Rock për rock hap dyert për të njëmbëdhjetën herë

Artikujt tjerė
- Rock për rock hap dyert për të njëmbëdhjetën herë
- Dy kosovarë në evenimentin botëror të artistëve të rinj
- Kalendari historik, 23 prill 2012
- Pas 72 vjetësh shuhet Vjesnik i Kroacisë
- Udhëtimi në Maqedoni e vërteta mbi ecejaket e shqiptarëve
- Buxhovi: Schmitt sulmon historinë shqiptare
- Artistët evropianë kërkojnë njohjen me kolegët kosovarë
- Kalendari historik, 21 prill
- Në Çarshinë e vjetër të Shkupit hapet Libraria e Çarshisë
- Përplasje në Filarmoninë e Kosovës, ikin tre instrumentistë
Prishtinë, 23 prill Muzikantët që mbajnë gjallë frymën e rock muzikës në vend, për të njëmbëdhjetën herë do të bëhen bashkë në një skenë. Koncerti i vetëm garues i muzikës rock në Kosovë, ka lansuar thirrjen publike për të gjitha grupet e reja të rockut. Rock për rock, i cili sivjet hyn në dekadën e dytë të themelimit, do të mbajë dyert hapur për pjesëmarrje deri në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit maj. Grupet e reja që duan të bëhen pjesë e garës më të madhe të rock muzikës, kanë fiks njëzet e tri ditë kohë që të dërgojnë në adresë të këtij koncerti demoincizimet për dy këngë të grupit.
Beteja për të triumfuar garën sikurse tradicionalisht, edhe sivjet do të mbahet në qershor, në teatrin Oda.
Agim Berisha, njëri nga organizatorët, ka thënë se edhe këtë edicion kushti i parë për të kaluar testin është gatishmëria për të performuar live.
Kushtet mbesin të njëjtat. Nga dy kompozime origjinale duhet të dorëzohen nga secili grup pjesëmarrës deri më 15 maj, ka thënë Berisha, derisa ka shtuar se pas mbylljes së konkursit do të bëhet vlerësimi dhe përzgjedhja e atyre që do të bëhen pjesë e garës.
Meqë është kusht këndimi live duhen disa ditë derisa ti dëgjojmë të gjitha materialet dhe të shohim çka kanë sjellë, ka thënë ai.
Përveç grupeve konkuruese, siç e do zakoni, në skenën e Rock për Rock, do të performojnë edhe mysafirë.
Shpresojmë që do të kemi disa muzikantë nga Zvicra. Jemi në negociata, ka thënë ai.
Ata që përzgjidhen për konkurrim, do të ngjiten në skenë në qershor. Koncerti në Odë, pritet të bëhet brenda periudhës kohore 6-8 qershor, ka thënë Berisha, derisa ka theksuar edhe një gjë.
Konkursi është i hapur për të gjithë. Nuk ka kufi.
Njëmbëdhjetë vjet më parë, pesë shokë, do të mblidheshin për të biseduar seriozisht rreth një ideje që deri atëherë kishte qarkulluar mes tyre si në mjegull. Agim Berisha, Shkëlzen Veseli, Muhamet Veseli, Agron Bajrami dhe Valton Besimi do të hidhnin në letër projektin për organizimin e një koncerti të rockut në Kosovë. Qëllimi që ata i kishin vënë vetës ishte tu ndihmohet të rinjve që dëshirojnë të kultivojnë subkulturën e rockut.
Karakteri i koncertit Rock për rock, sipas të gjitha gjasave, thotë Berisha, do të jetë i njëjtë. Ai ka shtuar se synimi kryesor i këtij koncerti është tu jepet mundësia atyre që punojnë dhe kompozojnë për të treguar kreativitetin e tyre.
Jemi të kënaqur që kemi arritur qëllimin tonë. Ti intrigojmë të rinjtë që të punojnë dhe të jenë më kreativë. Duam që ata që vijnë të performojnë në Rock për Rock të jenë vetja e tyre, ka thënë Berisha.
Ai ka shtuar se Rock për rock nga edicionet e kaluara ka nxjerrë disa emra që edhe sot janë aktivë në skenën muzikore.
Ka shumë të ri që kanë nisur karrierën e tyre në skenën e Rock për rock. Linda Halimi është vetëm njëra nga ata që shpërblimin e parë e ka marrë në këtë koncert, ka thënë Berisha.
Rock për Rock sivjet është mbështetur nga Drejtoria e Kulturës e Komunës së Prishtinës. Sponsorë medialë janë Koha Ditore dhe KTV-ja.
Fitues i edicionit jubilar të Rock për rock ishte shpallur grupi Stickers. Grupi kishte mposhtur në konkurrencë Freak Week, Nosie Seed, Torch, Throne, New Age Rock dhe Crossroads.
Mysafir i koncertit ka qenë bendi Tunica Dartos nga Lucerni i Zvicrës.








