ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Pulsi *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 187 *** 22:20    Dokumentar: “Njerëzit dhe kujtimet flasin” *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Veshka e Verës dhe imazhi i Kosovës

Publikuar: 01.08.2012 - 20:19

Si erdhi një ruse në Prishtinë për të shitur veshkën në klinikën “Medicus” dhe sa pagoi një gjerman për organin jetëdhënës? Cilët qeveritarë, këshilltarë dhe eksponentë të Partisë Demokratike të Kosovës ishin të përzier në rrjetin kriminal të tregtisë me organe? Këto dhe detaje të tjera ka zbuluar revista “Der Spiegel” në numrin më të ri. Imazhi i Kosovës sërish ka pësuar një goditje të rëndë – dhe për këtë përgjegjësit gjenden edhe në kolltukët qeveritarë në Prishtinë

 1.

Nuk rregullohet imazhi i Kosovës nëse Hashim Thaçi në mënyrë pothuaj klandestine vjen në Zvicër dhe merr titullin “Doktor nderi” nga një shkollë private e themeluar nga një ish-punëtor i OKB-së në Bosnjë. Nuk rregullohet imazhi i Kosovës nëse kryeministri i vendit merr pjesë në ceremonitë e hapjes së Lojërave Olimpike në Londër vetëm për të treguar faqe botës shqiptare se mund të udhëtojë nëpër vende të BE-së dhe aty-këtu mund të bëjë fotografi me ndonjë politikan që kalon rastësisht andej. Nuk ndreqet imazhi nëse ajo që po quhet presidente e Kosovës shkon në Londër dhe nuk di çfarë të bëjë dhe takon një politikan bjerrakohës britanik, i dyshuar nga mediet për korrupsion, i cili për para të majme kinse lobon për Kosovën, shkruan broshura dhe poston mesazhe prokosovare në Twitter. Fjala është këtu për Denis MacShane, i cili në vjeshtë të vitit të kaluar kishte marrë 10 mijë euro për një ligjëratë të mbajtur në një universitet privat në Prishtinë. Imazhin e Kosovës s’mund ta përmirësojnë as disa poterexhinj që mbajnë ligjërata bajate për sukseset e vendit në arenën ndërkombëtare apo që krekosen për organizim konferencash, ku pjesëmarrësit ia lyejnë njëri-tjetrit mustaqet me mjaltë, fshijnë, sipas mundësisë, ndonjë honorar dhe për gjendjen në Kosovë e vrasin mendjen mes avullit të saunës. Ka raste edhe më bizare: zyrtarë të lartë qeveritarë shëtisin nëpër Egjipt dhe Arabi Saudite, madje të shoqëruar nga bashkëshortet, dhe televizioni pseudopublik këtë vizitë e prezanton si “lobim për Kosovën”. Këto janë pak a shumë përpjekjet që bëhen sot nga ana zyrtare për përmirësimin e imazhit. Për më tepër imazhin e Kosovës përpiqen ta ndreqin gazetarë të blerë si prostituta nga ana e regjimit, ish-gazetarë që shkruajnë sipas muzikës së nëntokës politike, por edhe kalemxhinj aq të pafytyrë, që ditën në opinion paraqiten si “analistë politikë”, ndërsa natën marrin rroga, kontribute financiare, honorarë dhe ndonjë ëmbëlsirë tjetër që rrëshqet nga tabaku i pushtetit.

 2.

Për fat të keq imazhi i Kosovës ka rënë në pus dhe pjesën më të madhe të fajit për këtë e bartin pikërisht qeveritarët e tanishëm. Kapitulli më i tmerrshëm me siguri mbetet akuza e ngritur nga ish-prokurori zviceran Dick Marty mbi tregtinë me organe, të kryer gjoja nga eksponentë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Raporti i Marty-it – dhe kjo nuk po thuhet për herë të parë – pjesërisht është një përpjekje e ulët për të diskredituar pavarësinë e Kosovës. Për pjesët tjera të raportit duhet pritur hetimet. Një pjesë e akuzave të tij tashmë janë bërë objekt hetimesh ndërkombëtare dhe ndërlidhen me klinikën “Medicus”. Përkitazi me këtë garazh për masakrimin e njerëzve me qëllim të tregtisë me organe dhe transplantime prej muajsh ka hulumtuar revista gjermane “Der Spiegel”. Kështu së paku ka njoftuar redaksia e saj, e cila në numrin më të ri ofron detaje të reja mbi skandalin “Medicus”, i cili është temë qendrore e numrit. Nëse qeveritarët e Kosovës janë të interesuar të binden për këtë gjatë javës mund ta blejnë revistën “Der Spiegel” në kioskën te kafeneja “Monaco”, fare afër Newbornit.

