.

Dubai, Monte Carlo, Dragodan

Grabovci tani për tani është i paprekshëm, sepse është pjesë e një rrjeti që ka kapur shtetin, që kontrollon sistemin e drejtësisë, policinë, shërbimet legale dhe ilegale të nuhatjes, shantazhit, kërcënimeve; kur para disa javësh në Kuvendin e Kosovës u përleshën disa hundëleshë, të cilët thonë se janë zgjedhur deputetë, Adem Grabovci u fajësua se pengoi hetimet e autoriteteve të drejtësisë. Në raportin në lidhje me këtë ngjarje policia ka shkruar: “Në hyrje të Kuvendit jemi takuar me shefin e Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. Ai na ka thënë: ‘Ju lutëm lirojeni Kuvendin, sepse nuk kemi nevojë për ju. Nëse na duheni do t’ju thërrasim na’”. Ja, pra, ky është mentaliteti sundues: nëse na duhet drejtësia e thërrasim vetë! Andaj Grabovci, nga kjo pozitë e njeriut të pushtetshëm e të paprekshëm, i di të gjitha. Për shembull ai, në një letër që ia ka dërguar Ramush Haradinajt në vitin 2009, i drejtohet me këto pyetje dhe akuza ish-komandantit rajonal të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës:

“1. Kush e ka dëmtuar imazhin e UÇK-së pas luftës duke bërë kërkesa, kërcënime dhe nxjerrë fitime për interesa personale?
2. Ramush, prej nga e arrite pasurinë marramendëse personale?

- shtëpinë disamilionëshe në Prishtinë,
- banesën dykatëshe në Prishtinë,
- banesën në Prizren,
- banesën në Tiranë,
- banesën në Durrës,
- vilat në Durrës, në Brezovicë,
- pronat disamilionëshe në Dukagjin,
- tokat në Miradi,
- kullat disamilionëshe në Gllogjan,
- dy vila jashtë shtetit, në Monte Carlo dhe në Dubai.

Duhet t’i dëshmosh pronësitë e tyre në detaje.

3. Ramush, ke uzurpuar dhe ke përvetësuar në emër të luftës:

- shtëpinë në Pejë
- banesën në Prizren
- truallin e çerdhes së fëmijëve në Dragodan
- pompat e benzinës dhe shumë të tjera.

4. Ramush, ti personalisht kontrollon lojërat e fatit dhe bizneset e Casinos!

5. Reketi dhe zhvatja e bizneseve lidhet me emrin tuaj. Keni përmendur ndihmën e bizneseve vendore. Dokumento qoftë edhe një donacion të evidencuar në këto firma pranë Administratës Tatimore të Kosovës për 10 vjetët e pasluftës në Kosovë (hiq fondin tuaj për Hagë).

