ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubiko *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 189 *** 22:20    Dokumentar: E Përkryera te Plastika - epis 5 *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Kot së koti

Publikuar: 20.05.2012 - 17:23

Kryeministri dëshmoi sërish se nuk e ka guximin për ta pranuar gabimin e bisedimeve të fusnotës. Fajin do që t’ia hedhë Evropës, me kërcënim

Javë e ftohtë, me shi, me temperaturë vjeshte një muaj para se të përfundojë pranvera. Për mua me dy gëzime dhe një mori ngjarjesh që ndodhin, e pa të cilat më jeta nuk na ka kuptim, dhe të cilat po të mos ishin, nuk na kishin lënë hapësirë as për t’u mërzitur e as për të folur për çfarëdo qoftë.



Ani që jo në rrjedhë kronologjike, për mua ngjarja e javës ishte vizita që ma bënë miqtë e mi nga Prishtina, me “qëndrim të përkohshëm njëzetvjeçar” në Perëndim. Kishin ardhur për një pushim të shkurtër, për t’i rregulluar ca punë private, për të vizituar familjarë e miq dhe, për fat të keq, për t’u bindur për kush e di të satën herë që në Kosovë ia vlente të vihej kohë pas kohe në vizitë, por jo edhe të kthehej që të jetohej. Posaçërisht jo pas përshtatjes jetës në Perëndim, ku ka rregull, rend dhe respekt për shtetin dhe ligjin.



Miqtë e mi janë, jam e bindur, një nga jo pak shembujt e mirë të shqiptarëve të Kosovës që ia dolën të pranoheshin si banorë të barabartë në shtetin që u kishte dhënë strehim në kohët kur pushteti serb na hodhi në rrugë dhe na la pa burim jetese. Pa ditur më shumë se tri–katër fjali a tridhjetë-katërdhjetë fjalë të gjuhës së vendit, me një fëmijë të vogël dhe pa fije ideje se si do t’i mbijetonin vitet që do të vinin, i përvolën mëngët dhe zgjodhën t’i respektonin rregullat e lojës. E mësuan gjuhën, fëmijën e çuan në shkollë, filluan të punonin legalisht, mbanin rendin dhe pastërtinë në ndërtesën e përbashkët banesore. Malli për shtëpinë dhe familjen i mbyste – s’ishte punë as udhëtimi i familjes prej këndej te ata, e as të tyre prej andej këtu... e atë disi ia dilnin ta shuanin nëpërmjet telefonit dhe gëzimit e rehatisë që ua shkaktonte ndjenja se falë ndihmës së parezervë të tyre, familjet e tyre e jetonin një jetë normale brenda kushteve të pamundura dhe çnjerëzore të të cilave na nënshtroi regjimi fashist i Serbisë. Dhe jo vetëm familjet e tyre, por edhe shumë të tjera, sepse miqtë e mi ishin pagues të rregullt të “trepërqindëshit”.



U shtuan edhe për një anëtar familjeje, e morën lejen e qëndrimit afatgjatë dhe u integruan plotësisht në rrethin që e kishin zgjedhur për atdheun surrogat. U bënë pikë reference në zonën që jetonin dhe ishin të parët të cilët thirreshin kur duhej dhënë ndihmë refugjatëve kosovarë të ikur nga tmerri i luftës, dhe jo vetëm me shkathtësinë e përkthimit. Ata ishin shembull i qytetarëve, të cilët duke e ruajtur dinjitetin, kulturën dhe gjuhën e vet ishin edhe qytetarë të vendit gjuhën e të cilit e kishin zotëruar aq mirë, saqë tingëllonin si vendas dhe që e respektonin kulturën e shtetit të tyre të dytë. Zgjodhën ta përvetësonin disiplinën ndaj punës, ndaj shtëpisë dhe ndaj ambientit.



