Përpjekje e kotë për të mbuluar diellin me shoshë
Enver RobelliZyra Civile Ndërkombëtare (ICO) i mbylli portat pas dështimit për ta bërë Kosovën shtet funksional. Për këtë, mes të tjerash, mungoi edhe vullneti politik në Bruksel. Tani Qeveria e Kosovës po organizon një maskaradë për të festuar heqjen e mbikëqyrjes ndërkombëtare. Në fakt, kjo është vetëm një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen e opinionit nga mjerimi i përditshëm, korrupsioni i gjithanshëm dhe mungesa e kontrollit demokratik në institucione
Në fund të marsit të vitit 2008, Pieter Feith ishte shumë i qetë sa u përkiste detyrave që e prisnin në Kosovë. Sapo kishte marrë detyrën si shef i Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO) dhe i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian për Kosovë. Sipas disa burimeve në Bruksel, të ardhurat e tij mujore silleshin rreth 20 mijë euro. I ulur në restorantin e një hoteli në Prishtinë, diplomati holandez gjatë bisedës vazhdimisht i ikte përgjigjes se kur ICO-ja dhe misioni i BE-së për sundimin e ligjit EULEX do ta marrin përgjegjësinë për drejtimin e punëve në Kosovë. Në Planin e Ahtisaarit thuhej se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës misioni i OKB-së (UNMIK) do tua dorëzonte kompetencat pushtetit lokal dhe misioneve të reja ndërkombëtare brenda 120 ditësh. Por kur fillonte kjo fazë e numërimit ditën e proklamimit të mëvetësisë kosovare apo më vonë? Feith atëbotë me ironi tha: Unë numëroj përherë. Por unë më së shumti i numëroj paratë dhe zaret e mia. Megjithatë, shefi i ICO-s dikur bëri një premtim të fuqishëm: Jemi duke e ndërtuar misionin tonë. Por një gjë është e qartë: ne do të veprojmë në mbarë territorin e Kosovës.Çfarë i mbetet tani për të numëruar në Kosovë Pieter Feithit? Sukseset? Të arriturat në fushën e sundimit të ligjit? Prania e një administrate efikase në mbarë territorin e Kosovës? Luftimi i korrupsionit? Angazhimi për një televizion publik që e meriton këtë emër? Pas katër vjet e gjysmë në Kosovë, Feith mund ti numërojë vetëm paratë që i ka fituar. Zyra Civile Ndërkombëtare po mbyllet, sepse pothuaj askush se vërejti praninë e saj. Sdo të vërehet as mungesa e saj. ICO-ja e kishte për detyrë të mbikëqyrte zbatimin e Planit të Ahtisaarit. Kjo zyrë këtë e ka bërë vetëm në ato pjesë të Kosovës, ku plani do të ishte zbatuar edhe pa mbikëqyrjen e saj. Në veri, ndërkaq, atje ku prej vitesh është etabluar eldoradoja e krimit, lojës me zjarr dhe mesazheve nacionaliste, ICO-ja thjesht nuk qe e pranishme.
Kancelaria e Feithit e kishte për detyrë të ndihmonte që Kosova të bëhej shtet funksional. Si autoritet i fundit për mbikëqyrjen e Planit të Ahtisaarit, ICO-ja mund të merrte masa korrigjuese në pothuaj çdo çështje që do të vlerësohej e rëndësishme për ndërtimin e demokracisë në Kosovë, përfshirë anulimin e ligjeve, largimin e politikanëve të korruptuar, emërimin e zyrtarëve në poste të rëndësishme etj. A ka dhënë ndonjë kontribut Feith në këtë drejtim? Për aq sa shihet - jo. Por nuk duhet ti ngarkohet krejt faji veteranit diplomatik nga Holanda. ICO-s i mungonte edhe mbështetja politike nga Brukseli. Në vend që publikisht ta thoshte këtë dhe tia bënte të qartë bashkësisë ndërkombëtare se misioni i ICO-s thjesht nuk po realizohet në Kosovë, Feith zgjodhi heshtjen. Për këtë heshtje njerëzit e Kosovës nuk i janë mirënjohës atij. Ndoshta ky post (shef i ICO, v.j.) është dizajnuar tamam për dikë që gjendet para fundit të karrierës. Kështu unë sduhet të bëhem merak për të ardhmen time. Kështu kishte deklaruar Feith, atëbotë 63-vjeçar, në bisedën e lartpërmendur me një grup gazetarësh të mediumeve gjermane dhe zvicerane. Më 11 shtator 2012, lirisht mund të thuhet se Feith vërtet nuk duhet të bëhet merak për të ardhmen e tij, por gati dy milionë qytetarë të Kosovës kanë shumë arsye të jenë të shqetësuar për të tashmen dhe të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre.