6. Me fondin tuaj për mbrojtje keni blerë toka e troje për qëllime personale. A është e drejtë kjo?

7. Jeni involvuar në kontrabandë mallrash që vijnë nga Serbia në veri të Kosovës dhe në shumë shtete të tjera”.

Ëndrra para pasqyrës

Pas të gjitha këtyre akuzave, të cilat do të duhej të trajtoheshin nga drejtësia, Adem Grabovci e quan një koalicion të PDK-së me AAK-në “si shumë pozitiv”. Në AAK duket se ka disa politikanë pa kurriz, të cilët janë lodhur në opozitë - ndonëse ndonjë aktivitet përtej komunikatave për shtyp nuk vërehet as nga kjo parti - dhe mezi presin të ulen në kolltukët e pushtetit në emër të gjoja “interesave të Kosovës”. Disa prej tyre mund t’i përfytyrojmë se kur të zgjohen në mëngjes i numërojnë ditët derisa të bëhen ministra dhe kur para derës do t’i presin eskortat me vetura të qeverisë. Pasi që PDK-ja me vite të tëra e ka përtypur dhe në fund e ka hedhur në shportën e bërllokut partnerin e koalicionit të quajtur LDK, tani i ka ardhur radha AAK-së që të instrumentalizohet në shërbim të gjenerimit të mëtutjeshëm të pushtetit të kryeministrit Hashim Thaçi dhe rrjetit të tij. Tani lideri i PDK-së po apelon që “të gjithë të bëhemi bashkë si në Rambouillet”, sepse Kosovën po e presin sfida, sidomos në veri. Por çfarë uniteti dhe atmosfere ka mbretëruar në Rambouillet na e tregon gazetari britanik Tim Judah në librin e tij “Kosova: luftë dhe hakmarrje”: “Thaçi nuk kishte ndonjë interes të madh në atë që po bënte komiteti (fjala është për ekipin shqiptar që hartonte qëndrimet, v.j.), madje u krijuan edhe disa skena të sikletshme me negociatorët kur, në disa pika kyç, u duk qartë se ai (Thaçi) nuk e kishte idenë se ç’bëhej. Pjesën më të madhe të kohës Thaçi e kalonte duke u vërtitur nëpër kështjellë, duke folur në telefonin e tij celular me njerëzit jashtë, ndërkohë që duhej t’u jepte drejtim punëve aty brenda. (Negociatori amerikan) Christopher Hill tha se mendonte që Thaçi as nuk i lexoi ndonjëherë dokumentet”.

Si është puna në vitin 2012? Tani klasa sunduese e Kosovës nuk ka çfarë të lexojë nga dokumentet, sepse nuk ka asnjë plan serioz për veriun  - dhe për hir të korrektësisë duhet thënë se Thaçi është vetëm vazhdues i traditës së qeverive të mëparshme, të cilat për Mitrovicën dhe rrethinën e saj kanë folur vetëm gjatë pauzave të shkurtra të korrupsionit. Duke qenë se PDK-ja nuk ka legjitimitet demokratik për asnjë vendim që prek themelet e shtetit, ajo tani po e kërkon një patericë. LDK-ja nuk është e gatshme për diçka të tillë, “Vetëvendosje” jo se jo, paterica në pushtet AKR-ja (partia e vjelësit të bananeve, Behgjet Pacolli, alias Salep Sulltani i kompjuterëve dhe kolltukëve të Malit afrikan) nuk gëzon asnjë grimë besim në opinionin publik dhe po të dilte në zgjedhje sot, me gjasë nuk do ta kalonte pragun e hyrjes në parlament. Janë dy arsye kryesore pse PDK-ja nuk ka legjitimitet demokratik: së pari vjedhja e votave në zgjedhjet e dhjetorit 2010 dhe - së dyti - kriminalizimi dhe korrupsioni, të cilat janë shenja dalluese të qeverisë së Hashim Thaçit. Në këtë situatë PDK-ja po përpiqet ta fusë nën ombrellë AAK-në si patericë për përdorim disamujor.

Rrëmuja grandioze

Por interes i Kosovës nuk janë koalicionet që forcojnë krimin, por ndërtimi i demokracisë, përgatitja dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira. Për këtë opozita duhet të flasë me një zë. Në negociata me Serbinë nuk mund të hyjnë pushtetarë që rrinë këmbëkryq në piramidën e krimit grandioz. Një argument (jo i bindshëm) që dëgjohet nga radhët e AAK-së për përqafim me pushtetin aktual është ky: “Kur edhe Angela Merkel angazhohet për zgjidhjen e problemit të veriut, as ne nuk mund t’i ikim përgjegjësisë”. Ky argument do të hahej nga opinioni sikur Kosova të kishte qeveri të pakontestuar. Edhe sikur kjo qeveri të ishte rezultat i zgjedhjeve të ndershme, legjitimiteti i saj është djegur nga aferat e krimit dhe korrupsionit, ndër të cilat këto ditë po shquhet skandali rreth privatizimit të hotelit “Grand”, ku dallohen këto ngjarje: vetëvrasja e shefit të agjencisë për privatizim, Dino Asanaj, akuza e kryeministrit Thaçi se kundër Asanajt kanë bërë shantazhe publike individët apo grupet kriminale dhe mafioze, të cilat, sipas Thaçit, nuk e pranojnë ekonominë e tregut (këtu Thaçi me gjasë mendonte në biznesmenin Remzi Ejupi, i cili e fajësoi drejtpërdrejt dhe publikisht Asanajn se përmes personave të tretë kishte kërkuar ryshfet për “rregullimin e çështjes së pronësisë së hotelit ‘Grand’”; për çudi, prejse janë bërë publike faktet që disponon Remzi Ejupi, mes tjerash edhe një incizim, kryeministri preferon të heshtë, me sa duket pronari i agjencisë turistike “Eurokoha” nuk është më “mafioz”, siç e titullonte Thaçi me aludime), po ashtu në këtë rrëmujë grandioze që kundërmon korrupsion e krim shfaqet emri dhe fytyra e prostitutës politike Ukë Rugova, “talenti” mafioz i dallaveraxhiut obskur Astrit Haraqija, i cili për të “rregulluar punën e ‘Grandit’” fajësohet se kërkon gati katër milionë euro nga zëvendëskryeministri thellësisht i diskredituar dhe kundërthënës, Behgjet Pacolli. Kjo është qeveria e Hashim Thaçit!

