ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubiko *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 188 *** 22:20    Anima *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Zyra administrative në veri dhe strukturat ilegale serbe

Ramadan Qehaja Publikuar: 23.06.2012 - 21:03

Qeveria e Republikës së Kosovës, pavarësisht trysnive politike e diplomatike, duhet që të tregojë një vendosmëri më të madhe në kuptim të fillimit të mbështetjes më të fuqishme në forca dhe mjete vetjake të Policisë së Kosovës për angazhim në luftimin e strukturave ilegale atje

Në momentin aktual gjithnjë më tepër po bëhet e qartë në opinion se me një intensitet të shtuar është duke u tentuar që në pjesën veriore të Mitrovicës të formësohet një zyrë e quajtur “Zyra administrative”. S’do mend se për një zyrë të tillë ka nevojë dhe se ajo në fakt paraqet fillimin e krijimit të komunës së Mitrovicës veriore sipas Planit të Ahtisart. Kjo aq më parë që si sponsorizuese e kësaj zyre paraqitet Qeveria e Republikës së Kosovës, iniciativë kjo e mbështetur edhe nga prania civile e ushtarake këtu në Kosovë.

Mirëpo, duke pasur parasysh se deri më tani mjetet politike e diplomatike për një trysni më të madhe në Beogradin zyrtar për shuarjen e strukturave ilegale serbe nuk dhanë rezultate, përkatësisht Qeveria e deritanishme serbe me bërje apo mosbërje nuk u tregua e gatshme që të kontribuonte në këtë drejtim, atëherë me të drejtë shtrohet pyetja se a do të mund të jetësohet kjo zyrë. Kur shtrohet kjo dilemë, atëherë duhet pasur parasysh tendencën e vazhdueshme serbe që atje të betonizohet “konflikt i ngrirë”, i cili tashmë paraqitet si akt i kryer me pasoja shumë të rënda politike e të sigurisë së tërësishme në Kosovë, por edhe rajon.

Nëse e bëjmë një konstatim, qoftë edhe sipërfaqësor, faktografik që strukturat ilegale serbe janë duke u përforcuar në vazhdimësi dhe atë me policë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, pjesëtarëve të mbrojtjes territoriale, sipas principit të “popullit të armatosur”, shërbimeve civile e ushtarake inteligjente, ushtarakëve të kamufluar si snajperistë, diversantë, etj., atëherë rrjedhimisht shtrohet pyetja se si është e mundur të mendohet se këto struktura do të pajtohen me formimin e zyrës administrative të Qeverisë së Kosovës. Nëse këtij konstatimi i shtohet edhe agresiviteti i para disa ditësh i shprehur i këtyre strukturave ndaj njësiteve të KFOR-it, me ç’rast u plagosën dy ushtarë gjermanë, si dhe të sulmit të 21 qershorit ndaj patrullës së policisë së Kosovës, atëherë serioziteti i problemit sa vjen e shtohet. Kur kemi të bëjmë me agresivitetin ndaj ushtarëve të KFOR-it vlen të citohen edhe fjalët e ambasadorit gjerman në Kosovë, Ernest Reichel, i cili përveç të tjerash konstaton: “Kur i sheh helmetat e ushtarëve dhe vrimat e plumbave në to ka një konstatim shokues. Shtënia në helmetën tregon se qëllimi ka qenë vrasja e ushtarëve ...”

Tutje, sulmi tjetër me granatë dore ndaj forcave paqeruajtëse të KFOR-it në vendkalimin kufitar Bërnjak, ku rezultoi në plagosjen e një ushtari e tregon qartë vendosmërinë e strukturave ilegale serbe për rezistencë të mëtejme në këtë pjesë të territorit tonë.

Nuk është e tepërt që sërish të theksojmë se gabimi më i madh i KFOR-it ishte lejimi i vendosjes së barrikadave nga strukturat e lartëcekura ilegale serbe, vëzhgimi dhe mosndërprerja e aktivitetit krejtësisht destruktiv serb atje. Vendosja e barrikadave nuk ishte thjesht një lojë politike, siç u theksua nga selia e NATO-s në mbarim të vitit të kaluar, por në fakt ishte kjo një taktikë e menduar mirë serbe dhe atë nga instancat më të larta politike e ushtarake, duke krijuar një rrezik potencial për përkeqësimin e situatës së sigurisë në veri me implikime të rënda në shumë aspekte e në veçanti në atë të sigurisë.

Nëse sërish i kthehemi çështjes së formësimit të zyrës në fjalë dhe suksesit të dëshiruar, atëherë konsideroj se rrjedha e aktiviteteve, masave dhe veprimeve për fillimin e funksionalizimit të saj dhe të rikthimit të kësaj pjese duhet të jetë:



- Kujtoj se paraprakisht duhet të fillohet me një aktivitet më të dendur politik e diplomatik në qarqet ndërkombëtare për trysni ndaj Qeverisë serbe për mospërkrahjen e strukturave ilegale serbe. Kuptohet se ky aktivitet do të jetë mjaft i vështirë pas ardhjes në krye të shtetit serb të një ultranacionalisti, siç është presidenti i tanishëm Nikoliq. Sidoqoftë, trysnia  e bashkësisë ndërkombëtare duhet të jetë e vazhdueshme, e fuqishme dhe e mbështetur në argumente dhe fakte destabilizuese të Beogradit zyrtar;



- Vendosmëria e KFOR-it pas gjithë asaj që ndodhi ditëve të fundit në kuptim, siç thamë, të agresivitetit të strukturave ilegale serbe ndaj tij, në bashkëveprim me policinë e EULEX-it dhe atë të Kosovës të jetë e theksuar e jo të ndërmarrjes së aktiviteteve dhe masave sa për “sy e faqe”  dhe të mosveprimit deri në fund në shpartallimin e tyre, dhe



- Në këtë kontekst është më se e nevojshme që Qeveria e Republikës së Kosovës, pavarësisht trysnive politike e diplomatike, duhet që të tregojë një vendosmëri më të madhe në kuptim të fillimit të mbështetjes më të fuqishme në forca dhe  mjete vetjake të Policisë së Kosovës për angazhim në luftimin e strukturave ilegale atje. Nuk mendoj se duhet të ketë hezitim në këtë drejtim, aq më tepër që përmbajtja dhe mosveprimi konkret i deritanishëm për hir të “blerjes së kohës” në interes të përkrahjes së përpjekjeve për vendosjen e forcave demokratike proevropiane serbe, që të vijnë sërish në pushtet, tanimë nuk dhanë rezultate. Në të kundërtën, themelimi dhe vënia në funksion të zyrës administrative në veri të Mitrovicës nuk do të jetë e mundshme ose së paku nuk do t’i plotësojë pritjet për një veprimtari të suksesshme në praktikë.



(Autori është njohës i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë. Qëndrimet janë personale)

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 16°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė 16°CMe vranėsira tė pjesshme
Shkup 14°CKryesisht me vranėsira
Prishtinė26°CKryesisht me vranėsira
Tiranė29°C
Shkup31°C