Feith do të shfajësohet si në fillim të mandatit të tij në Prishtinë, duke thënë se protektorët ndërkombëtarë në Kosovë nuk dëshironin ti përsërisnin gabimet e Bosnjës, ku vendimet e vështira i merrte bashkësia ndërkombëtare, ndërsa vendorët merreshin me lojëra politike dhe korrupsion. Por dallimi mes Bosnjës dhe Kosovës është esencial: në Bosnjë përfaqësuesit e tri etnive nuk mund të pajtohen për pothuaj asgjë, në fakt serbët e kroatët më me qejf do ti bashkoheshin Serbisë, përkatësisht Kroacisë. Në Kosovë mbi 90 për qind e popullsisë i përket një etnie (shqiptare) dhe pjesa tjetër janë pakica. Shumica e tyre e kanë pranuar realitetin e Kosovës së pavarur, por janë nja 50 mijë (ndoshta edhe më pak) serbë në veri që manipulohen dhe ushqehen me ëndrra e përralla nga një grusht politikanësh nacionalistë dhe kontrabandistë. A duhet Bashkimi Evropian, i cili ka ambicie të luajë rol të madh në politikën botërore, tu nënshtrohet huqeve të tyre dhe shantazheve të Beogradit? BE-ja mund ta bëjë këtë, siç e ka bërë deri më tash - dhe kështu të tregojë se nuk mund të merret askund seriozisht si lojtar serioz për zgjidhjen e konflikteve.
Mbyllja e Zyrës Civile Ndërkombëtare nuk është kurrfarë zhvillimi që do të arsyetonte organizimin e spektakleve. Qeveria e kryeministrit Hashim Thaçi në mungesë të rezultateve në ekonomi, sundim të ligjit, mbrojtje të ambientit, investimeve dhe privatizimeve serioze dhe fitimprurëse për vendin, po përpiqet me koncerte dhe ceremoni të kota ti detyrojë njerëzit të gëzohen me zor, sepse, ja, tash jemi plotësisht të pavarur! Të pavarur për punë të hairit kemi qenë që nga 17 shkurti 2008, ndoshta edhe më parë. Problemi është se pjesa më e madhe e elitës sunduese të Kosovës ka prioritete të tjera prioritete që në çdo raport të organizatave ndërkombëtare ilustrohen me epitete të errëta.
Fakt është se në Kosovë po mbesin edhe disa misione ndërkombëtare, në radhë të parë EULEX-i, UNMIK-u, OSBE-ja. Në mungesë të efikasitetit qeverisës do të sillen vërdallë nëpër Prishtinë edhe ortakë të dyshimtë privatizimi nga vende të ndryshme. Në disa raste Kosova duket si një pulë, të cilën bashkë me çlirimtarët vendorë e rrjepin konsulentë e dashamirës, aventurierë e misionarë të ekonomisë gllabëruese, e cila nuk merr parasysh asnjë komponentë sociale. Por problemi qenësor mbetet skena kaotike politike e Kosovës: pothuaj çdo e keqe burimin e ka te mendësia halabake vendore.
Përballë sundimtarëve të tanishëm, megjithatë tani për tani për Kosovën është e domosdoshme një prani ndërkombëtare; shpesh dhe me të drejtë mund të kritikohet EULEX-i, por a mos po kërkojmë shumë nga një prokuror i huaj, i cili në Kosovë ballafaqohet me një kulturë krejt tjetër të perceptimit të drejtësisë? Kulturë e cila problemet i zgjidh jashtë sallës së gjykimit dhe ku frikësimi i dëshmitarëve është sport i tmerrshëm popullor. Asnjë sistem i drejtësisë nuk mund të funksionojë pa dëshmitarë. Në mbrojtjen e tyre kanë dështuar të gjitha misionet e deritanishme ndërkombëtare në Kosovë, ndërsa prej çlirimtarëve as që duhet pritur mbrojtjen e dëshmitarëve ata kanë vetëm një interes: ti detyrojnë të heshtin me metodat e njohura të (pas)luftës.
Sot, kur po botohet ky tekst, pra më 11 shtator 2012, asgjë e veçantë nuk do të ndodhë sa i përket Kosovës. Vendi do të mbetet ndër më të varfrit në Evropë; papunësia do të vazhdojë ti sillet rreth 40-përqindëshit; rroga mesatare do të jetë edhe më tutje 350 euro dhe ndoshta më e ulëta në kontinentin tonë; papunësia e të rinjve do të mbetet tmerrësisht e lartë dhe do të jetë problem me potencial shpërthyes, kur të merret parasysh se gati 50 për qind e 1,7 milionë kosovarëve janë të moshës së re (nën 25 vjeç); regjimi i vizave nuk do të hiqet në periudhën afatshkurtër. Por do të vazhdojë infiltrimi i administratës publike me milicë të shërbimeve sekrete partiake, do të mungojë kontrolli demokratik i institucioneve vitale dhe do të përparojë zgjerimi i rrjetit klientelist nëse ajo që quhet shumicë e heshtur e popullsisë nuk zgjohet për të hequr me votë nga pushteti një Qeveri thellësisht të papërgjegjshme; por kjo nuk mjafton: në fakt në Kosovë duhet të zhvillohet një mentalitet krejt tjetër shtetndërtues, i cili e ka parasysh të mirën e përgjithshme dhe angazhimin për mirëqenie të të gjithëve. Muzikë për të ardhmen? Po, por as shkrimi nuk do të kishte kuptim nëse nuk predikojmë ambicie të mëdha dhe synime të mira për një vend që e ka merituar lirinë dhe pavarësinë.
robelli@bluewin.ch


