ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 15:15 Oxygen ® *** 17:00 KOHA E LAJMEVE *** 17:15 Oxygen ® - Vazhdimi *** 19:00 Lajmet e mbrëmjës *** 19:40 Serial Për femijë " Little Chearlies Bear " . Epis 13, 14, 15 *** 20:15 N'darkë *** 21:30 Sporti Total *** 22:55 Marketing *** 23:00 KOHA E LAJMEVE ...

Shtrenjtë e më shtrenjtë

Publikuar: 23.06.2012 - 21:11

Tregimi mbi politikën që jep me një dorë e merr me tjetrën

Lajmi mbi shtrenjtimin e energjisë elektrike për kosovarët nuk duhet të shihet me aspak befasi. Vendimi është vetëm një output i parapërcaktuar kohë më parë e i paralajmëruar në vazhdimësi. Them i parapërcaktuar, meqë janë kufizimet buxhetore të Qeverisë, futja në ngurtësim financiar e politika shpenzuese disproporcionale që kanë shtyrë domosdo Rregullatorin e Energjisë të marrë vendimin e rritjes; e them i paralajmëruar meqë ka kohë që bëjmë thirrje për një maturi financiare për të mos rënduar xhepin ekonomik të kosovarëve, në të kundërtën situata si këto do të jenë tërësisht të zakonshme. Thënë shkurt e shqip, kësaj i thonë transferim i krizës financiare në krizë ekonomike. E përderisa në Qeveri askush nuk mërzitet për një balancë ekonomike, përderisa koncepti ekonomik vazhdon të rrumbullakohet rreth barazimit të numrave buxhetorë (pavarësisht kostos), standardi i kosovarëve do të vazhdojë të rëndohet. Këta kosovarë të dashur janë kostot finale të një politike ekonomike ad-hock.



Kujtoni se filli i tregimit për shtrenjtimin në fjalë buron nga nevoja e vendit për të reduktuar një sërë shpenzimesh e rrit një sërë të hyrash pas prishjes së marrëveshjes me FMN. Për të kthyer filmin prapa në dhjetor 2010, kur dhe mbaheshin zgjedhjet, ideja për të rritur paga e ndërtuar hiperautostradë në të njëjtën kohë ishte thjesht e paqëndrueshme. Kosova nuk kishte para. Për të siguruar një bilanc pozitiv financiar vendi që nga marsi 2011 ka marrë vendime të ashpra buxhetore. Ato fillimisht targetonin ndërprerjen e investimeve kapitale në të gjitha rrugët që nuk kishin emrin autostradë e shkurtimet në subvencionimin e energjisë elektrike. Thënë shkurt, për të barazuar buxhetin deficitar Qeveria jo vetëm se kishte prerë rrugët rajonale, por kishte prerë dhe paratë për energji duke shtyrë KEK-un kështu të kërkojë rritje të çmimit të energjisë elektrike. Për më tepër qeveria jonë e mbetur pa para kishte rritur edhe tantiemën, apo taksën në thëngjill. Pra KEK-u, ndërmarrje publike, për të prodhuar rrymën e kosovarëve duhej të paguante një taksë tanimë 1000% më shtrenjtë se që paguante në periudhën paradeficitare. Me këtë taksë buxheti grumbullonte disa miliona euro shtesë. Por ky grumbullim normalisht se nuk do të vinte asnjëherë nga KEK-u; KEK-u në fund të fundit mbledh para nga qytetarët. Rritja e energjisë elektrike domosdo do të paguhej nga gjithë kosovarët. Për të thjeshtëzuar gjithë këtë cikël derisa me një dorë qeveria ua rrit rrogën mësuesve e shërbyesve publikë, me tjetrën ua merr të njëjtat para. Problemi thelbësor megjithatë qëndron në idenë se jo të gjithë kanë pasur rritje të pagave e të hyrave. Një cikël i tillë nuk është as më shumë e as më pak se zvogëlim i fuqisë blerëse për kosovarët. Kjo në esencë është vazhdim i varfërimit të kosovarëve, varfërim që ka marrë hov, rastësisht apo jo, që nga viti 2007 kur dhe kjo qeveri filloi aplikimin e një politike ekonomike të paparë ndonjëherë në rajon.