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mund të futet në këtë qeveri, por nëse kjo parti seriozisht mendon të mbesë në skenën politike të Kosovës, atëherë do të duhej t’u thoshte qartë edhe diplomatëve perëndimorë se në interesin e Kosovës tani për tani është shpëtimi i demokracisë, krijimi i instrumenteve për ruajtjen e votës nga plaçkitja dhe organizimi i zgjedhjeve të lira. Tek atëherë, pasi Kosova të ketë një parlament të zgjedhur me vota të pastra, AAK-ja mund të kërkojë që lideri i saj Ramush Haradinaj të jetë kryeministër, nëse ai paraprakisht arrin të bindë edhe elektoratin, sepse karrierën politike të Haradinajt e shoqërojnë jo pak njolla. Tek atëherë, pasi përfaqësuesit e popullit të zgjedhin një qeveri plotësisht legjitime, mund të negociohet me çdo shtet, natyrisht në interes të Kosovës dhe jo në interes të disa diplomatëve ambiciozë perëndimorë, të cilët nuk janë të gatshëm të merren me thelbin e problemit sa i përket veriut: ky problem gjendet kryesisht në Beograd dhe në veri të Mitrovicës, aty ku bandat nacionaliste, por edhe multietnike lodrojnë të papenguara që nga viti 1999.

Standarde të dyfishta

Sa cinike është politika e disa diplomatëve dhe politikanëve evropianë, tregon ky fakt: Tomislav Nikoliqi, me titull të vojvodës çetnik, pjesëmarrës në agresionin serb ndaj Kroacisë e Bosnjës në vitet ‘90, pritet krahëhapur në Bruksel, ndonëse në programin e Partisë së tij Përparimtare Serbe (SNS) që në pikën e parë thuhet se Kosova është “zemër e Serbisë” dhe se Serbia “pa asnjë kompromis” duhet të mbrojë interesat e saj “në të gjitha pjesët e territorit”. Në pikën e dytë partia e Nikoliqit deklarohet kundër ekzistimit të Bosnjë-Hercegovinës si shtet dhe kërkon që të respektohet “vullneti i popullit” serb në këtë vend. Fillimisht synohet krijimi një “bashkimi ekonomik” mes Serbisë dhe Republikës së serbëve (“Republika Srpska”) të Bosnjës, pastaj, gjithnjë sipas Partisë Përparimtare Serbe, duhet të krijohen kushte për “një shtet të përbashkët të popullit serb dhe të të gjithë qytetarëve, të cilët jetojnë në territorin e Serbisë dhe të Republika Srpska”. Nuk dihet nëse komisari për Zgjerim i BE-së, Shtefan Fyle (Štefan Füle), e ka lexuar këtë program, por një gjë dihet: ky politikan çek i shkolluar në Moskë në zyrën e tij e mban fotografinë e Josip Broz Titos. Përballë kësaj situate edhe kundërshtarët e politikës populiste të “Vetëvendosjes” për bashkim me Shqipërinë duhet të shtrojnë pyetjen: pse diplomatët e BE-së stigmatizojnë Albin Kurtin dhe përqafojnë Tomislav Nikoliqin? Kjo është politikë e standardeve të dyfishta! Edhe për këtë duhet të mendojë opozita e Kosovës, përfshirë edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

