ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubiko *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 190 *** 22:20    Cosmo *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Ndryshimi i realitetit është rruga drejt Evropës, jo mohimi dhe kamuflimi i tij

Publikuar: 18.05.2012 - 22:27

Nuk është krejt e saktë fraza se Evropa është "lodhur nga zgjerimi"

Për hir të argumentit le të supozojmë se Zvicra ose Norvegjia do të aplikonin për anëtarësim në Unionin Evropian! Nuk besoj se dikush mendon se në atë rast Unioni do të ndiente lodhje. Përkundrazi, do t'i mirëpriste këto vende me shpejtësi të dritës. Dhe nëse kjo hipotezë është e vërtetë atëherë nuk mund të jetë plotësisht e vërtetë shprehja se Evropa është lodhur nga zgjerimi (enlargement fatigue)! Shprehja e saktë mund të ishte: Unioni është lodhur nga zgjerimi dhe absorbimi i vendeve të cilat nuk janë vërtet të gatshme për t'u anëtarësuar. Me një fjalë tjetër, unioni është lodhur duke paguar për vende  të cilat as në aspektin demokratik dhe të sundimit të ligjit, as në aspektin ekonomik dhe social dhe as në aspektin e ndikimit në sigurinë rajonale nuk iu përngjajnë shumicës së vendeve anëtare. Përderisa me anëtarësimin hipotetik të Norvegjisë ose të Zvicrës Unioni do të përfitonte në të gjitha aspektet, me anëtarësimin e vendeve të paafta do të humbasë shumë.

Do të humbasë të holla, për shkak se do të detyrohet të mbulojë vrima financiare të vendeve dembele;

Do të humbasë vende të punës, për shkak të emigrimit të pashmangshëm;

Do të humbasë siguri, për shkak të problemeve ekzistuese dhe të emigrimit;

Do të humbasë kredibilitet për shkak të rënies së indikatorëve të lirisë dhe demokracisë;

Dhe do të fitojë, sipas të gjitha gjasave delikuencë dhe kriminalitet në rritje!



Por si e shohin Kosovën ministrat e vendeve anëtare të Unionit, të cilët në fund të fundit vendosin qoftë për liberalizim të vizave, qoftë për hapat drejt anëtarësimit?



Parametrat të cilët flasin për Kosovën, pak ka rëndësi nëse janë realë apo të perceptuar, e tregojnë gjendjen alarmante. Ekonomia më e dobët në Evropë nuk ka se si të mos prodhojë emigracion të paligjshëm. Kosova është vend nga i cili mijëra të rinj dëshirojnë të ikin. Universitetet tona, me shumicë, prodhojnë kuadër të paaftë. Dhe kjo paaftësi rritet si ortek kur kihet parasysh se kuadri i paaftë do të duhet t'i aftësojë gjeneratat e ardhshme. Dhe nuk do mend se të paaftit nuk do të mund të prodhojnë të aftë. Të afërmit e pushtetarëve dhe vetë pushtetarët marrin tituj shkencorë e doktoratura dhe fillojnë të ligjërojnë nëpër universitete edhe pse janë funksionalisht analfabetë.

Ekonomia nuk funksionon. Asnjë investim i huaj serioz nuk po ndodh. Rritja e popullsisë ende është më e larta në Evropë, ndërsa rritja mesatare ekonomike prej 5 për qind në vit nuk e garanton absorbimin e as të një të dhjetës së armatës së të papunëve që shtohet çdo vit.

Qeveria e Kosovës duhet ta kuptojë drejt se si e lexon kombinimin e këtyre komponentëve një ministër i brendshëm i një vendi anëtar të Unionit; rritja më e shpejtë e popullsisë, ekonomia gati joekzistente, universitetet banale....! Dhe janë ministrat e brendshëm të vendeve anëtare që në fund të fundit do të vendosin për liberalizimin e vizave.