Miqtë e mi janë ende të rinj dhe fëmijët tashmë i kanë studentë. Fëmijët i kanë hapur vetes rrugë, sepse prindërit i kishin mësuar se asgjë nuk vjen e falur dhe mbi të gjitha, se çfarëdo që duhej të bëhej në jetë, duhej bërë ndershëm dhe me dinjitet. Prindërit u përqendruan që t’ua ofronin kushtet optimale për jetë e punë, madje edhe duke e ndërtuar një shtëpi në mënyrë të rregullt – duke marrë kredi ndërtimi dhe duke i paguar këstet e kredisë me kohë dhe pa fjalë e ankesa.



Tash, po të donin, munden edhe të kandidohen për zgjedhje lokale e të bëhen përfaqësues politikë të bashkëbanorëve të tyre në shtetin ku jetojnë. Nuk e di nëse kanë aso ambiciesh apo jo, por e di se do t’i plotësonin të gjitha kushtet – janë intelektualë të cilët i janë përshtatur shoqërisë së re, fëmijët e të cilëve janë integruar pa i harruar rrënjët e veta, dhe nuk i kanë borxh kujt asgjë, posaçërisht jo ligjit. Dhe, çka është më me rëndësi, për shkak se i kanë një mijë arsye se përse mund të ecin me kokën lart, pa u turpëruar se janë shqiptarë.



Sikurse edhe miqtë e mi, ka shumë e shumë miq të miqve të mi të cilët janë përfaqësuesit e vërtetë dhe më të denjë të bashkëkombësve tanë në Perëndim. Këta të cilët na e kanë zbardhur fytyrën, e jo ata të cilët janë mashtrues dhe të cilët shikojnë si të bëhen zengjinë në kurriz të tjetërkujt, pa meritë dhe me hajni. Këta të cilët më bëjnë krenare se i kam miq. Këta të cilët krenohen se janë kosovarë, ani që sa më shumë shkon koha, aq më pak kanë arsye që të kthehen këtu, për shkak se fëmijët e tyre nuk kanë perspektivë... sikurse edhe shumica e fëmijëve të Kosovës së pasluftës.



Dhe në këtë zymtësi, nga fillimi i javës ndodhi një ngjarje e paharrueshme në Kuvendin e Kosovës. Me gjithë paralajmërimet, kërcënimet, shpjegimet e ngathëta për dy dokumente “që janë votuar e nuk dihej pse, as si janë votuar”, PDK-ja hoqi dorë nga kthimi i çështjes së vendimit për kushtëzimin e vazhdimit të negociatave me zbulimin e fatit të të pagjeturve në Kuvend. Nëse arsyeja ka qenë mungesa e votave të mjaftueshme, apo se më në fund dikujt në atë grup parlamentar i kishte rënë ndër mend se nuk do të kishte fare kuptim që të luhej me ndjenjat e familjarëve të të zhdukurve – fare nuk është me rëndësi. Me rëndësi është se ekziston një vendim i plotfuqishëm. Dhe kjo është për të kremtuar, nëse më lejohet ta përdor këtë fjalë.



Ajo që nuk dihet është gatishmëria e kësaj Qeverie ta zbatojë vendimin në fjalë. Posaçërisht pas reagimit aspak të qëlluar të shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë: “Dialogu duhet të vazhdojë pasi që ka ende gjëra që duhen bërë. Ne e kemi thënë se progresi i Kosovës dhe i Serbisë drejt BE-së do të maten edhe nëpërmjet dialogut dhe marrëdhënieve ndërmjet vete. Andaj është në interes të të dyja palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive në këtë dialog”. Kjo lloj deklarate, pas miratimit të një vendimi nga trupi më i lartë vendimmarrës, është një këshillë se si të shkelet demokracia dhe si të mos respektohet vota e atyre që kanë dalë të votojnë, me gjithë vjedhjen e votave që e ka formuar këtë Kuvend. Sepse janë institucionet ndërkombëtare që i kanë legjitimuar edhe zgjedhjet e edhe institucionet – pra do të duhej t’i respektonin edhe vendimet e këtyre.