 3.

Në qendër të rrëfimit është Vera Shevdko, e cila në korrik të vitit 2008, pak muaj pasi Kosova kishte shpallur pavarësinë, aterroi në Prishtinë. Vera, ruse me kombësi, punonte si pastruese në Izrael. Atje kishte shkuar disa muaj më herët, pasi në Rusi kishte lënë ish-burrin dhe vajzën 10-vjeçare. Vera kishte ardhur në Prishtinë nga Stambolli. Në avionin e njëjtë ishte edhe Walteri, një fabrikant i sëmurë gjerman, i cili kishte vendosur ta blinte veshkën e Verës. Ky biznes i përgjakshëm ishte organizuar nga mjekë dhe ndërmjetësues shqiptarë, turq, gjermanë, rusë – që të gjithë të etur për para dhe pa etikë fare. Ky sistem kriminal kishte funksionuar vetëm për shkak se ishte mbuluar nga mjekët dhe zyrtarët e Kosovës. Kështu thotë prokurori i EULEX-it, Jonathan Ratel, për revistën “Der Spiegel”. Ndërmjetësuesi që e kishte takuar Verën në stacionin e autobusëve në Tel-Aviv i kishte premtuar asaj 10 mijë dollarë nëse e dhuron veshkën. Në takimin e dytë kishin marrë pjesë edhe dy gra të tjera; një burrë ishte përpjekur t’i bindë këto gra se dhënia e veshkës nuk ka pasoja për shëndetin, ndonëse e kundërta është e vërtetë, sipas mjekëve të pavarur dhe me etikë. Mjekët e klinikës “Medicus” pa vonuar ia nxorën veshkën Verës. Kur ajo u zgjua nga narkoza, në trup kishe të lidhur një zorrë plastike. Moshe Harel, një izraelit, i dha asaj një zarf me 8100 euro brenda – ndonëse jo vetëm në Kosovë, por në gjithë botën, sipas “Der Spiegel”, është e ndaluar blerja dhe shitja e organeve. Por kush bëhej merak për këtë në Prishtinë. Mjekët e firmës për masakra “Medicus” e konsideronin veten të fuqishëm. Zyrtarisht pronar i klinikës ishte mjeku gjerman, Manfred Beer, i cili sot thotë se nuk ka ditur për këtë kapitull të errët të “Medicusit”, por deklarata e tij, sipas “Der Spiegel”, nuk tingëllon e besueshme. E paqartë mbetet se si u bë një mjek gjerman pronar klinike në Kosovë. Avokati i mjekut Lutfi Dervishi, i cili ishte përgjegjës i klinikës “Medicus”, ofron këtë shpjegim: gjermani Beer e kishte strehuar familjen Dervishi gjatë luftës; pas kthimit në Prishtinë Dervishi i kishte propozuar gjermanit të hapnin një klinikë moderne kirurgjike në Kosovë. Avokati thotë se Beer në Kosovë ka investuar tre milionë euro. Por “Medicus” me gjasë nuk ishte klinikë (vetëm) kirurgjike, siç pretendon Beer. Hetuesit e prokurorit Ratel kanë gjetur në një server amerikan disa e-maila, ku në njërin prej tyre Beer e pyet Dervishin se çka u bë me paratë e fituara dhe kërkon prej tij që t’i deponojë ato në një xhirollogari bankare. Në mars të vitit 2008, Dervishi i shkroi partnerit gjerman se është duke zhvilluar biseda me njerëz në Kosovë dhe Turqi. Në një gjermanishte të dobët Dervishi shkruan: “Ne kemi me transplantime të veshkave filluar. Rasti i parë është bërë. Edhe një ne bëjmë më 28 këtij muaji”. Beer thotë se nuk i kujtohet emaili i Dervishit.

 4.

