ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubiko *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 188 *** 22:20    Anima *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

“The Economist”: Një hap drejt integrimit

The Economist Publikuar: 10.07.2012 - 21:58

Samiti më i ri evropian arriti më shumë progres se zakonisht – por ende jo mjaftueshëm

A ishte samiti i 19-të evropian i krizës, i mbajtur në Bruksel javën e kaluar, një ngjarje që ndryshon kahe? Nëse gjykojmë në bazë të euforisë në tregjet financiare dhe tek shumica e komentatorëve, përgjigjja duket të jetë pozitive. Përfitimet mbi obligacionet italiane dhe spanjolle pësuan rënie të konsiderueshme, pasi që investitorët e kuptuan se liderët politikë të Evropës ishin përkushtuar për krijimin e unionit bankar, duke u mundësuar shteteve në telashe një qasje më të lehtë në fondet e shpëtimit të eurozonës. Kryeministri i Italisë dhe ai i Spanjës, Mario Monti dhe Mariano Rajoy, ashtu si edhe presidenti francez, Francois Hollande, u përgëzuan për arritje të fitores ndaj kancelares gjermane, Angela Merkel. Ajo, në anën tjetër, u kritikua nga njerëz të shumtë në Gjermani, se kishte lëshuar pe përballë shantazhit.

Ashtu si ndodh shpesh, samiti ishte cilësuar si samit vendimtar, në të cilin liderët politikë të Evropës është dashur të paraqesin vizionin e tyre për integrim ekonomik dhe politik për shpëtimin e valutës së përbashkët. A pritet që euforia të zhduket, ashtu si edhe në të kaluarën?

Samiti dha arsye për optimizëm të matur. Politikanët e Evropës kanë thënë se do të krijojnë një bankë mbikëqyrëse për tërë Evropën (duke përfshirë Bankën Qendrore Evropiane) para fundit të vitit. Është ky vetëm një zotim, por nëse historia e politikëbërjes evropiane merret për bazë, atëherë eurozona do të përjetojë përçarje rreth detajeve dhe do të merret vesh vetëm atëherë kur nuk ka rrugëdalje tjetër. Së dyti, duke e pranuar se fondet e shpëtimit mund të shkojnë drejtpërsëdrejti në banka, Merkel pësoi një ndryshim të madh nga insistimi i saj që ndihma t’u jepet vetëm qeverive, të cilat do të duhej të plotësonin kushte strikte. Logjika gjermane se ndarja e përgjegjësisë financiare duhet të nënkuptojë edhe mbikëqyrje të përbashkët mbetet e njëjta. Por, duke pranuar rikapitalizim të përbashkët të bankave, Merkel e ka pranuar një nocion më të gjerë të ndarjes së risqeve. Ajo është ende larg pranimit të ndarjes së pjesshme të borxheve, gjë për të cilën ka nevojë eurozona, ndonëse ka bërë një hap të rëndësishëm larg obsesionit të Gjermanisë me masa strikte fiskale.

Megjithatë, samiti pati edhe mangësi. Politikanët e Evropës nuk u përkushtuan për një union bankar. Nuk pati marrëveshje për sigurim të depozitave evropiane apo një skemë të përbashkët bankare. Po ashtu, ndonëse në samit u arrit marrëveshja se fondet e shpëtimit të eurozonës mund të injektohen drejtpërsëdrejti në banka, një gjë e tillë është e lidhur me mbikëqyrjen e përbashkët bankare.

Megjithatë, një numër premtimesh të kufizuara janë më mirë se asgjë, ndonëse nuk i ndihmojnë së ardhmes së euros. Shumëçka mund të shkojë keq. Në një sistem që parasheh unanimitet, kundërshtimi i Finlandës dhe Holandës janë dëshmi se hapa të reja do të nevojiten. Sfidat ligjore tashmë janë paraqitur para Gjykatës Kushtetuese Gjermane. Partnerët e Merkelit dhe madje edhe disa kolegë të saj partiakë janë duke kërcënuar me pengesa. Po ashtu, problemet ekzistuese nuk janë larguar: vendime të rënda do të duhet të merren rreth asaj nëse duhet t’i jepet më shumë ndihmë Greqisë.

Për këtë arsye, vetëm një guximtar do të mund ta quante këtë samit si pikë kthese për euron. Duke pasur parasysh se marrëveshja rreth autoritetit bankar nuk do të merret edhe disa muaj, atëherë del se ndryshimet themelore kushtetuese për mbështetjen e unionit bankar dhe euroobligacioneve janë shumë larg. Perspektiva për ekonominë evropiane dhe botërore po errësohet. Recesioni do të pengojë politikën normale dhe do të krijojë trazira për tregjet. Eurozona e kaloi lehtë provimin këtë samit, por asaj do t’i duhet që vendosmërinë ta dëshmojë edhe në të ardhmen.

 

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 15°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė 15°CMe vranėsira tė pjesshme
Shkup 14°CKryesisht me vranėsira
Prishtinė26°CKryesisht me vranėsira
Tiranė29°C
Shkup31°C