Shifrave për kulturën të Agjencisë Statistikore të Kosovës su besohet

Artikujt tjerė
- Vallet kosovare në pullat postare
- Vullnetarët kanë rol të rëndësishëm në jetën kulturore të qytetit
- Bienalja e Venecias miraton kërkesën e Kosovës për pjesëmarrje në ekspozitë
- Asnjë shenjë në Podgoricë ku u vra Isa Boletini
- Kryengritja e Dervish Carës - vetëdijesimi i shqiptarëve për pavarësi
- Shifrave për kulturën të Agjencisë Statistikore të Kosovës su besohet
- Kalendari historik, 25 tetor
- Arkivi i ish-Ministrit amerikan të Mbrojtjes u shit për 1 milion dollarë
- Pellazgët, paraardhës të shqiptarëve
- Ministria e Kulturës planifikon të blejë libra për të ndihmuar botuesit
Prishtinë, 25 tetor - Teatri Dodona, vitin e kaluar ka pasur dyfish më shumë shikues se të gjithë teatrot profesioniste të Kosovës. Filma në kinema apo në salla të tjera, për një vit kanë parë pak më shumë se 50 mijë veta. Shteti ka regjistruar 30 mijë shikues që kanë parë filma në kinematë që nuk respektojnë të drejtat e autorit. Komuna e Ferizajt ka raportuar se në një sallë të galerisë, ku për një vit janë hapur jo më shumë se tri ekspozita, ka pritur 6 mijë vizitorë. Kjo i bie se një ekspozitë në Ferizaj është parë 10 herë më shumë se sa mbledh mesatarisht një ekspozitë Galerinë e Arteve të Kosovës. E në anën tjetër, me statistikat e vitit 2011 nëpër galeritë në Kosovë tregojnë se numri i vizitorëve krahasuar me një vit më herët ka rënë për gjysmë. Këto të dhëna dalin me Raportin e shtatë të Statistikave të Kulturës të Agjencisë Statistikore të Kosovës për vitin 2011, e cila është publikuar rishtas. ASK-ja nxjerr se fiks 1 mijë e 492 aktivitete kulturore kanë realizuar institucionet shtetërore të kulturës, përderisa janë përcjellë nga 259 mijë 110 vizitorë.
Artistët nuk u besojnë këtyre shifra. E skeptikë janë edhe në Ministrinë e Kulturës. Zyrtarë të këtij institucioni, pos shifrave, kanë gjetur edhe behane të tjera në raport.
Për 33 shikues, Teatri Kombëtar i Kosovës nuk ka mundur të përthekojë në 10 mijë numrin e vizitorëve gjatë vitit të kaluar. Në 321 ulëse të institucionit më të lartë teatror në vend, sipas Agjencisë së Statistikave, janë ulur 9 mijë e 967 veta, të cilët kanë parë 136 repriza të dramave, 42 të baletit dhe 2 koncerte. Secilën reprizë të shfaqjeve në TKK i bie që e kanë parë mesatarisht nga 55 veta.
Menjëherë pas TKK-së, me numër të vizitorëve renditet Teatri Profesionist i Gjakovës. Me dukshëm më pak numër të reprizave të shfaqjeve, vetëm 27, në sallën që zë 694 veta, sipas këtij raporti, janë ulur 7 mijë e 500 veta.
Por matematika e Agjencisë së Statistikave të Kosovës nuk del mirë kur bëhet fjalë për Gjilanin. Në Teatrin Profesionist të këtij qyteti, që ka kapacitet prej 296 ulësesh, janë dhënë 5 shfaqje dhe 5 koncerte. Numri në total i shikuesve është 4 mijë e 600. Nga kjo, del se në vendin që nuk zë 300 veta, kanë hyrë 460 në secilën shfaqje. E në Pejë, i bie që Teatri ka qenë gati gjithmonë plot sa herë që aty ka pasur një aktivitet kulturor. Në sallën që zë 286 vetë, janë dhanë 10 shfaqje teatrore dhe 3 koncerte, e aty kanë hyrë 2 mijë e 800 vetë. Njësoj është edhe në Prizren. Teatri që zë 335 veta ka dhënë vetëm dy shfaqje, e ka pasur 650 shikues.
Por statistikat tregojnë se Teatri Dodona ka pasur shikues dyfish më shumë se krejt teatrot profesioniste në Kosovë. Aty, në vitin 2011 janë dhënë 620 repriza të shfaqjeve, e 92 koncerte, ndërsa ka 56 mijë e 240 shikues për 2011-n. Viti kalendarik ka 365 ditë, e kjo nënkupton se Dodona sipas Raportit, ka dhënë gati çdo ditë nga dy shfaqje.