robelli@bluewin.ch

Komente (30)

jusufi20.09.2012/21:05

Ne vetem flasim e vajtojme , e kta dita dites pasurohen , kta po qeshin me ne , se si merremi ne me internete , kta parap pasurohen , por evroma vet po i lejon kta te sillen kshtu, se po e sheh qfar lope te gjalla jan , nuk i konvenon evropes e serbis te ket njerez m e dinjetet e moral dhe me shkoll ne qeveri , ndryshe do ti kishim punet , kta hajna kan me vdek , i ... ft gjaku i deshmorve ,kurr hallall mos ju boft dheu i tokes sone.

Dibrani20.09.2012/19:14

Ju lumte per kurajon Z. Robelli. Problemi qendron se korupcioni te na eshte etabluar si norme sociale dhe nuk identifikohet si gjendje patologjike, e rjedhimisht nuk funksionojne "mekanizmat antagonizues".

jak20.09.2012/19:06

Une lexova tekstin, si gjithehere Enveri eshte i mrekullueshem,por me fascinuan komentet e lexuesve te gjitha ne perkrahje te Robellit 100 kjo eshte mrekulli. ju lumt juve komentues.Enver ZOTI i Madh ty te rruejt nga cdo e lige e kesaj BoteAmin

Okambo20.09.2012/18:23

Të uroj jetë të gjatë dhe pa kërcnime nga Grabofcat dhe nipat e tij, të tjerët analist dhe gazetarë duhet të marrin si model i një njeriut që shprehë trimërisht mendimin, fatkeqsisht të till ka fare pak, mbase janë duke lëpirë nga një āsht që u ka dhënë qeveria.

luledukagjini20.09.2012/15:30

Penda jote o z.Robelli ma e fort se plumbi, qofsh jetgjat,je shum shum i fort dhe i dobishem

Besti20.09.2012/13:57

Te lumte penda o i nderuar, po njeher ne jave bile po mundem me marr pakez fryme!!!

Xhevdeti20.09.2012/13:29

No koment,te gjitha me vend Kosova ne rrezik nga profiteret shqiptare dhe armiqet serbe per rreth.

arsim g20.09.2012/13:00

Zotri ,Robelli te shkruash sot te verteten duhet te kesh guxim duhet te jesh njeri me ndergjegjje i pa korruptuar e pikerisht ti je nga ata qe e thua te verteten ,te lumt per guximin tend kam lexuar shum nga komentet tua ,shum shpesh i them vetit a ka shqiptar qe mund ti bishtroj ketij shkrimi ,perpos disa njerz qe jane te zhytur ne krim ne korrupcion ,me beri shum pershtypje nje intervist e zotri fatmir limajt ne ktv ku tha se popullit duhet ti hiqet frika e te folurit at qe e mendon duhet ta flas jo te ket frik nga ky klan qe e ka kapur shtetin ,si perfundim une ty zotri Enver Robelli te deshiroj shum shendet dhe pune te palodhshme jam i sigurt se shumica e popullit mendon si ti po shum nga ne se kemi guximin ti themi gjanat ashtu si jane ,ka ardh momenti qe populli ta thot te verteten e sa ma pare keta njerz ti largojm nga pushteti .