Regjistri ynë civil shërben vetëm për manipulimin e zgjedhjeve dhe për asgjë tjetër. Krimi i organizuar i ka kapluar majat e pushtetit, ndërsa pompat e benzinës dhe motelet, në shumë raste të lidhura me pushtetin janë mekanizëm i "sofistikuar" i shpëlarjes së parasë. Droga vidhet në stacionin qendror të policisë. Edhe këto i shohin me shumë kujdes ministrat e brendshëm të vendeve anëtare të BE.

Ndërsa kryeministrat dhe ministrat e jashtëm të këtyre vendeve shohin aspekte tjera. Korrupsioni është më i larti në Evropë e ndoshta edhe më gjerë. Ai kontrollohet nga majat e pushtetit. Ata e shohin raportin Marty. Ata i shohin kryetarët e komunave që vijnë nga partia në pushtet të dënohen për vepra penale. Dhe e dinë se procesi është selektiv, sepse përndryshe gjysma do të duhet të dënoheshin. Ata i shohin deputetët dhe ministrat po nga partia në pushtet të hetohen për vepra kriminale dhe prapë procesi është selektiv. Të dëgjueshmit nuk hetohen (të paktën publikisht) dhe si pasojë edhe të padëgjueshmit bëhen të dëgjueshëm. Në Kosovë kërcënohen edhe mediat, edhe deputetët. Edhe këto i shohin këta të fundit. Po të mos i shihnin këto ata ndoshta edhe do ta takonin kryeministrin tonë pas dhjetëra kërkesave që po i bëjnë ambasadat tona.



Çka ka faj Evropa?



Që në fillim të këtij shekulli Unioni Evropian e ka përdorur integrimin si karrem për t'i nxitur vendet kandidate drejt demokratizimit dhe forcimit të sundimit të ligjit. Kur  vendet janë sjellë konform rregullave janë shpërblyer, ndërsa kur nuk kanë pasur sukses janë dënuar. Rastet janë ende të freskëta për të gjithë ata që e ndjekin zhvillimin e Unionit. Unioni Evropian nganjëherë edhe e ka mbyllur njërin sy, por asnjëherë të dy sytë.

Kosovës me pamjen që e ka sot, zor se do t'i dhurohet diçka. Me këtë qeverisje vetëm sa do të thellohet hendeku në mes shtetit tonë të ri dhe Evropës. Por Evropa po sillet ndryshe ndaj Kosovës, e vërtetë është! Evropa e lajthit Qeverinë e Kosovës me bisedimet me Serbinë dhe si pasojë e lajthit edhe popullin e Kosovës. Evropa nuk i bën presion Kosovës që të demokratizohet. Si duket kanë prioritete tjera, ndoshta edhe të kuptueshme, por populli i Kosovës nuk ka faj….!



Akuzat!



Kryeministri e akuzon publikisht Evropën se nuk po tregohet fer ndaj Kosovës. Me akuza publike mëtohet të arrihet vetëm një qëllim. Shfajësimin e qeverisë para opinionit publik vendor për dështimet në të gjitha aspektet që i përmenda më lart dhe fajësimin e Unionit Evropian.

Por këto deklarata të përsëritura rrezikojnë të shkaktojnë efekte anësore tejet të këqija.

Së pari, vendet anëtare nuk tremben nga arroganca. Ato gozhdohen edhe më fort në pozicionet që i kanë.

Së dyti, administrata, komunat, dhe të gjithë njerëzit që në një mënyrë ose në një tjetër janë të kyçur në shtetndërtim fillojnë të binden se vetë janë duke punuar mirë, porse ç'e do, kur Evropa nuk është fer ndaj nesh...?

Dhe së treti të gjithë ata që e dëgjojnë dhe i besojnë qeverisë fillojnë të forcohen si euroskeptikë…. dhe kushedi se ku do ta gjejnë zgjidhjen.

Të tria këto efekte e largojnë Kosovën prej Unionit Evropian. Prandaj Kosova po vjen edhe një herë në pozitë që të paguajë shumë për ta ruajtur karrierën politike të një grupi të vogël të njerëzve në pushtet.



Cila është rruga?