Në 28 teatro amatore, 149 shfaqje dhe 114 koncerte i kanë përcjellë 57 mijë e 40 shikues.
Krejt grumbulli i shifrave të vizitorëve në teatrot profesioniste në Kosovë, sipas ASK-së, është dyfishuar në krahasim me vitin kaluar. Në vitin 2010 kanë qenë 13 mijë e 279 shikues, teksa në vitin 2011 numri i atyre që kanë parë shfaqje në teatër është 25 mijë e 517.
Në krejt Kosovën, sipas Agjencisë, filma në ekran të madh kanë parë 50 mijë e 650 shikues. Në Raport thuhet se Kosova ka 20 kinema, me 31 salla që kanë bashkë mbi 8 mijë ulëse. Ato kanë shfaqur 177 filma.
Por Kosova nuk ka rrjet të kinemasë. Vetëm Kinemaja ABC e kryeqytetit është e regjistruar si hapësirë ku shfaqen filmat. Kjo Kinema vitin e kaluar ka arritur marrëveshje me kinemanë në Mitrovicë, që filmat në 35 milimetër të ABC-së të shfaqen edhe atje në dy terminë në javë. Marrëveshje të njëjtë, Kino ABC ka bërë edhe me kinemanë në Pejë, këtë vit, por kjo nuk mund të përfshihet në statistikat e 2011-s.
Miradije Vllahiu, menaxhere në kompaninë për shfaqjen dhe distribuimin e filmit Genci, e cila menaxhon Kino ABC, ka thënë se ka mbetur e befasuar nga këto shifra.
Në bazë të statistikave për vitin e kaluar, Kino ABC ka pasur 20 mijë shikues. Vllahiu ka thënë se kjo shifër përkon vetëm me numrin e vizitorëve në repertorin e rregullt të kinemasë, teksa edhe pesë mijë shikues të tjerë aty kanë parë filma në kuadër të organizimeve të tjera që mbahen aty si javë filmi apo Festivale. Menaxhmenti i Kino ABC thotë se ardhja e teknologjisë së re në këtë kinema do të shumëfishojë shikueshmërinë.
Vetëm për dy muajt e fundit ne kemi pasur 14 mijë shikues, që është më shumë se në 6-mujorin e parë. Për një vit të plotë me këtë teknologji presim të kemi 60 deri në 80 mijë shikues, ka thënë Vllahiu.
Përkundër kësaj numri i atyre që kanë parë film në ekran të madh në vitin 2011, ka rënë në krahasim me shifrat e një viti më parë. Në 2010 filma kishin parë 58 mijë e 191 veta, teksa rekordin e mban viti 2005, kur në kinema kishin qenë 67 mijë e 266 veta.
Dy galeritë në Prishtinë, ajo Kombëtare dhe ajo e Ministrisë së Kulturës Qafa bashkë kanë regjistruar 8 mijë e 289 vizitorë. Në këto dy hapësira sipas Raportit janë hapur 39 ekspozita.
Në krejt Kosovën, në vitin 2011 janë hapur 95 ekspozita të artit pamor, që kanë tubuar bashkë 34 mijë e 349 vizitorë, ose mesatarisht 362 për një ekspozitë. Krahasuar me statistikat e një viti më parë, rënia është drastike. Në vitin 2010 galeritë e vendit kishin regjistruar 65 mijë e 392 vizitorë, ose afro 31 mijë më pak.
Në 140 biblioteka në krejt Kosovën vitin e kaluar janë regjistruar 199 mijë e 711 vizitorë. Kjo është për afër 70 mijë më pak se në vitin paraprak, kur qenë regjistruar 269 mijë e 85 lexues, në po aq biblioteka. Në vitin 2011, bibliotekat janë pasuruar me më shumë se 18 mijë tituj të rinj.
Edhe në Muze numri i vizitorëve në vitin 2011, ka rënë në krahasim me një vit më parë. Derisa në vitin 2010 nëpër muzetë e Kosovës kanë shëtitur 41 mijë e 269 veta, një vit më vonë numri ka rënë për afro 6 mijë, në 35 mijë e 314 veta (më gjerësisht sot në Kohën Ditore)









Arber25.10.2012/10:10
Kta jon ... a, kta jon sui generis, i marrin te dhenat per statistika nga zyrja, po mendoj, ia futin te dhenave prej zyres. Cfare shoqerie e deshtuar!