Alban Deti20.09.2012/12:55

Ju lumte,Jeni hero,shembull i guximit qytetar,por fatkeqesisht mprapa keni nje popull qe ju parkrahe vetem me fjale e shkrime anonime

edi gega20.09.2012/12:39

popull ma budalla sene shqiptaret ska, pse more i dim tona keto sene dhe prap sqohemi me i shpurr keta hjan nga qeveria e me i qit do qesi si Robeli, intersant jemi ne definitivisht me pas pas na vetedije tjeter sot ishim para zvicres e austrise!
Te Lumte Enver Robeli edhe pse keto sende duhet RTK kinse popullore me i qit jo jon shendrrue edhe ata ne krye hajna

avni berisha20.09.2012/12:31

nje ralite po popull po flen pse o popull po e duron hajnat me ja pi gjakune e kete jan kriminel kur nje popull te vete e vjedhin e shume ishe ushtar te tyr e bej vete vrasje per te mose mujtur me egsistun ni kafshat buk keta qka sbejn me kete popull

qarrishta20.09.2012/12:31

Po po kemi udhheqes por i duhet perkrahja e popullit sikur dikur Dr.Rugoves si e pat popullin mrapa e na pruni ameriken,edhe tash ndihma e popullit i duhet Albin Kurtit qe ta shporrim ket qeveri.

Vllaznim Aliaj20.09.2012/12:22

ska koment ,pergezime per shkrimin veq vazhdo,bravo

naimi20.09.2012/11:59

je i mrekullushen z.envwe, artikj te till janwte nevojshem te botohen me shpesh dhe te publikohen edhe ne medijat elektronike. te lumt
Naimi GJkove

Fitorja20.09.2012/11:51

Komplimente per shkrimin.Ato qe thoni jane me se te verteta,por shume e vertete eshte pa zotesia e popullit tone qe ato qe mendon t'i veproj kjo po shihet te vota!
A mos eshte ide e vet Haradinajt qe me veprin e vet si kryeminister nesete arrij qe trasoj diqka per te mire se po shihet ketu poshte prej pozites se qytetarit s'ka asgja.

bardha20.09.2012/11:29

Me te vërtet jeni i përkryer Zoti ju shpërbleft per kontributin e dhënë. Veq vazhdoni , populli është me ju . Të lumt

sami ahmeti20.09.2012/11:22

mendoj qe eshte nji shkrim i guximshem dhe shum real. PER fat te keq kemi nevoj per kesi loji opinionesh, ne vend se te lexojm krejt diqka tjeter. Tashme politikanet tone jan e keqja me e madhe e ketij vendi nuk egziston pozit as opozite te gjith jan bere bashke kunder popullit te varfer, edhe keta dje ishin te varfer por sot jan te pasur pasi qe e vjedhen popullin deri ne themel ja pijn gjakun deri ne qelizen e fundit . Po lutem si teolog nese ka zot ... je keta ... keta kriminel na vodhen te ardhmen, na njollosen gjakune deshmorve, na e masakruen kosoven e lir pas masakres se milloviqit

Njazi MorinaGjakove20.09.2012/11:18

Njeri ju lumt për këtë shkrim te mrekullueshëm , ju shkruan një i Papune, sikur shokt me Diplomë

Murat Aliaj20.09.2012/11:01

Shkrim shume i mire,pergezime. Ne s'vuajme per gazetare te mire. Vuajme per atdhetare te mire. Ajo c'ka ndodh sot ne dheun ame Shqiperi dhe Kosove, jane te gjitha pergjegjesite tona te medha historike. Ajo c'ka ndodh ne trevat tona ne Maqedoni, perben dramen me te madhe. Vellezerit tane aty, s'kane me vete as Shqiperine dhe as Kosoven. Dhe me dhimbje do e them se s'do e kene asnjehere derisa i bejne sherbim xhepit dhe jo ceshtjes kombetare.

Wiena20.09.2012/10:46

Shkrim i bukur, por a e lexojnë dotë politikanët Kosovarë, sidomos të apostrofuarit.Edhe nëse e lexojnë, do të thonë"propagandë mediale", dhe se ne jemi të paprekshë dhe nuk mundet kushë të na luajë nga kariga pardon kolltuku.
Sidoqofë, bravo zRobeli.

RAMADANI20.09.2012/10:17

HALLALLE HALLALLE E HALLALLE TA BAFTE I MADHI ZOTE SE SHKRIM MA TE MIRE E MA TE GUXIMSHEN ENDE NUK KA SHKRU KUSHE NE KOSOVE. REALITETI I SHTETIT KRIMINEL.ZOTI JU RUAJTE JUVE DHE FAMILJEN TANE DHE KOHEN DITORE GAZET E POPULLIT.