Qytetarët e Kosovës e kanë ditur se rruga drejt Evropës nuk do të jetë e lehtë.  Madje- madje ata e kanë zgjedhur rrugën e “vështirë”, me plot vetëdije. Rrugën drejt BE-së si shtet i pavarur dhe sovran e kanë zgjedhur përkundër sugjerimeve se më shpejt do të integroheshim si pjesë e Jugosllavisë, përkundër faktit se do të vuanin dhe përkundër faktit se këto sugjerime vinin nga njerëz që sot janë shndërruar në pushtetarë patriotë!

Por qytetarët e Kosovës nuk e kanë ditur se shteti i tyre do të degradojë kësisoj për pak kohë. Dhe kur po them ka degraduar ashtu edhe po mendoj. Shteti i Kosovës ka filluar të krijohet në terma konkretë që nga fundi i vitit 1999 . Deri në ditën e shpalljes së pavarësisë ka qenë krijuar policia, mu si kjo që është sot; gjykatat mu si këto që janë sot; administratat komunale dhe qendrore po ashtu, institucionet e pavarura dhe mediat, doganat etj. Edhe objektet qeveritare janë kryesisht të njëjtat (shumë prej tyre me qira) përpos nja dy objekteve të ministrive dhe pallatit të “Rilindjes”, i cili në vetvete është turp korrupsioni.

Pak ka ndryshuar që prej shpalljes së pavarësisë. Kanë ndryshuar emrat dhe letrat. Për shembull prej SHPK në PK. Po ashtu dokumentet e udhëtimit janë bërë pasaporta, por më pak vende na i njohin. Doganat nuk janë më të UNMIK-ut, por të Kosovës, por funksionalisht të njëjtat janë. Bordet dhe institucionet e pavarura nuk janë më të tilla…. Tanimë janë plotësisht të varura. Rezervat buxhetore janë shpenzuar plotësisht Me energji jemi njëjtë vetëm se blejmë shumë më tepër. Veriun e kontrollojmë edhe më pak se përpara (lexo hiç). Në anën tjetër duhet pranuar se qeveria i ka veturat, sofat dhe këmishët më të mira. Gjysmën e të punësuarve në administratë ose në ndërmarrje publike i ka ose familjarë ose klientë (po flas për klientelizmin jo për konsumatorët)

Kjo është krejt çka ka arritur "qeverisja e mirë" për më tepër se katër vjet.

Kosova jo vetëm që ka vendnumëruar, por në shumë aspekte është kthyer prapa. Imazhi i rrënuar i vendit tonë në botë nuk rrjedh nga miopia e shteteve tjera, por përkundrazi, imazhi është pasojë e gjendjes në të cilën është sjellë vendi.

Kosova nuk ka nevojë për këtë "favor" të radhës që ia bën qeveria e vet.

Në vend të një qeverie që qyrravtë duke u ankuar dhe e largon vendin edhe më tej nga Evropa, Kosovës i duhet një qeveri që e merr fuqishëm përsipër ndërtimin e demokracisë, ekonomisë dhe sundimit të ligjit. Që e merr fuqishëm përsipër që ta ndërtojë një vend nga i cili njerëzit nuk ikin, por ku gjejnë punë dhe mirëqenie. Që i garanton popullit të vet se nuk e ka strategji mashtrimin, si në shkollim, ashtu edhe në sundim të ligjit. Kosova ka nevojë për një qeveri që nuk i shpenzon energjitë për ta mohuar dhe kamufluar realitetin. Kosova ka nevojë për një qeveri që do t'i shpenzojë të gjitha energjitë për ta ndryshuar realitetin. Kjo do të jetë rruga e shpejtë drejt Europës, e jo akuzat drejt saj.



(Autori është nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës)

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 18°CKryesisht me vranėsira
Tiranė 18°CKryesisht me vranėsira
Shkup 23°CMe vranėsira tė pjesshme
Prishtinė21°C
Tiranė22°CRrebesh shiu
Shkup26°CMe diell