Artistët e së nesërmes thërret për të 11-n herë

Artikujt tjerė
- Artistët e së nesërmes thërret për të 11-n herë
- Mbas zonjushës Julie rikthehet më 22 mars
- Iliada është shkruar në vitin 762 para erës sonë
- Roland Trebicka, babai i komedisë shqiptare
- Gara për shtatoren e Rugovës ndërkombëtarizohet me konkurs anglisht
- Kalendari historik, 7 mars
- Kadare, për së dyti kandidat i çmimit The Independent
- Vdiq aktori Roland Trebicka
- Nis puna për instalacionin Post bllok
- Të qash Maron me kaba elektronike...
Prishtinë, 7 shkurt - Për të njëmbëdhjetën herë me radhë Galeria Kombëtare e Kosovës ka ftuar artistët në konkursin për çmimin Artistët e së nesërmes. Kriteret e as shpërblimi nuk kanë ndryshuar. Gjashtë javë rezidencë në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në studio ndërkombëtare dhe program kuratorial është shpërblimi që do të marrë edhe artisti i 11-të i së nesërmes.
Rezidenca i jep fituesit mundësinë të ndërtojë një rrjet kontaktesh që do ta ndihmojnë në karrierë, thuhet në një komunikatë për shtyp të lëshuar nga GKA-ja, të mërkurën. Sipas kësaj komunikate, të drejtë konkurrimi kanë krijuesit nga fusha e pikturës, skulpturës, grafikës, instalacionit, fotografisë, videos dhe performancës. E kusht është që artisti të jetë më i ri se 35 vjeç. Jo më larg se 1 maji, të interesuarit për tu bërë pjesë e kësaj gare duhet të dorëzojnë në Galerinë Kombëtare të Arteve formularin e plotësuar bashkë edhe me portofolion me përmbledhjen e punimeve të realizuara deri më tani.
Ekspozita me finalistët e kësaj gare do të hapet në tetor të këtij viti. Ata do të punojnë me kuratorin e ekspozitës në realizimin e punimeve për ekspozitën finale, i cili nuk është caktuar ende. Punimet e tyre do të vlerësohen nga një juri ndërkombëtare, që pasi që do ti shqyrtojë propozimet dhe do të intervistojë finalistët do të shpallë fituesin.
Deri tash, çmimin Artistët e së nesërmes e kanë marrë Majlinda Hoxha, Astrit Ismaili, Loreta Ukshini, Miranda Thaçi, Bekim Gllogu, Fatmir Mustafa - Carlo, Fitore Isufi-Koja, Kader Muzaqi, Jakup Ferri dhe Tahar Alemdar. Punimet e gjithë këtyre artistëve u patën bërë bashkë në një ekspozitë retrospektive që është organizuar nga Galeria Kombëtare e Arteve, për nder të 10-vjetorit të organizimit të kësaj gare. Në ekspozitën e kuruar nga Eriola Pira, qenë përplasur realitete të shumta që i kanë preokupuar artistët gjatë dhjetë vjetëve të fundit. Ekspozita retrospektive Artistët... bashkonte veprat që pasqyrojnë edhe ngjarje si shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 2008, e deri te fotografitë nudo të vetë krijuesve.
Çmimi Artistët e së nesërmes organizohet nga Galeria Kombëtare e Kosovës në bashkëpunim me Fondacionin për Shoqëri Civile, New York. Ky program përbëhet nga dhjetë shtete të tjera dhe ka filluar në vitin 1991 në Çekosllovaki. Në Kosovë është hapur në vitin 2002. GKA-ja e cilëson këtë si konkursin e vetëm të këtij lloji, i cili i afirmon artistët e rinj herët në karrierën e tyre dhe u jep mundësinë që të fitojnë rezidencën gjashtëjavore në Studio Ndërkombëtare dhe Programi Kuratorial në New York ku ata njihen me skenën e artit bashkëkohor të kryeqytetit të botës, dhe me atë çka ky megaqytet ofron.










