ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 19:55    Moti *** 20:00  Oxygen  *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Tallja publike me Republikën e Kosovës

Blerim Shala Publikuar: 10.07.2012 - 22:10


Gjendja politike në vend, realisht, është kthyer në atë të para 6 prillit të vitit të shkuar, të gjitha opsionet janë të hapura, secili më i keq se tjetri, duke vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë edhe ashtu të brishtë të politikës kosovare.

Ia vlen të niset me anekdotë. Sepse thuaja gjithçka këndejpari është për tallje. Mbi të gjitha, politika.

Këtë anekdotë e dini të gjithë, me siguri. Një kalimtar rasti, e sheh një karrige para një shtëpie, dhe vendos të shprehë ngushëllime në këtë të pame. Me të hyrë, pasi që pyetet me të zotët e shtëpisë që kanë zi, nis të përmendë më të moçmit e kësaj familje,je duke menduar që dikush prej tyre ka vdekur. Të zotët përgënjeshtrojnë një nga një emrat e veçuar prej tij, duke thënë se ata janë gjallë. Më në fund, këtij i plasin nervat dhe thotë: Dikush prej jush me siguri ka vdekur, sepse ndryshe nuk do ta kishit karrigen te dera e hapur.

Dera e politikës kosovare është hapur me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të 6 korrikut të këtij viti. Për kë është kjo e pame, ndoshta mund të kuptohet në fund të këtij shkrimi.

Pra, tashmë e dimë të gjithë që Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka mbështetur argumentet e presidentes Jahjaga, e cila në shkresën dërguar kësaj Gjykate, me kërkesën e saj (të Gjykatës), për ta dhënë interpretimin e amendamenteve kushtetuese, ka pohuar që shkurtimi i mandatit të saj që parashihet me organizimin e zgjedhjeve të para të drejtpërdrejta presidenciale, mohon të drejtat e saj njerëzore.

Pasojat e këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës janë të shumëfishta, ato, realisht, tek do të kuptohen dhe do të merren vesh, por i pari konkludim që të bie ndërmend është që ky verdikt i Gjykatës, me apo pa dashje kjo këtu nuk ka fare rëndësi, ka bërë hi e pluhur Marrëveshjen politike të 6 prillit, 2011, të arritur midis kryeministrit Hashim Thaçi, Isa Mustafës, kryetarit të LDK-së dhe Behxhet Pacollit, kryetarit të AKR-së, të ndërmjetësuar nga Christopher Dell, ambasador i SHBA-së në Kosovë.

Pra, gjendja politike në vend, realisht, është kthyer në atë të para 6 prillit të vitit të shkuar, të gjitha opsionet janë të hapura, secili më i keq se tjetri, duke vënë në pikëpyetje këtë qëndrueshmëri edhe ashtu të brishtë të politikës kosovare.

Gjithçka është kthyer mbrapsht, pos Atifete Jahjagës, e cila mbetet presidente e Kosovës, me mandat të plotë pesëvjeçar, që do të thotë deri në pranverën e vitit 2016.

Presidentja Jahjaga me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese është fuqizuar me një konfirmim të legalitetit dhe është shfuqizuar krejtësisht me mungesën e plotë të legjitimitetit.

Presidentja Jahjaga është zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, me 7 prill, 2011, si rezultat dhe si përfaqësuese e Marrëveshjes politike të 6 prillit, 2011. Nëse kjo Marrëveshje nuk është në fuqi, presidentja Jahjaga ka një deficit të pariparueshëm të legjitimitetit. Thënë fare qartë, pa këtë Marrëveshje, ajo nuk përfaqëson askënd dhe asgjë. Do të ishte tallje me mendjen e shëndoshë të qytetarëve të Kosovës (e mendja e shëndoshë nuk i nënshtrohet dot interpretimit a shpjegimit të Gjykatës Kushtetuese), të mohohej ky konkludim.

Po si mbërritëm si shoqëri, si politikë kosovare në këtë gjendje, e cila aktualisht, nga perspektiva e sotme duket tej mase e ndërlikuar dhe problematike?

Së pari, me organizimin e një manipulimi industrial (kush thotë që Kosova nuk ka fare industri?) të zgjedhjeve të dhjetorit të vitit 2010, i cili bëri që institucionet e dala nga këto zgjedhje të kenë një legjitimitet të diskutueshëm, për të mos thënë që ato nuk kanë fare legjitimitetin e duhur.

Së dyti, me vendimin e çuditshëm (thënë më së buti), të Gjykatës Kushtetuese të marsit të vitit 2011, ku trajtohej procedura e zgjedhjes së Behxhet Pacollit në postin e presidentit të Kosovës, me 22 shkurt të vitit 2011.