Sipas kësaj që e thotë zoti Zhbogar, dhe pa e nxjerrë fare nga konteksti, del se çështja e të pagjeturve nuk është asnjë faktor që do të duhej të ndikonte në rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet dialoguesve, dhe se fati i 1800 vetave nuk është që do të duhej të ishte pjesë e dialogut. Për shkak se “ka ende gjëra që duhen bërë”. Edhe çka do të duhej bërë që dikush të jepte përgjigje nëse trupat e të pagjeturve përnjëmend kanë përfunduar në furrnaltat e “Trepçës”, apo kanë përfunduar në ndonjë liqen tjetër apo në ndonjë aeroport tjetër ushtarak diku në Serbi? Po a nuk po ia merr mendja zotit Zhbogar që Serbia do të duhej të obligohej, nga po kjo BE, e cila po insiston në procesin e dialogut që ka sjellë shtatë marrëveshje që nuk zbatohen, që t’i zbulonte dokumentet sekrete ushtarake? Edhe ai ka qenë pjesë e ish-Jugosllavisë; edhe ai e di shumë mirë se si funksionon makineria serbe dhe çfarë force ushtarake ka pasur, dhe mbi të gjitha, sa të paskrupullt kanë qenë serbët në paqe, e lëre më në luftë. Po a bëhet që të gjitha punët e tjera janë më të rëndësishme se ata që nuk janë me ne – a përnjëmend nuk e kanë asnjë fije brejtjeje ndërgjegjeje që as pas gjithë këtyre vjetëve, familjarëve të tyre nuk ka kush t’ua thotë të vërtetën?



Deklarata e tij mund të mbështillet edhe me njëqind shtresa diplomatike, e megjithatë nuk mund as ta fshehë e as ta eliminojë dhimbjen e të gjithë atyre njerëzve, të cilët ka vite që krejt çka mund të bëjnë është të vijnë dhe t’i ndërrojnë fotografitë e zbehura të të zhdukurve te rrethojat e Kuvendit. Dhe është shumë jo fer të akuzohet kushdo qoftë se po e politizon çështjen e të pagjeturve – sepse prej kohësh më nuk  ka dallim ndërmjet teknikës, politikës dhe humanitares –për shkak se i gjithë cirku me negociatat e përshpejtuara dhe me fjollat editiane e fusnotat kuperiane, në fund u pa qartë, pati për qëllim për t’ia dhënë Serbisë statusin e kandidatit.



Dhe është vetëm tash, gati një vit e gjysmë pas, që Thaçi po e pranon gabimin e tij me pranimin e negociatave, në të cilat hyri totalisht i papërgatitur. Me një diskurs të ngjashëm me atë që e bënte Rugova para se të plaste lufta në Kosovë, Thaçi i kërcënohet Evropës, për shkak se kjo po ecën ngadalë dhe nuk po e përmbush premtimin e udhërrëfyesit për viza, “ani që Kosova i ka përmbushur të gjitha obligimet”. Sinqerisht, nuk e di cilat janë obligimet e dala nga çfarëdo qoftë që do të jetë folur gojarisht – sepse nuk dihet nëse ka ardhur ndonjë dokument e që nuk është një pyetësor me mbi katërqind pyetje, e që ka përcaktuar detyrat që është dashur të plotësoheshin. Dhe, udhërrëfyesi për viza është një gjë e rëndësishme, por jo esenciale – liberalizimi do të mund të realizohej për nja 18 a 24 muaj, përderisa ndërkohë Serbia do të ecë me hapa të mëdhenj përpara, për shkak se Kosova është treguar palë negociuese e dobët dhe e papërgjegjshme. E bile edhe me fusnotë.



T’i thuash Evropës sot diçka si: “Çdo vonesë mund të ngjallë ide për gjakderdhje e ndryshim kufijsh mbi baza etnike”, është se je duke e vendosur Evropën në pozitë paralele me atë të Serbisë para ndërhyrjes së NATO-s. Nëse mendon se Amerika do të na hyjë dorëzan sërish dhe se NATO-ja do të jetë e gatshme të ndërhyjë sërish për të na e shpëtuar lëkurën, më duket se e ka shumë dallash. Për shkak se edhe KFOR-i e edhe EULEX-i, pra për pasojë edhe BE-ja, e dinë se kush i kontrollon kalimet kufitare, si dhe ku dhe çfarë kontrabande mund të bëhet në Kosovë. Pra, edhe kush do të mund të organizonte gjakderdhjen mbi baza etnike për ndryshim kufijsh – e serbët nuk do të ishin aq të marrë për ta bërë këtë, për shkak se kanë gjithçka për të humbur... duke iu falënderuar Qeverisë dhe negociatave të papërgatitura të Brukselit.



