Rusia rri në shtëpi
Javier Solana
Putini la duarthatë SHBA-në, pasi vendosi të mos marrë pjesë as në Samitin e G8-s më 18 dhe 19 maj në Camp David, e as në atë të NATO-s në Chicago më 20 dhe 21 maj. Bazuar në seriozitetin e çështjeve të diskutuara në të dy samitet, prania e Putinit do të ndihmonte... Për Obaman suksesi në këto samite do të nënkuptonte mbrojtjen e çmimit Nobel të paqes, të cilin ai e mori në vitin 2009. Edhe Rusia, mund të jemi të sigurt, do të përfitonte po ashtu
Madrid Vetëm tri ditë para kthimit të tij në Kremlin si president i Rusisë, Vladimir Putin u takua prapa dyerve të mbyllura në rezidencën e tij në Novo-Ogaryovo, periferi të Moskës, me këshilltarin amerikan për siguri kombëtare, Tom Donilon, i cili ndodhej aty për ta transmetuar përkushtimin e përsëritur të presidentit, Barack Obama, për forcimin e bashkëpunimit me Rusinë. Por Donilon u kthye në shtëpi duarthatë: Putin nuk do të marrë pjesë as në samitin e G8-s më 18 dhe 19 maj në Camp David, e as në atë të NATO-s në Chicago më 20 dhe 21 maj, me gjithë përpjekjen e Obamas për ta akomoduar Rusinë me të zhvendosur samitin e G8-s në Chicago.
Si rezultat i kësaj, ajo që do të duhej të ishte takim i parë ndërmjet Obamas dhe Putinit, pas kthimit të tij në presidencën ruse, është anuluar deri në samitin e radhës të G20-s në Los Cabos, Meksikë, të caktuar për 18 dhe 19 qershor. Kjo shtyrje ka provokuar shumë spekulime.
Disa i cekin si shkas të mungesës së Putinit tensionet e fundit ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të nxitura nga përgjigjja gjithnjë e më e ashpër e Putinit ndaj protestuesve opozitarë në vendin e tij. Të tjerët sugjerojnë se ftohtësia e Putinit e ka burimin në luftën e brendshme në Kremlin.
Cilado qoftë arsyeja për sjelljen e Putinit, dy samitet e këtij muaji do të ndikojnë dukshëm në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, ngase çështjet globale të sigurisë do të diskutohen nga G8-ta si dhe nevoja për aranzhimin e pjesëmarrjes së Rusisë në mburojën antiraketore nga NATO-ja.
Dy çështje përveç ekonomisë së luhatshme globale janë veçanërisht të rëndësishme për samitin e G8-s. E para, programi bërthamor i Iranit tani ndodhet buzë daljes nga fronti diplomatik. Pas më se një vit bllokadë, negociatat rinisën në prill. Rusia, si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, merr pjesë në këto bisedime dhe bashkëpunimi i saj është esencial për zgjidhjen e njërit prej problemeve më të ndërlikuara ndërkombëtare të së sotmes.
Pak a shumë, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për rolin e Rusisë në zgjidhjen e krizës në Siri, bazuar në marrëdhëniet strategjike që këto dy shtete kishin krijuar që nga lufta e ftohtë. Në të vërtetë, me mundësinë në rritje për dështimin e planit paqësor të ish-sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan, për Sirinë dhe shpërthimin e mundshëm të një lufte civile aty, Rusia mund të jetë bashkëbiseduesi i vetëm efektiv i mbetur i komunitetit ndërkombëtar.
Për më tepër, është esenciale që të bashkërendohen pozicionet e Rusisë dhe të Perëndimit për sistemin e mburojës antiraketore tashmë të zhvilluar nga NATO-ja, temë kjo që do të diskutohet në Chicago. Synimi parimor i sistemit është mbrojtja e Evropës dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga sulmet e mundshme me raketa balistike me rreze të shkurtra dhe të mesme veprimi nga Irani dhe Koreja Veriore. Mirëpo liderët rusë janë skeptikë rreth objektivave të vërteta të një mburoje, duke besuar se ajo do të rrezikonte sigurinë e Rusisë me te kufizuar (dhe kështu edhe penguar) kapacitetin e raketave bërthamore të saj.
Më 2009 afrimi sipas etapave të adaptimit i lansuar nga Obama dukej se po i fashonte tensionet dypalëshe dhe përgatiti rrugën për START-in e ri më 2010, për sa i përket reduktimit të armëve, me të cilin Rusia dhe SHBA-ja bënë një hap të madh në reduktimin përgjysmë të numrit të lansuesve të armëve bërthamore.
Por SHBA-ja nuk ishte e aftë të ofronte garanci legale jo vetëm politike që një sistem antiraketor i instaluar në Evropë nuk do të bëhej pengesë për potencialin strategjik të Rusisë. Si pasojë, tani Rusia ka humbur aq shumë besimin sa që edhe shefi i shtabit ushtarak rus, gjenerali Nikolai Makarov, deklaroi kohëve të fundit se shteti i tij nuk do ti përjashtonte edhe sulmet preventive për të shkatërruar çdo pjesë të mburojës raketore, të cilën e konsideron kërcënim për vendin e tij.
Një prej argumenteve kryesore për këtë qëndrim ishte paqartësia e Rusisë nëse hapat e mëtutjeshëm në afrimin sipas etapave të adaptimit do të mund të përbënin një kërcënim për raketat e saj balistike. Me fjalë të tjera, Rusia kundërshton zhvillimin e bazave ushtarake në shtete si Rumania që i janë bashkuar NATO-s pas vitit 1999, një qëndrim ky i shprehur së fundi nga ish-ambasadori amerikan në Ukrainë, Steven Pifer, tani anëtar i Institutit Brookings.
Shikuar prej këndit të seriozitetit të çështjeve të marra në konsideratë në dy samite, prania e Putinit do të ndihmonte. Duke shtuar vlerën e qenësishme të përmirësimit të marrëdhënieve, raportet e mira personale ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit, ato janë bërë të pandashme, marrë parasysh se negociatat për mburojën raketore, Iranin, Sirinë dhe çështjet e tjera janë të lidhura dhe po kështu janë të ndërlidhura edhe zgjidhjet.
Në të vërtetë zgjidhjet e pranueshme sot do të hapnin rrugë për një marrëveshje për armët bërthamore më 2013. Kjo është një çështje me rëndësi të madhe, për të cilën mirëkuptimi ndërmjet Rusisë dhe SHBA-së është esencial.
Ne duhet të bëjnë gjithçka që kemi në fuqinë tonë për ta jetësuar propozimin e Donilonit bërë Putinit, që në fakt është rivendosje e rivendosjes dhe krijimi i një ure për të mbushur boshllëkun ndërmjet dy shteteve për sa u përket dispozitave të ardhshme në arsenalet e tyre bërthamore. Për Obaman, suksesi do të nënkuptonte mbrojtjen e çmimit Nobel të paqes, të cilin ai e mori në vitin 2009. Rusia, mund të jemi të sigurt, do të përfitonte po ashtu.
(Javier Solana ishte ministër i Jashtëm i Spanjës (1992-95), sekretar i përgjithshëm i NATO-s (1995-99) dhe përfaqësues i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri (1999-2009). Ai aktualisht është shef i Qendrës ESADE për Ekonomi Globale dhe Gjeopolitike dhe një anëtar i lartë në Institutin Brookings. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese Project Syndicate, pjesë e të cilit është edhe Koha Ditore).







