Mësimi nga Serbia
Artikujt tjerė
- Rrugëtimi nëpër mjegull i shqiptarëve në Malësi
- Normalitet apo ekstremizëm paszgjedhor në Shqipëri
- Pse të paguajmë më shumë?
- Problemi me GDP-në e shteteve të varfra
- Funksioni? Analfabet me diplomë!
- Vizioni dhe fantazia
- Rruga e Arbrit duhet të përfundohet
- Jeta kundrejt përfitimeve
- Drejtësia si themel i pasurisë së shtetit shqiptar
- Siria nuk është kos
Fitorja e Nikoliqit, e kombinuar me rritjen shqetësuese të popullizmit në Hungari, fqinj i Serbisë në veri, duhet të shërbejë si një thirrje zgjimi për BE-në. Kriza e eurozonës i ka dëshmuar një rritjeje të theksuar të partive nacionaliste e madje edhe atyre fashiste në pjesët më të mëdha të kontinentit. Me të pasur një prej shkallëve më të larta të papunësisë dhe varfërisë, shtetet e Ballkanit janë më se të prekshme nga kjo sëmundje e ngadaltë
Dy javë pas tërmetit politik në Greqi, Serbia ka regjistruar të dielën dridhje të fuqishme me mposhtjen e presidentit të vet, Boris Tadiq, nga një nacionalist i dikurshëm ekstrem.
Zgjedhja mund të duket sikur një çështje e brendshme serbe, por ajo ka potencial të zhvillohet në një problem rajonal dhe evropian. Përveç dramës me Tribunalin e krimeve të luftës në Hagë, rajoni i Ballkanit ka qenë larg qendrës së vëmendjes për shumë vjet tanimë. Mirëpo disa nga problemet më të dukshme politike dhe kushtetuese të saj mbesin ende të pazgjidhura. Dhe tani, ndikimi gërryes i recesionit dhe kriza e eurozonës kërcënojnë të helmojnë përsëri disa prej çështjeve të pazgjidhura.
Lëkundjet e dridhjeve zgjedhore janë ndier bukur përtej Beogradit, për shkak se presidenti i ri, Tomislav Nikoliq, dikur ishte një shërbyes luajal dhe trashëgimtar i paraparë i Vojislav Sheshelit lider i vetëshpallur i lëvizjes vrastare çetnike të serbëve i cili po gjykohet në Hagë që nga viti 2007.
Mbështetësit e Nikoliqit bëjnë të ditur se që nga ndarja e tij publike me Sheshin më 2008, ai ka ndjekur me vendosmëri shtegun proevropian dhe ka hedhur prapa vetes nacionalizmin e pa kompromis nga karriera e tij e mëparshme. Megjithatë, ndonëse Bosnje e Hercegovina është në një kaos politik, gjithçka do të bëhej edhe më keq sikur erëra nacionalizmi të nisnin të frynin nga fqinjët e saj. Njësoj kështu, pavarësia e Kosovës mbetet e kontestuar, pasi është e mbështetur nga fuqitë perëndimore, por e kundërshtuar si nga Serbia ashtu edhe nga Rusia.
Në muajt e fundit, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton, dhe ekipi i saj diplomatik kanë bërë një përparim të madh në mbylljen e boshllëkut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Mirëpo nëse presidenti Nikolliq ndjek atë vijën e ashpër ndaj Kosovës, atëherë kjo punë e mirë mund të shkojë dëm. Gjasat janë shumë të mëdha.
Në mënyrë ironike, humbja e papritur e Tadiqit në vendvotime nuk e reflekton ndonjë nacionalizëm të rishfaqur në elektoratin serb. Për më tepër, ai është dënuar për shkak se qeveria, e udhëhequr nga Partia e tij Demokratike (DS), ka qenë e paaftë përballë rënies gjithnjë e më katastrofike ekonomike.
Shkalla e papunësisë tanimë ka arritur në rreth 25 për qind, ndërsa në janar kompania amerikane US Steel u tërhoq nga Smedereva, një kompleks metalurgjik që mbulon rreth 14 për qind të eksporteve të Serbisë dhe prej të cilës rreth 200.000 serbë varen qoftë në mënyrë direkte apo indirekte.
Shtresa e mesme urbane e Serbisë, e zhgënjyer nga dështimi ekonomik dhe nga një mori skandalesh të mëdha korruptive, nuk iu përgjigj thirrjes për votime. E më e habitshmja nga të gjithat ishte fitorja e Nikoliqit karshi Tadiqit në Beograd, përndryshe një çerdhe e serbëve liberalë. Tani politikanët jashtë Serbisë heshtazi po mbajnë frymën. A do të lejojë Nikoliqi që paragjykimet e tij të mëparshme të dalin në shesh dhe të turbullojë stabilitetin rajonal?
Në të ardhmen e afërt, kjo gjë është e pamundur. Perëndimi, në veçanti SHBA-ja, Britania dhe Gjermania kanë bërë përpjekje të mëdha diplomatike për ta bindur Nikoliqin që së pari të shkëputet nga Shesheli, duke argumentuar se derisa të mos e përqafojë Bashkimin Evropian ai do të mbetet gjithnjë një figurë margjinale. Në komentet e para për shtyp, Nikoliq ka deklaruar se Gjermania ishte aleati më i rëndësishëm politik i Serbisë, një befasi kjo shumë e madhe, duke pasur parasysh se Angela Merkel e kishte paralajmëruar shumë publikisht Serbinë se duhet të zbusë qëndrimet e saj për Kosovën ose përndryshe kurrë nuk do të përmbushë synimin e vet të kamotshëm politik anëtarësimin në BE.
Për më tepër, Nikoliqi si president nuk e cakton qeverinë ai mezi se arrin të ftojë liderin e partisë më të madhe në parlament të tentojë të formojë qeveri. SNS-ja e tij është partia më e madhe, bazuar në zgjedhjet parlamentare të dy javëve më parë përpara balotazhit presidencial, mirëpo do ta ketë të vështirë të gjejë partnerë të përshtatshëm koalicioni. Prandaj, tani ekziston një mundësi shumë e madhe që Boris Tadiq të bëhet kryeministër në krye të një qeverie koalicioni. Në Beograd po flitet për një bashkëjetesë, e cila do të reduktonte mundësinë e ndonjë ndryshimi dramatik nga e djathta.
Sido që të jetë, fitorja e Nikoliqit, e kombinuar me rritjen shqetësuese të popullizmit në Hungari, fqinj i Serbisë në veri, duhet të shërbejë si një thirrje zgjimi për BE-në. Kriza e eurozonës i ka dëshmuar një rritjeje të partive nacionaliste e madje edhe fashiste në pjesët më të mëdha të kontinentit. Me të pasur një prej shkallëve më të larta të papunësisë dhe varfërisë, shtetet e Ballkanit janë më se të prekshme nga kjo sëmundje e ngadaltë. Në të vërtetë, secili mund të thotë se është meritë e elektorateve të Ballkanit që deri më tash i ka rezistuar joshjes së nacionalizmit.
Mirëpo me ekonomitë e tyre që po dobësohen edhe më shumë (siç dhe parashihet që të ndodhë), joshja për zgjidhjet nacionaliste do të rritet. Bosnja, Serbia, Kosova dhe Maqedonia ende përballen me çështjet e thella të identitetit politik dhe stabilitetit, të cilat edhe tani mund të bëhen të rrezikshme. Kjo është një tjetër arsye e mirë për liderët evropianë që të luftojnë krizën dhe të stimulojnë rritje ekonomike.