Sulmi është mbrojtja më e mirë – gjithmonë na kanë thënë. Dhe kjo është pikërisht atë që po e bën Thaçi. Por, po harron se në këtë “luftë” me Evropën nuk mund t’i ndihmojë shumë Amerika, sepse ajo nuk përzihet në punët e BE-së. Dhe po  harron, apo mbase nuk e di atë që për herë të parë e tha qartë ministrja Çitaku në Interaktiv të hënën mbrëma – procesi i integrimit në Evropë është kryesisht proces i brendshëm kosovar, që detyrat duhet të kryhen brenda në shtëpi para se  të akuzohet kushdo se “po vonohet në proces”. Qeveritarët e kanë ditur “procesin” që nga çasti kur kanë hyrë në negociata, por natyrisht se nuk ka dashur ta pranonte se kishte qenë mu ai që kishte premtuar gjatë fushatës më 2010, se kosovarët do të udhëtonin pa viza brenda 15 muajsh. Siç po shihet, po udhëtojmë pa viza, e besa edhe pa pasaportë, vetëm në Shqipëri (e edhe aty-këtu ndonjë shtet tjetër).



Se si do t’ia dalin mbanë nuk e di. Kryeministri me këmbëngulje refuzon të përgjigjet po qe se do ta respektojë vendimin e Kuvendit, në fakt përgjigjet me një fjali, në stilin e tij: “Ne kemi respektuar gjithmonë opinionet e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Vendimet, rezolutat, deklaratat e rekomandimet i vlerësojmë lart dhe në çdo veprim dhe vendim do ta respektojmë gjithmonë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”. Vendimet e Kuvendit “nuk vuajnë” për respektin dhe vlerësimin e lartë që ia bën Qeveria. Ato kanë nevojë që të zbatohen, pavarësisht a i pëlqen kjo apo Qeverisë... institucionit që më së shumti i ka injoruar vendimet e trupit ligjvënës. Sepse ligjshmëria thuajse nuk është fare në agjendë; thuajse fare nuk është punë me të cilën duhet marrë.



Dhe kur i dëgjojmë dhe i analizojmë punën e Qeverisë, si dhe deklaratat e kota të kryeministrit, nuk kam si të mos u lakmoj miqve të mi që vijnë të më shohin kohë pas kohe dhe jo me qëllim për të ndenjur e jetuar këtu, por vetëm për të kryer ndonjë punë e për të vizituar familjarë... kanë sakrifikuar edhe nga shëndeti e disponimi e malli e shumëçka tjetër për një diçka që ia vlen – një jetë të qetë, në një shtet normal, ku njerëzit jetojnë pa frikën se dikush do t’i vrasë për reket a për pronë të huaj, apo me frikën se dikush do t’i fusë në luftë vetëm për të mbetur në pushtet derisa të jetë gjallë...



flaka@koha.net

 

Komente (8)

kinxhi22.05.2012/21:05

o thaq edhe evropa pot thot jemi qudit me ashim thaqin se i pranoj kto pika dam te ks e mos thuj kena fitu se veq ki hupppppppppppppppppppp

jehon qoqaj22.05.2012/11:42

po neve edhe srbija nuk na kish ba ma kec... se po na bajn kta njerz pa fie turpi e ndergjegjeje,po kam shpres se nje dit do ti shoh krejt kta legena ne burg.kam besim te rinia e kosoves dhe ne te ardhmen ta marrin pushtetin ne dor.e mu um kaloj jeta me ymyt hajt se bahet mir ,e hala sun po kthehna ne vendlindje se kta facezijt e llomiten kosoven time te dashur.