Revista gjermane “Der Spiegel” njofton se që nga tetori 2011 po zhvillohet një proces gjyqësor lidhur me klinikën “Medicus”; të akuzuar janë katër mjekë dhe një ish-sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë. Mbi ta rëndojnë akuzat e tregtisë me njerëz, krimit të organizuar dhe ushtrim i palejuar i veprimtarisë mjekësore. Mes të akuzuarve është edhe Lutfi Dervishi, profesor universiteti. Sipas aktakuzës, Dervishi kishte mbajtur lidhje me qarqet më të larta qeveritare të Kosovës. “Ai takohej personalisht me ministrin e Shëndetësisë dhe me këshilltarin e kryeministrit (fjala është për Shaip Mujën e Hashim Thaçit, v.j.). I akuzuar është edhe një ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, i cili kokë më vete ia kishte dhënë klinikës ‘Medicus’ lejen për transplantime organesh, të cilën sipas ligjit kurrë nuk ka mundur ta merrte”, shkruan “Der Spiegel” dhe vazhdon: “Akuzat për tregti me organe në Kosovë shpejt u shndërruan në temë politike: ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte, dhe raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, kanë pretenduar viteve të fundit se kryeministri i shtetit të ri, Hashim Thaçi, si luftëtar i trupës kosovare UÇK në fund të viteve ‘90 paskësh lejuar që të vriteshin të burgosurit serbë në mënyrë që t’u merreshin organet. Dëshmi të sigurta deri më tani nuk kanë paraqitur as Marty, as Del Ponte, por (misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, v.j.) EULEX është duke zhvilluar hetime nga shtatori 2011”.

 5.

Mjeku kryesor që ishte marrë me operime dyshohet të jetë turku Yusuf Sönmez, nga mediet ndërkombëtare i quajtur herë “Dr. Korbi”, herë “Dr. Frankenstein”. Vera, rusja që e shiti veshkën për pak para, thotë për “Der Spiegel” se e kishte njoftuar Dr. Sönmezin në Prishtinë. Ajo ankohet se ai nuk ishte përgjigjur në asnjë pyetje të saj, as në rusisht, as në hebraisht – dhe e “kishte injoruar si një copë mish”. Sönmez është arrestuar në Turqi, por pasi ka paguar një kaucion, është duke e gëzuar lirinë. Turqia refuzon ta ekstradojë atë në Kosovë. Sönmez, sipas hetimeve, kishte bashkëpunuar me Moshe Harelin. Ai dyshohet se ka organizuar dhuruesit e organeve. Pas aksionit të policisë në Kosovë kundër klinikës “Medicus” Harel u arrestua në Prishtinë, por pas pak javësh ai nga gjykata u lejua të shkonte në Turqi, sepse nëna e tij gjoja ishte e sëmurë. Harel nuk është kthyer kurrë në Kosovë, ndërkohë që prokurori kanadez Ratel gjithnjë e më shumë e humb besimin se do të përmbyllet ky proces. Vera tani është penduar që e ka shitur veshkën; fabrikanti gjerman me emrin Walter jeton me veshkën e gruas së varfër dhe të mashtruar nga mafia kosovare, turke, izraelite dhe ruse. Sipas hetuesve, Walteri kishte paguar 81’892.72 euro për veshkën e Verës dhe shërbimet e tjera. Prej kësaj shume Vera mori 8100 euro. Se në xhepat e kujt kanë përfunduar 73’792.72 euro, ndoshta do të tregojnë hetimet e mëtutjeshme.

 6.

Çfarë na tregon ky rrëfim i përgjakshëm? Na tregon imazhin me të cilin sot identifikohet Kosova. Na tregon se eksponentë të pushtetit, të grumbulluar rreth Partisë Demokratike të Kosovës, nuk kanë zgjedhur mjet për të fituar para; aty ku disa prej tyre e kanë nuhatur duhmën e gjakut fitimprurës nuk kanë menduar mbi pasojat për vendin. A është e mundshme që kryeministri Hashim Thaçi të mos ketë ditur gjë mbi aktivitetet e këshilltarit të tij për shëndetësi, Shaip Muja, i cili për turpin e Kosovës është edhe përfaqësues i popullit në Kuvend dhe shpesh di të llomotisë fraza pseudopatriotike? Ky grup njerëzish të papërgjegjshëm sërish e solli Kosovën në ballinën e revistës “Der Spiegel”. E, siç dihet, kjo revistë nuk mungon në asnjë zyrë vendimmarrëse, nuk mungon as në tavolinën e kancelares Angela Merkel, as në tavolinat e kryeredaktorëve të gazetave dhe televizioneve, as në tavolinat e specialistëve të Ballkanit. Tirazhi i shitur i kësaj magazine informative është – në daç besoni, në daç jo – 906’804 ekzemplarë! “Der Spiegel” është revista më e madhe politike e Evropës. Vetëm një grup me potencial të hatashëm kriminal e ka “nderin” të stolisë ballinën e “Der Spiegel”. Në shqip “Der Spiegel” domethënë pasqyrë. Pse Kosova doli në këtë pasqyrë, është një pyetje që shoqëria e Kosovës duhet t’ua bëjë atyre që publikisht thonë që po punojnë për popullin, por fshehurazi vringëllojnë thikat e krimit të organizuar.