Sipas këtij vendimi, dilte që ajo që ka ndodhur, apo votimi në tre rrathë për presidentin e Kosovës në  Kuvendin e Kosovës, nuk ka ndodhur fare, sepse nuk ka pas bazë kushtetuese për të ndodhur.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ato ditë i ka pasur dy udhë, vetëm dy udhë në këtë rast: Ose të pranojë që zgjedhja e presidentit në Kuvendin e Kosovës është në pajtim me Kushtetutën, ose të konstatojë që ajo ka thyer Kushtetutën e Kosovës, duke pasur si konsekuencë, me dështimin e zgjedhjes së presidentit, shpërbërjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të reja, të jashtëzakonshme parlamentare, të dytave me radhë brenda një kohe të shkurtër.

Por Gjykata zgjodhi rrugën e tretë, sipas së cilës dilte që në fakt, asgjë nuk ka ndodhur në Kuvend, apo që mund të nisë prej fillimit zgjedhja e presidentit të Kosovës.

U pa ashiqare që ata që e bënë Pacollin president të Kosovës, po të njëjtit edhe e shkarkuan atë prej postit, përmes Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke dashur t’u shmangen me çdo kusht zgjedhjeve të reja të përgjithshme, ku me gjasë, më nuk do të mund të përsëritej ai ‘spektakli’ i zgjedhjeve të dhjetorit 2010.

Së treti, në përpjekje që disi të shmanget skenari i një shpërbërjeje të plotë të politikës kosovare, u arrit Marrëveshja politike në bisedat intensive që prira prej ambasadorit Dell, me pjesëmarrjen e Thaçit, Pacollit dhe Mustafës.

Kjo Marrëveshje kishte pretendime të qarta: Të bëhen reformat rrënjësore të Ligjit për organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme, të bëhet ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës sa i përket mënyrës së zgjedhjes së presidentit  (ai, ajo, të zgjidhet drejtpërdrejt), të ndryshojnë afatet e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentar, apo, të hyhet në një transicion politik, i cili do të ketë edhe një figurë kalimtare në postin e presidentit.

Kjo ishte Atifete Jahjaga, atëherë zëvendësdrejtore e Policisë së Kosovës.

Marrëveshja politike u kodifikua me një Rezolutë në Kuvendin e Kosovës dhe me votimin e Atifete Jahjagës, për presidente të Kosovës.

Askush në Kuvendin e Kosovës, në politikën kosovare, tek qytetarët e vendit, me atë 7 prill, duke përfshirë pra këtu vetë Atifete Jahjagën, nuk ka besuar që kemi të bëjmë me zgjedhjen e presidentit të Kosovës, me mandat të plotë pesëvjeçar.

Krejt në fillim të fjalës së saj, presidentja e sapozgjedhur Jahjaga, iu drejtua në këtë mënyrë deputetëve: ‘Zgjedhja ime presidente e Republikës së Kosovës shpreh qëndrimin koncensual dhe marrëveshjen ndërmjet partive politike parlamentare për kapërcimin e krizës politike dhe për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për të ardhmen e vendit, duke bërë ndryshimet e nevojshme në Kushtetutën e Kosovës dhe në sistemin zgjedhor, si dhe duke caktuar një agjendë të qartë të veprimeve institucionale për tre vjetët e ardhshëm’.

Këtu gjithçka është e qartë. Këto qëndrime të presidentes Jahjaga nuk lënë vend për asnjë dyshim se çfarë pritej të ndodhte në politikën kosovare tash e tutje, prej atij 7 prilli në Kuvendin e Kosovës.

E tash po del, në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që me 6 dhe 7 prill të vitit 2011, me Marrëveshjen politike të 6 prillit dhe Rezolutën e Kuvendit të Kosovës të 7 prillit, ka ndodhur një shkelje masive e Kushtetutës së Kosovës, prej Hashim Thaçit, Isa Mustafës, Behxhet Pacollit, deputetëve të Kuvendit të Kosovës, edhe prej vetë Atifete Jahjagës (sepse ka pranuar të zgjidhet përmes një Marrëveshjeje dhe një Rezolute antikushtetuese).

Ky konkludim nuk mund dot të zmbrapset.

Nëse kjo Marrëveshje dhe kjo Rezolutë është në kundërshti me Kushtetutën e Kosovës, qoftë edhe pjesërisht, kjo do të thotë që jo vetëm që presidentja Jahjaga nuk i detyrohet asaj, por as edhe kryeministri Thaçi. Që të dytë, natyrisht, kanë thënë dhe do të thonë që janë të detyruar t’i respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Kjo do të thotë që Hashim Thaçi mund të mbetet kryeministër deri në vitin 2014 dhe Atifete Jahjaga, presidente e Kosovës deri në vitin 2016.

Po del pra tash, nëse këtu hauzojmë fjalorin e përdorur në komentim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin Pacolli, që ajo çfarë ka ndodhur botërisht me 6 dhe 7 prill të vitit 2011 nuk ka ndodhur ashtu siç e kanë menduar deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe mbarë opinioni kosovar, apo që e tëra ka qenë një show i madh dhe mashtrim edhe më i madh politik.

Zaten, mashtrimi dhe hipokrizia janë tipare kryesore të politikës kosovare.