toni21.05.2012/23:20

Do te deshiroja qe te fitonte Albin kurti si ne Kosovo si ne Shqiperi.....sepse me kta matrapaz qe kemi ne pushtete nuk e shof daljen nga tyneli



pershendetje nga Durrsi

Bergeni21.05.2012/12:52

Mendoj që aq shumë është shkruar për korrupcion, qeverisje të keqe, hajni, pasuri, intriga, për gjëra të liga etj sa që njerëzit nuk kanë më dëshirë t'i lexojnë! Mos shkruani asgjë për ta, mos merrni pjesë në tubime dhe konferenca shtypi, le ti injorojmë që ekzistojnë dhe të qeverisin me vetvehten. Atëherë do të fillojnë të grinden mes veti dhe kjo është mënyra për të u lirura nga këta pisapolitikuajë

Tarras BulbDrenice21.05.2012/08:54

O vajhalli per Ty e per Ne Ashim Thaç!.Po Qysh ia kajte Nanen veti e nanen popullit ,e nanen Kosoves,e nanen Shqiperise,e Nanen Historise kombetare...Po,Evropa perse e perzun Dacin a per sy te zi a?Po Daci u ra ne gjurme tradhetive te Evropes dhe u kerkoj sqarim,Evropa e hoqen krejt,ia u futen hajnat,kriminelat dhe spijujt serb mbrenda ne Parlament dhe ia rrenuan tersisht potezet e Tij.E sot Daci perplaset sa andej,sa kendej e Kupe Krasniqi me banden e Tij udheheqe Parlamendin dh Shtetin ne teresi.E Populli i gjore ua bejne aminin"O Zot,qo mend ku s'ka"...!!!Zoti Falemnderit e ndihmoj Kosoven,Kur ia çoj Rugoven.E humbi Kosven kur e mur Rugoven.Zoti Qofte me Ne!...Kam shume per te thene,por nuk po deshiroj ta bej senzacionale...sepse ...

xhevdeti20.05.2012/22:23

Po shifet qe Hasha, Kosoven e beri lemsh veshtire se do ti gjendet fija.Keshtu e ka kur ne krye te Qeverise i kemi njerezit pa tru,por lakmiqare ne pervehtesimin e djerses se popullit.Nje thenje "Mos pyet se cberi shteti per ty por ti cbere per shtetin"tani ne Qeveri thuhet "Mos pyet se cbem per shtetin por pyet se sa u pasuruam nga shteti"

Arif nga Fush Kosova20.05.2012/20:19

nuk kan than per badihava populli se qysh ti ja ban dikujna qashtu dikush ta ban ty. Derisa Hasha ia bani popullit te vet, gjynahet i lajti ndaj serbijes. Seee sa ishte Skender Hyseni ai edhe pa fusnot shkojke gjithkund, e kta tash me fusnot.

I ikuri jo me deshire Paris20.05.2012/20:09

Thaçi nuk po pranon asgje,asnje deshtim, bile po thote qe ne periudhen e qeverisjes sime Kosova ka perparuar me shume se kurre me pare....çfare ronie!!! E kam perjetuar potezin e miqeve tuaj dhe gjat leximit per ta me dukej vetja se une jam personazhi. E kam perjetuar edhe qeverisjen e Thaçit , per te mos thene se nga kjo "qeverisje" e kam epitetin e miqeve tuaj. Po a ishte bre mu ky Thaçi qe gjat fushates parazgjedhore ulurojke rryme 24 ore , do ti hapim fabrikat , punesimin qe edhe evropianet do na e kane lakmi,do te udhetojme pa viza pas 15 muajsh e plot te tjera qe asnje nuk e ka realizua .E ka realizua vetem vjedhjen e votave me 2010 dhe kete mandat qe ka me hajni sikur qe ka bere plot rrena e hajnia tjera .P.S. Te shkruhet per Thaçin nuk ja vlen .

1000  Karaktere
Prishtinė 17°CKryesisht me vranėsira
Tiranė 17°CShi
Shkup 17°CKryesisht me vranėsira
Prishtinė19°C
Tiranė19°C
Shkup26°C