Bardhyl Metkamberi20.09.2012/10:15

Pershendetje te gjitheve dhe ju z.Robelli,

shkrimet e juaja i lexoj pothuajse cdo here dhe i lexoj me vemendje. Ky shkrim me pelqen shume sepse i ke prekur pikat shume te rendesishme te cilat Kosova po i perjeton dhe do ti perjetoj ne te ardhmen nese ky koalicion do te realizohet edhe pse une mendoj qe kjo do te ndodh sepse siq pretendojne disa nga partia e AAKse qe koalicioni do te jete i arritshem nese Ramushi do te lirohet nga gjykata... te cilen une e them me plot fjale se ai do te lirohet dhe lirimi i tij do te ndihmon Thaqin qe te gjejne nje zgjidhj per Mitrovicen. A mendon se Thaqi do ta ftonte Ramushin per zgjidhjen e Mitrovices po te mos ishte problem i cili nuk e shqeteson ate?! Normalisht se JO. Prandaj, Thaqi e fton Ramushin qe te bashkohen te tia japin fund ceshtjes se Mitrovices... gje qe do te jete nje zgjidhje te cilen Thaqi e di qe tani jo e favorshme per Kosoven dhe e cila kjo zgjidhje nuk ka nga kush te stopohet sepse Luani dhe Tigri do te behen bashke...

Arsim20.09.2012/07:39

shkrimi me i bukur qe kam pare ndonjehere, "Rreth krimit të përbashkuar"AAKPDK të lumte Enver Rrobelli

sweetytonny@hotmail.com20.09.2012/01:38

me respekt enver se po e fol te verteten hallall te qoft te pershendes nga strellci i tahir zemes se po jav kallxon ftyren e vertet t vetshpallurve patriot edhe komandanta dihet qka kan bo ne drenic e dukagjin respek per ty veq vazhdo

shasivari20.09.2012/00:37

ju prshendes vrtet nj analiz e vrtet jemi t pa pregaditur ose ma mier me than meudheheqsa t korruptuar

Cene Mali20.09.2012/00:19

Te lumte Enver Robelli, ky eshte nje shkrim me 5 yje. Gjithcka keni shkruar jane te verteta. Ju jeni nje analist i shkelqyer.

Afrimi Prishtine19.09.2012/22:55

ENVER T'LUMTE BURRE, TE JEMI BORXHLI SHUM, PER KREJT KTO PAFYTYRSI QE PO JU NXJERR NE SHESH KSAJ KLASE TE NJERZVE MA TE KQINJ TE VENDIT TONE NE HISTORI !
KURR MA KEQ NUK I KEMI PAS PUNET, I VETMI SHPETIM ESHTE VETDIJESIMI I POPULLIT DHE TE FITOJE VETVENDOSJA, SE KTA TE TJERET JANE NJEJT, SE I KEMI PROVUE !

Petiriti19.09.2012/22:43

Bravo bravo asnji fjale sesht gabim .Keta jane si .............Keta ja kane shit Kosoven dreqit te zi

Visari19.09.2012/22:03

Z.RobelliTe lumt dora me gjithe penen,pore kujt ti tregohet e gjitha kjo?Puna e qeverise se Kosoves eshte sikur ajo prralla kur gruaja i thote burritShyqyr qe nuk e din se cka beje une,por burri i pergjigjet Krejt po e di por spo kam cka te beje.Edhe ne si popull i shkrete te gjitha po i shofim por nuk po keme guxim dhe se nuk po keme udheheqes te denje qe ti shkojme pas.

vlahna19.09.2012/21:28

Z.Robelli,pergzime,jeni nji fanar i vertete,shkrimet tuaja po na japin shprese per dit me te mira,ju lumte.

1000  Karaktere
Prishtinė 18°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė 18°CMe vranėsira tė pjesshme
Shkup 22°CMe vranėsira tė pjesshme
Prishtinė19°C
Tiranė19°C
Shkup26°CRrebesh shiu