Nuk është edhe aq vështirë të kuptohet se cili është në fakt qëllimi i gjithë këtyre fizkulturave politike vendore dhe ndërkombëtare në Kosovën e lodhur githqysh. Kësaj teme realisht vlen t’i kthehemi shumë më shpesh tash e tutje, dhe këtë do ta bëjmë të gjithë, dashur e padashur, sepse ky duket të jetë qëllimi kryesor i të gjitha këtyre zhvillimeve politike në vend me adresa fare të qarta të autorësisë së tyre. Pra, dëshirohet që të ndodhë një konfigurim i qartë i qeverisjes me Kosovën prej tash e tutje, duke pasur një president me mandat pesëvjeçar, i cili nuk ka kurrfarë legjitimiteti dhe asfarë fuqie politike, dhe duke detyruar të gjitha forcat politike vendore të përqendrohen në një luftë të madhe politike me të gjitha mjetet, për postin e kryeministrit të Kosovës, pa pas mundësi (ato parti a subjekte), që të bëjnë llogari më të detajizuara, më gjithëpërfshirëse për mënyrën se si do të organizohen institucionet qendrore të vendit.

Çfarë e pret Kosovën me këtë skenar është një destabilizim i vazhdueshëm politik, i cili do të ndikojë në rënien e mëtejme të çmimit a vlerës së Republikës së Kosovës.

Skenari tjetër është lansimi i bisedave të reja politike midis politikanëve kryesorë të vendit për arritjen e një tjetër Marrëveshjeje të re politike, e cila tani nuk mund dot të shmangë presidenten Jahjaga, sepse ajo e ka në duart e saj fatin politik të Kosovës në vitet e ardhshme.

E tash mund t’i kthehemi anekdotës së fillimit. Në pyetjen se për kë është hapur dera politike e Kosovës, apo për kë është e pamja, mund të zgjidhni midis këtyre përgjigjeve: Për demokracinë në vend, për dinjitetin politik, për stabilitetin politik.

Nuk do të gaboni në përzgjedhjen e juaj, cila do qoftë ajo.



 

Komente (3)

Dini4512.07.2012/11:04

Me nje Kryetar te dobet te Parlamentit te Kosoves me te gjithe te tjeret kryetare te grupeve parlamentare, e pse jo, edhe me nje Kryesi te dobet te ketij Parlamenti, shtojme ketu edhe dobesine e Gjykates Kushtetuese, katrahura dhe agonia e gjithe te sajuares ishte e gacme.

xheku11.07.2012/00:27

a do te vije ajo dite qe ju zotri i nderuar Blerim Shala,te jeni president apo kryeminister i kesaj Kosove te lodhur nga gjithqka.po me nji lule nuk qel pranvera,sikur te kishte edhe nja dhjet lule,te pakten,si ju,atehere ndryshe do te kishte me qen kosova.zoti te ndihmoft e te dhasht fuqi e jet te gjet.respekt

Ganiu10.07.2012/23:32

Unë po ta tregojë nji anekdotë më të mirë
Njeni ja kish pas lyp njonit qiken për djal disa herë e me disa msit dhe nuk arrijti sukses. Dikur i ra në mend hoxhen e ri të katunit ta qojn msit, dhe e qoj. Hoxha që ishte i pamartuar ishte marakli në msitni dhe shkoj te baba i qikes msit për këtë fukarajen me qëllim që me ja qel derën me nji rob të mirë. babai i qikes ish kon idhnu boll nga msit e shumt të dërguar nga i njejti lyps dhe ja prejti hoxhes valla une kujtova se ke ardh msit per veti se për atë filanin nuk vjen në shprehje kurr. Hoxha tuj e pa qiken e mirë e tuj u zhegit e tuj u mendu, harroj që ishte i dërguar i dikujt dhe i tha babës së qikës Si ke qajo fjala që ma tha? a bon qashtu, a e lejon feja dhe kanuni? baba i qikes i tha Feja dhe kanuni jam une. Une kerkujt fjalë nuk i kom dhon dhe jam bab i saj dhe ja jap kujna të du dhe si ta dush hajde perhajr na koft miqasija. hogja tha hajde perhajr pra mosi po bojka. E kur u kthy nuk shkoj te fukaraja hiq. Fukaraja erdhi dhe e pyti hoxhen për msitni. Hoxha i tha hajt te shpija se menxi e bona per veti se per ty sish kon nren hiq. E kështi naj boni Atifetja, e kështu naj boni Hashimi, njihere përfaqsues politik e njiher perfaqsues i atij e i këtijë e masmrami naj mur krejta. Kështu ja boni edhe Sala, njiherë përfaqsues i studentave e pasandej i turmës e mas mrami i mori krejta vet, kështu ja kish pas bo Vlora dhe Ismajl Qemajli, se Flamuri dhe kuvedi ishin kon pas bo nijet me u pa në Shkup...he kjo historia e jon ish kon shumë heret dhe nga shumë kush e uzurpume e e përvetsume në shumë aspekte.

1000  Karaktere
Prishtinė 18°CKryesisht me vranėsira
Tiranė 18°CMe vranėsira tė pjesshme
Shkup 23°CMe vranėsira tė pjesshme
Prishtinė19°C
Tiranė19°C
Shkup26°CRrebesh shiu