pishtari13.09.2012/12:24
shume titull i qelluar keshtu ti enver zotria nuk munedesh me nal islami sikur qe smunedh me ndal diellin me shosh e as islamin keshtu smundesh ta ndalesh edhe pse vazhdimishte shkruna kudner tij.

Drilon13.09.2012/09:34
O Enver jarani, ICO ka qene organizate komplotuese. Qellimi i saj ka qene ndalimi i perkpjekjeve per te ndalur privatizmin ose por te mos lejuar privatizmin e industrise se Kosoves per ndonje kosovar. Vertete e ke thur artikullin shume mire por qellimin e ICOs duhet thene haptas. Ajo ka parandalu qfaredo ligji apo norme qe shkon ne funksion te ekonomise vendore dhe duke mirembajt krimin dhe korrupsionin ne institucionet vendore. Me nje fjale ka qene biznis ne favor te te huajve. Fajet i kemi ne si popull qe kurr sprotestuam kunder politikaneve tone. Jemi shume te dobet.

Avdiu13.09.2012/06:46
Në Bosnje ishte batalioni holandez ai i cili ishte ngarkuar për të mbrojtur Srebernicenu,por u ... n burrat dhe djemt e Srebernicës 8000 veta,në Kosovë dirigjent i administrimi dhe zbatimit të Planit të Ahtisarit në tërë Kosovën ishte Feith, u kriju kakafoni e administrimit dhe u sakatu e tërë Kosova.Kur të deshironi ta allkoni ndonjë popull, lutuni që nji kohë ti qeverisin Kombet e Bashkuara dhe Ico se do tu duhen shekuj që të kendellen.

FAN .NOLI 12.09.2012/22:55
BRAVO . NJE MENTALITET KRET.TJETER OK PAVARESIN 1OO VJET DHE LIRINE POPULLI I KOSOVES PAGUJTI SHUM ME VIKTIMA OKUPIM DHE ME GJAK E LAV 1OO .VJET NDER OKUPIM SERB DHE 5OO VJET NDER TURQI NJEZIT QE KAN HUMBUR ANTARET E FAMILJES DHE NJEZIT QE NUK KAN GJETUR PERSONAT E TYR DO TE THON ME SY NGA QELLI NE QFAR UDHE KRYQI JEMI NE QE 13 VJET VENDI ME I VARFUR.NE EVROPEN DHE I IZULUARE NE BALLKAN DHE EVROPEN OK PAJTOHEM ME TY O NJERI KJO ESHTET E VERTET NJE AMEKIKAN KA LAN NJE FJAL TE MIR .VIN DITET E MIRA VETM DURIM OK TANI ESHTET ZHVILLIMI EKONOMIK NE KOSOVE DHE RAJON .








dadasi23.09.2012/11:32
nuk duhet harruar faktin se populli duhet te kete alternativ per te zgjedhur enver. ky eshte kushti. pra, jepe zgjidhjen, se si partit munden te krijojn njerze te afte eksperta ne koke e kjo ne leter per te marrur mandatin per te udhehequr.
kushti i dyte si matet puna e ketyre ekspertave dhe cfar konsekuenca do te kene ata?
kushti i trete si munden shtetet me te fuqishme ne bote, qe rrugakqet ti lejojne ta bllokojne rrugen dhe kufirin ne veri? po kjo ase majmunet ne gjungel nuk e gelltitin. tek ne elita ne leter dhe ... rike buzeqesh dhe heshte. ku jan hapat konkret ne teren. nuk ka diskutim aty, veprim pa asnje kushte. kfori gjerman po na tregon perralla. bllokoje vetem nje rruge ansore ne gjermani dhe kudo ne evrope, ase 5 min. nuk ke e mban dote. bile edhe shpenzimet e policies duhesh mi pagu dhe denimin me burge e merre menjeher. cka eshte ka behet ne kosove, ase ne gjungel ne mbese kafsheve nuk ndoshe, se edhe ato kan nje lloj rregulli.