Institucionalizohen çmimet për teatër e kinematografi në Kosovë

Artikujt tjerė
- Institucionalizohen çmimet për teatër e kinematografi në Kosovë
- Artisti amerikan ligjëron për lidhjen e komuniteteve me artin
- Rahoveci pranon propozimet për revitalizimin e trashëgimisë kulturore
- Rust and bone, filmi më i mirë i Festivalit të Londrës
- Kalendari historik, 22 tetor
- Mitrovica jep 60 mijë euro për kopjen e shtatores së Isa Boletinit
- Ditët e Naimit bashkon në Prishtinë poetë nga mbarë bota
- Vjen pjesa e dytë e autobiografisë së Bekim Fehmiut
- Krasniqi: Albaniada promovon trashëgiminë shpirtërore shqiptare
- Në nëntor, festivali mbarëkombëtar i dramës shqipe
Prishtinë, 22 tetor - Një karrierë e tërë artistike në Kosovë një artisti mund ti shpërblehet nga institucionet e vendit më së shumti me një çmim për vepër jetësore, vlera e të cilit pos një certifikate nuk tejkalon shumën prej 5 mijë eurove. Ndërsa suksesi i vjetor i një artisti në skenën kinematografike dhe teatrore mund të shpërblehet me një çmim që si vlerë monetare ka shumën prej 2 mijë e 500 eurosh.
Kabineti i ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi, ka njoftuar të premten për nënshkrimin e dy rregulloreve për çmimet në kinematografi dhe teatër. Përderisa në kategorinë e kinematografisë janë vetëm dy çmime, ai për vepër jetësore Bekim Fehmiu dhe ai vjetor për kinematografi, çmimet për teatër janë me bollëk. Përpos atij për vepër jetësore në fushën e teatrit, do të jepen edhe pesë të tjera, si ai për shfaqjen, regjinë, aktorin ose aktoren më të mirë, si dhe për prezantimin më të suksesshëm ndërkombëtar. Në Ministrinë e Kulturës thonë se këto çmime janë themeluar për të vlerësuar krijuesit dhe performuesit në teatër dhe film.
Sipas rregullores për çmimet në teatër, autoriteti që ndan çmimin për vepër jetësore për teatër është ministri i Kulturës, ndërsa për çmimet vjetore do të vendosë një juri të cilën e emëron po ashtu ministri e që do të ndahen më 27 mars në Ditën Botërore të Teatrit nën organizimin e TKK-së.
Rregullorja thotë se çmimi për vepër jetësore do të ketë një kosto prej 5 mijë eurosh dhe do tu ndahet personaliteteve të cilat gjatë karrierës kanë dhënë kontributin për avancim të teatrit. Ky çmim mund të jepet edhe pas vdekjes së autorit.
Laureatë të këtij çmimi mund të jenë regjisorët, aktorët, dramaturgët, skenografët, kostumografët, kompozitorët dhe krijuesit teatrorë. Çmimi për vepër jetësore ishte ndarë edhe më herët nga Ministria e Kulturës. Vendimi i datës 10 korrik 2008, i marrë nga ish ministri Valton Beqiri, kishte themeluar Çmimin Vjetor për Teatër. Ky vendim tashmë është anuluar dhe është nxjerrë një tjetër nga ministri i tanishëm. Me këtë vendim ky çmim kishte kosto prej 3 mijë eurosh dhe është ndarë për katër vjet me radhë. 2008, 2009, 2010 dhe 2011. Vetëm këtë vit nuk është ndarë. E para që kishte marrë këtë çmim kishte qenë aktorja doajene Naxhije Deva, pas saj ishin nderuar Mushrefe Llozana dhe kritiku Vehap Shita, ndërsa në vitin 2010 aktorja Drita Krasniqi. I fundit që ka marrë këtë çmim, në vitin 2011 ishte aktori Bislim Muçaj.
E rregullorja e re përcakton edhe çmimet e tjera. Shfaqja më e mirë sipas rregullores do të ndahet për atë që ka treguar sukses nga vlera, profesionalizëm dhe ka pasur shikueshmëri. Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, sipas Ligjit në fuqi, duhet të prodhohen minimalisht 5 shfaqje. TKK-ja rrallëherë e kalon këtë numër teksa teatrot tjera komunale dhe private realizojnë edhe më pak se pesë shfaqje brenda vitit. Ndërsa sipas të dhënave zyrtare të TKK-së, vitin e kaluar numri i shikuesve ka qenë pak mbi 9 mijë. Ndërsa regjisori më i mirë do të jetë ai që do të vlerësohet më origjinal, aktorët më të mirë do të marrin këtë çmim nëse kanë pasur ndonjë performancë të shkëlqyeshme, ndërsa çmimin për shfaqjen më të suksesshme ndërkombëtarisht mund ta marrin produksionet teatrore, regjisori, aktori, dramaturgu, skenografi, kostumografi e koreografi. Të gjitha këto çmime do të kenë kosto prej 2 mijë e 500 eurosh dhe do të ndahen pas një konkursi 30-ditor, ku Akademia e Shkencave dhe e Arteve, teatrot publike dhe private, Fakultetit i Arteve në UP dhe shoqatat, kompanitë apo trupat teatrore do të kenë mundësi të propozojnë pretendentët. Por rregullorja jep mundësi edhe të konkurrimit personal.
Teksa artistët e teatrit kanë shanse më të mëdha për të fituar çmime, ata të kinematografisë kanë vetëm dy mundësi. Rregullorja për ndarjen e çmimeve në kinematografi parasheh ndarjen e çmimit kombëtar për vepër jetësore Bekim Fehmiu dhe çmimin vjetor për kinematografi.
Çmimi që mban emrin Bekim Fehmiu ishte ndarë në vitin 2010 në kuadër të një festivali filmi në kryeqytet me vendim të ish-ministrit Lutfi Haziri dhe ka qenë i dedikuar për aktorin ose aktoren më të mirë. Me rregulloren e re, ky çmim parashihet tu ndahet kineastëve për suksesin, të arriturat gjatë karrierës, risitë dhe kontributin e veçantë në avancimin e kinematografisë dhe ka kosto prej 5 mijë eurosh. Ky çmim mund të ndahet edhe pas vdekjes së autorit dhe ministri do të jetë ai që do të ndajë këtë çmim. Laureat të tij mund të jenë personalitete me karrierë prej producenti, regjisori, skenaristi, aktori, drejtori të fotografisë, kompozitori, montazheri, skenografi, kostumografi, animatori dhe krijuesit që në mënyrë kreative kontribuojnë në kinematografi(gjerësisht në Kohën Ditore).