 robelli@bluewin.ch



 

Komente (16)

Saki13.09.2012/09:57

Per ICE Gjermanet skane faj qe per shkak te fukarallakut kosovaret e shkrete duhet lyp azil neper Gjermani etj. Ata shkruajne per te informu popullin e vet pse ikun shqiptaret nga Kosova. Ikun nga jeta ... qe udhehiqet nga kriminelt e shumte ne pozita udheheqese. Klinika Medicus eshte zeri ne krahasim me spitalet e Kosoves ku dhunohet dhe masakrohet populli shqiptar psiqikisht e fizikisht nga sistemi i korruptuar shendetsore.

ice06.08.2012/00:50

Respekte per ty gazetar i nderuar !?
ju shkrimin e keni zanat une jo ama te lutem pse ju vet po na njollosni me shume se te huajt,pse nuk mundoheni ti tregoni botes se ky eshte rast individeshdhe aty te huajt qe din te shfrytezojne vakumin ne ligje e jo kolektiv, more burr po keto gjera ndodhin ne dimiensione shume me te medha ne shtetet me demokratike ,ama ata i lufton shteti e jo gazetari.
Nuk jam duke mbrojtur askend ama nuk pajtohem me ty i nderuari gazetar,ti duhesh ti tregojshe botes se nuk eshte rast unikat Medikusi i Kosoves,ke X raste te tilla neper bote qe nuk zbulohen kurr.Rrjeti mafioz nderkombtar e gjen nje kurban sa mi dhen rast si shoqit tend e tjerve te shkruajn diqka e ne tjerat vende zhvillon biznesin .
Ehh Kosova,jena ber shtet eksperimental, kush don qka do bon ... !!!?

llula03.08.2012/20:55

Z.Robeli,je i pa zavendsueshem,je me i lexueshmi dhe me i guximshmi.Shqiptaret e zi kan mbetur si lepujt neper qen dhe nuk po guxojn me levize as me vesh.Deri kur nuk munde te imagjinoj por kata uzurpues te pushtetit duhet te zhduken edhe fizikisht e jo vetem politikisht.

Fita 02.08.2012/20:36

Enver kur lexova artikullin tend mu kujtua diqka nga Napolon Bonoparta.Napoloni kishte nje berber te besueshem,dhe nje dite duke e rruajtur berberi i thot,Napolon ti zoteron gjith boten dhe gjithe ta kan friken por ne fund te fundit qafen e ke nen briskun tim ku me nje levizje te vogel mund ta presi koken.Napoloni nuk foli kurse berberi qeshi pak si me vete.Mbasi mbaroi rruajtja Napoloni u ngrit dhe dha urdher Vareni menjeher.Po pse tha berberi un beja vetem shaka.Dhe Napoloni pergjigjetVetem kaq me mjafton qe ty te eshte krijuar ajo ide.Pra edhe ky bisnes me organe ne mes te Kosoves mjafton per Dik Martin dhe Karla del Ponte te dyshojne se keta pseudo patriota kan pasur nje ide te tille edhe gjat luftes ne Kosove, e ne realitet nuk kan pasur kete mundesi.

O ha jo02.08.2012/20:29

Artikull me vend.I lumt autorit te ketij artikulli.Cdo gje per mrekulli.Kemi edhe shume per te diskutuar por nuk po premton koha sepse jam shume i zene.Mundesisht do te takohemi...Zoti ju ndighmofte

I zhgenjyeri02.08.2012/20:17

Dikur jemi krenuar per te qene shqiptar dhe kudo qe kemi shkuar neper bote kemi prezentuar tiparet dhe vetite e mira qe kan pasur dikur shqiptaret apo edhe kosovaret se ne njejte jemi si andej gardhit sie kendej gardhit. .. e sot, ka ardhur koha qe te turperohemi qe jemi shqiptar apo ne dacit edhe kosovar, njejte eshte. Me besoni se jo vetem "Der Spiegel" por nuk ka mbetur pothuaj kanal teliviziv ne Gjermani qe nuk ka bere kesaj jave ndonje reportazh ne lidhje ne kete.E pra Kosove e nderuar, dergo sa te duash ti ambasadore, Hashima e Atifete apo edhe Pacolla ku te duash neper bote, se as "qerrk" nuk do te mund ta permiresojne imazhin katastrofal te Kosoves ne bote.Kanale televizive gjermane nuk shikohen vetem ne Gjermani e Evrope, por edhe ne Bote Deutsche Welle, NTV, Euronews, Deutschlandfunk, ARD, te gjitha emetojne programe edhe ne Anglisht.Vertet turp i madh per ne, me vjen turp ti them dikujt ketu se jam nga Kosova.