 

Meqenëse parapëlqej numrat dhe argumentet e numrave, për dallim nga të gjithëdijshmit tanë proqeveritarë, që marrin guxim pa fije dije, eksperience e haber të ndërtojnë shpjegime ekonomike bazuar në intuitë, më lejoni që shkurtimisht t’i referohem raportit të Agjencisë së Statistikave të Republikës së Kosovës, atij mbi Indeksin e Çmimeve të Konsumit i cili, për të mos humbur në shpjegime ekonomike, mat nivelin mesatar të rritjes së çmimeve, pra mat inflacionin. Agjencia e Statistikave ka matur që nga paslufta në baza mujore nivelin mesatar të çmimeve në vend. Në raportin e fundit (maj 2012), si në çdo raport tjetër mujor jepen dhe trendët vjetore. Po shikuat rrjedhën e këtij indeksi nëpër vite vëreni se nga viti 2003 e deri në vitin 2007, çmimet e produkteve në Kosovë janë rritur për jo më shumë se 2.1% në mesatare. Kjo rritje në kornizën ekonomike është një gjendje perfekte e stabilitetit të çmimeve; njërit prej qëllimeve kryesore makroekonomike. Si me magji, nga viti 2007 e deri më sot, niveli mesatar i çmimeve është rritur për pothuajse 22%; pra mbi dhjetë herë më shumë.

 

Një rritje e tillë tregon se të gjithë kosovarët që kanë pasur paga konstante nga viti 2007, pra të gjithë ata që nuk kanë pasur rritje në të hyrat e tyre, janë varfëruar për një të pestën e pasurisë së tyre. Të gjithë ata që kanë pasur rritje prej 20%, janë në gjendje të njëjtë, veçse në ecje prej gjashtë vjetësh kanë humbur shumë. E për një vend të nënzhvilluar humbja e gjashtë vjetëve është edhe më shumë se shumë. Për të pasur edhe më të qartë e saktë problematikën, më duhet t’i referohem një studimi të AKB-së në vitin 2007 që vlerësonte asokohe pagën mesatare në sektorin privat rreth 240 euro. Sot në 2012-n, sipas studimit të UNDP-së, paga mesatare në sektorin privat është jo më shumë se 270 euro. Një rritje prej 20 eurosh në gjashtë vjet është një rritje prej jo më shumë se 11%. Në një ambient me inflacion gati sa 22% në po të njëjtën periudhë i bie se të gjithë të punësuarit në sektorin privat kanë pasur varfërim për gati 10%. Këtij varfërimi i kanë shpëtuar vetëm të punësuarit në sektorin publik, të cilët gjatë kësaj periudhe në mesatare kanë pasur një rritje të njëjtë sa edhe inflacioni. E për të papunët e shkretë, e që bëjnë as më pak e as më shumë se 40% të kosovarëve, një rritje kaq e lartë e çmimeve nëpër vite është thjesht një goditje e papërballueshme. Për ta varfërimi është i pastër sa edhe inflacioni.

 

E rënda e inflacionit kosovar është se numri prej 20%, pra mesatarja, është kaq “e ulët” (në thonjëza) vetëm falë zbritjes së çmimeve në disa produkte luksi. Ju kujtoj se sipas raportit zyrtar të ASK-s, nën ombrellën e Qeverisë së Republikës së Kosovës (po e ritheksojë këtë për vetë faktin se burimi është nën kontrollin e atyre qe janë përgjegjës për një varfërim të gjithëmbarshëm dhe nëse asgjë tjetër numrat veçse do të ishin dhe më të rëndë), rritjet më të mëdha të çmimeve në periudhën 2007-2012 janë bërë në produktet më bazike të mundshme; e që bëjnë shportën e shumicës së kosovarëve të papunë, dhe të atyre me pagë sa për mbijetesë. Sipas raportit në fjalë, në periudhën gjashtëvjeçare buka ka pësuar rritje të çmimit prej 70%, mishi prej 30%, qumështi e djathi prej 24%, vaji prej 30%, sheqeri prej 45%, furnizimet me vendbanim 100%, rryma 12% (pa rritjen e re). Pra çmimi i një mesatareje “të ulët” prej 20% vjen vetëm për shkak të uljes së çmimit, në, le të themi, këpucë 30%, perime 20%, orendi 10%, telefon 10%; thënë shkurt kosovarët në masë të madhe kanë pasur një rritje substanciale të çmimeve në produkte bazike, me gjithë një rënie substanciale në produkte luksi. E me një Kosovë të varfër ku ndërrimi i orendive shtëpiake është luks, shumë herë më prekëse është rritja e çmimit të bukës, mishit, vajit, sheqerit apo dhe energjisë elektrike.

