Kultura shqiptare, protagoniste në Milano dhe Torino

Artikujt tjerė
- Kultura shqiptare, protagoniste në Milano dhe Torino
- Çelet në Moskë ekspozita e ikonave shqiptare
- Egjipti rihap piramidat për turistët
- Përzgjidhet juria për Artistët e së nesërmes
- Panairi i Librit në Gjilan do të sjellë 170 tituj të rinj
- Petrovci: Banditët në Qendrën Kinematografike dhe në Teatrin Kombëtar
- Nobeli për letërsi, shkrimtarit kinez Mo Yang
- Karvani... viziton nxënësit e komunitetit RAE
- Në Muzeun Etnologjik nis cikli i ligjëratave për trashëgiminë kulturore
- Arben Morina pikturon 40 'shenjtorët' e Pavarësisë
Tiranë, 13 tetor - Takime letrare, konferenca, shfaqje filmash të kinematografisë shqiptare dhe performanca live të artistëve shqiptarë, virtuozë të muzikës klasike ishin disa prej momenteve më të rëndësishme në qendër të Javës së Kulturës Shqiptare, që u zhvillua nga 5-11 tetor në Itali. Qindra qytetarë artdashës patën rastin të njihen nga afër me Shqipërinë, artin dhe kulturën e saj përmes ciklit të veprimtarive të organizuara në Milano dhe Torino, nga Qendra e Kulturës Shqiptare, me mbështetjen e Konsullatës së Shqipërisë në Milano.
Ndër veprimtaritë e zhvilluara në kryeqendrat e veriut të Italisë spikasin takimet me shkrimtaren e suksesshme Anilda Ibrahimi, autore e disa romaneve të botuara në vendin fqinj nga shtëpia botuese prestigjioze Einaudi. Vëmendje të veçantë pati edhe shfaqja e disa prej filmave më të mirë të kinematografisë shqiptare të viteve të fundit, të prezantuar nga aktorja e mirënjohur e skenës dhe ekranit Rajmonda Bulku.
Gjatë 22 vjetëve të fundit në Itali janë vendosur mbi 500 mijë qytetarë shqiptarë. Rreth një e treta e tyre jetojnë dhe punojnë në rajonet veriperëndimore të Lombardisë dhe Piemontit, territori ku shtrihet veprimtaria e Qendrës së Kulturës Shqiptare, me qëllim kryesor promovimin e kulturës dhe të imazhit të Shqipërisë. Kjo qendër synon gjithashtu të mbështesë procesin e integrimit të bashkësisë shqiptare, të nxisë pjesëmarrjen aktive të qytetarëve shqiptarë në jetën kulturore, sociale, ekonomike dhe politike të Italisë, duke zhvilluar dhe konsoliduar njëkohësisht marrëdhëniet e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Si raporton Balkanweb, Qendra e Kulturës Shqiptare është sot një prej realiteteve më të njohura e më të spikatura të bashkësisë shqiptare në Itali. Ajo është shndërruar tashmë në një pikë referimi si për qytetarët shqiptarë, ashtu edhe për organizatat dhe institucionet e territoreve ku vepron.