hivzi pacolli02.08.2012/17:39

E per ti kompletuar te gjitha mediatr me keter raport edhe vizuel u paraqit para 3 ditesh televizioni shteteror ZDF gjerman

Luani 02.08.2012/14:03

Shpëtuan shkijet qe e leshuan Kosoven!

fatmiri,split,kroaci02.08.2012/13:48

i nderuar z.robelli,keni te drejte plotesisht,edhe une pajtohem me ju,por duhet te dini se shqiptaret ne pergjithsi qe jetojne ne shqiperi,kosove dhe ne maqedoni i ka kapluar nje injorance totale,tani qendrova nje muaj per pushime dhe tani mendoj se ky popull,meqe cdohere i voton kusaret e hajnat nuk meriton te jetoje me mire dhe as qe mund te enderoje per shtet me te mire

GONI02.08.2012/09:12

Gjëra të tilla të liga çdo ditë e më tepër po dalin në shesh. Besoj se këto gjëra po e determinojn një reaksion ireverzibil dhe të pakëndshëm ndaj pushtetarve tan. Tani ora ka filluar të troket së prapthi për ata të cilët e keqpërdorën "anarkin patriotike", të cilët shtiren edhe sot e kësaj dite si të vërbër ndaj vetes së tyre dhe ndaj qytetarve të cilët tani më e kan kuptuar patriotizmin e këtyre "patriotëve"!

Shpresa Gjermani02.08.2012/09:11

I nderuari z. Robelli,

E kam lexuar dje artikullin ne "Der Spiegel" dhe me te vertete e kam ndier veten shume keq, kur lexon kesi lajme qe si rrufeja shperndahen ne cdo cep te tokes. Dhe mendoja, sa poshte ka ra vetedija njerezore, qe nuk zgjedhin metoda fare por kryesorja te arrihet te pasuria...Nje nuk po mund ta kuptoj edhe sa do te zgjase ky ballafaqim i popullit me keqperdorimet e qeveritareve me bashkepunetore, qe cdo dite e me teper po ia zene diellin Kosoves time te dashur. Por kam nje shprese se nje dite te gjithe keta qe luajne me jeten gjeja me e rendesishmee njeriut ta marrin denimin e merituar.

femka02.08.2012/09:00

Keshtu ndodhe me nje vend kur udhehiqet nga njerez qe interesin personal e kane mbi te gjitha. Ne kete rast vendi humbe, ndersa fiton armiku Serbia. Ne Kohen e Rugoves situata ka qene krejt ndryshe.

rraci02.08.2012/00:13

Pajtohem plotesisht me kete shkrim, eshte per te ardhur keq se sa eshte prishur imazhi i Kosoves sot ne bote per shkak te ngjarjeve te tilla, dhe pergjegjesine me te madhe per kete e kane "udheheqesit ". Kete fakt te hidhur e perjetojne ndoshta me se keqi bashkatdhetaret tane jashte vendit te cilet jane deshmitare te mendimeve negative qe mbreterojne sot ne bote kur eshte fjala per Kosoven, ndersa qeveritaret tane mundohen ta mbajne popullin ton ne iluzion se çdo gje eshte duke shkuar mire.

skenderi berlin01.08.2012/21:39

jam kunder ksaj qeverisje qfar asht ne ket koh tu qeveris ne kosov po keta analisstet te shkojn per nerva ti nese e din si ngritet imazhi i kosoves ateher fol me fakti si mos u bani si grat e kqia fjalse

Hastret Hetemi01.08.2012/21:14

o vllazni imazhi ikosoves nuk ka te permisohet kurr me hajni eme rren eme korrupsione eme marrje te organeve te femrave ruse kto duhet mu ndalue rrepsisht ne kosov dhe duhet gjet njerzit qe punojn dhe ja kthejn imazhin siq duhet kosoves flm per mirkuptim.............

ana01.08.2012/20:42


Po qysh nuk kishin pas as gjak shqiptari keta pisa qe e quajen veten clirimtare!!!Jnea ba me ua kthye lirine ketyre pisave atje ku mendojne se e kane marre!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!

1000  Karaktere
Prishtinė 25°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė 25°CMe vranėsira tė pjesshme
Shkup 30°CMe vranėsira tė pjesshme
Prishtinė27°CMe diell
Tiranė28°CMe diell
Shkup30°CMe diell