 

Për t’iu kthyer edhe një herë rritjes së çmimit të energjisë elektrike, them se një vendim i tillë do të ketë dy pasoja të përgjithshme. E para, do të rëndojë paguesit e rregullt të energjisë elektrike dhe më shumë, në kurriz të evazionistëve të energjisë. Në këtë formë ne edhe më tutje rëndojmë trajtimin e pabarabartë, e për bizneset kjo do të jetë dhe më e rëndë marrë parasysh ambientin ashtu-kështu të pabarabartë. Një pabarazi në anën tjetër do të shtyjë paguesit e rregullt të paguajnë dhe më pak. Në një situatë të tillë ne vazhdojmë të distancojmë qytetarët nga sistemet shtetërore; kjo në vete do të jetë një problem thelbësor herë do kurdo. E dyta, energjia elektrike do të shkaktojë rritjen e çmimeve të një sërë produktesh. Kujtoni se rryma është produkt bazë i shumicës absolute të bizneseve kosovare. Rritja e kostove të tyre do të thotë rritje e çmimeve finale. Në fund të fundit të njëjtit veçse do të bëjnë bartjen e barrës tek blerësit e zakonshëm. Rritja e çmimeve do të ushqejë dhe më tutje inflacionin e gjithëmbarshëm. Në fund të vitit ne do të kemi prapë një shkallë të lartë inflacioniste dhe një rënie po aq të madhe të fuqisë blerëse. Rënia e fuqisë blerëse në periudhën afatmesme do të reduktojë konsumin e investimin, duke prodhuar rrjedhimisht dy efekte në treg: a) shterje të mëtutjeshme të tregut nga paraja e gatshme, dhe b) rënien e potencialeve gjeneruese. Të dyja këto do të thajnë fuqinë e bizneseve kosovare duke ulur jo vetëm vlerën e produkteve në vend por edhe kapacitetet e rritjes. Rënia e mëtutjeshme e fuqisë së bizneseve do të thotë më pak vende të reja pune për fluksin e madh të të papunëve.

 

Në fund fare, jostabiliteti i çmimeve është defekti i dytë më i rëndë i një ekonomie, pas papunësisë. Të parin e kemi tanimë të bërë llom dhe me inflacion po e ushqejmë dhe më shumë. Me një rritje të vazhdueshme të çmimeve, të kontribuar kryesisht nga politika tmerrësisht të gabueshme qeveritare them se rëndesa e standardit të jetës do të vazhdojë dhe për pak kohë. Megjithatë, këtë herë qeveritarët tanë nuk kanë se si të fajësojnë importin e inflacionit sa herë që ne shënonim rekorde në rritje të çmimeve, ani pse i gjithë rajoni kishte normë inflacioniste dy herë më të vogël se tonën dhe në rastin më të rëndë e edhe sikur të importonim 100% inflacionin e tyre ne (logjikisht) nuk duhej të kishim inflacion më të lartë se të burimit. Sidoqoftë, këtë herë të njëjtit duhet të fajësojnë veten për një shpenzim disproporcional të buxhetit, për investime të gabuara, për keqpërdorim enorm të parasë publike, për një deficit të papranueshëm, e për mungesë absolute të vizionit. Pavarësisht kritikave e lëvdatave politikat e mira ekonomike nuk sjellin rritje të çmimeve, ato bëjnë mu të kundërtën, një stabilitet në çmime e rritje e pagave.

 

 

(Autori është kolumnist i rregullt i “Kohës Ditore”)

Komente (1)

Besmir Zeka24.06.2012/22:11

Bravo, shkrim i pa pare.

1000  Karaktere
Prishtinė 25°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė 25°CI kthjellėt
Shkup 28°CMe vranėsira tė pjesshme
Prishtinė26°CMe diell
Tiranė25°CMe diell
Shkup30°CMe diell