• Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Pulsi *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 187 *** 22:20    Dokumentar: “Njerëzit dhe kujtimet flasin” *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Filarmonia e Kosovës hap festivalin turk

Publikuar: 17.09.2012 - 09:47

Prishtinë, 17 shtator – Instrumentistët nga Kosova janë të parët që do të ngjiten në skenë për të hapur edicionin e tretë të festivalit turk, i cili mban emrin e një flautiste me origjinë shqiptare. Instrumentistja turke me nam botëror, Sefika Kutluer – babai i së cilës është nga Prizreni – është bërë “sebep” që Filarmonia – Opera e Kosovës të ketë paraqitjen e parë para publikut turk, bën të ditur “Koha Ditore”. “International Sefika Kutluer Festival” është titulli i festivalit, që do të nisë më 30 të këtij muaji në qytetin Ankara. Festivali i ndërtuar mbi moton “East Meets West” (Lindja takon Perëndimin), për të tretën herë do të bëjë bashkë orkestra nga vende të ndryshme të botës. Orkestra e Filarmonisë së Kosovës është e para që do t’u prijë formacioneve nga Meksika, Kazakistani, Turqia, Maqedonia etj. Instrumentistët nga Kosova në mbrëmjen e parë të festivalit që zgjat deri më 19 tetor, do të interpretojnë tri vepra të kompozitorëve shqiptarë, nën dirigjimin e Baki Jasharit. Ky i fundit, njëherësh drejtor i Filarmonisë – Opera e Kosovës, ka thënë se ftesën për të performuar në Turqi, institucioni që ai drejton, e ka marrë nga themeluesja e festivalit.

“Festivali udhëhiqet nga flautistja me prejardhje shqiptare dhe ajo na ka ftuar të performojmë, me shpenzime të organizatorit. Veç instrumentistëve tanë do të kemi edhe disa nga Shqipëria për të plotësuar numrin”, ka thënë Jashari.

Jashari ka folur edhe për programin që Filarmonia e Kosovës do të “jetësojë” para audiencës turke.

“Do të luajmë vetëm vepra shqipe, duke nisur me ‘Prizreni i vjetër’ të Lorenc Antonit, simfoninë nr.1 të Rexho Mulliqit dhe ‘Poema dramatike – Skënderbeu’ të Fahri Beqirit”, ka thënë Jashari.

“Përzgjedhjen e ka bërë organizatorja, duke e përshtatur edhe me 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë”, ka shtuar ai.

Derisa ka thënë se paraqitja e fundit e Filarmonisë – Opera e Kosovës jashtë kufijve shqiptarë ka qenë ajo në Japoni më 2010, Jashari e ka theksuar rëndësinë e kësaj paraqitje.

“Duke marrë parasysh që në këtë festival do të prezantohen orkestra nga vende të ndryshme të botës, për ne kjo pjesëmarrje është e një rëndësie të veçantë. Jemi të nderuar me ftesën që na është bërë”, ka thënë Jashari.

Paraqitja para audiencës turke për Visar Kuqin, koncert mjeshtër i orkestrës së Filarmonisë – Opera e Kosovës, është një sfidë.

“Jam shumë kureshtar të shoh pritjen që do të na bëhet atje. E di që gjatë javës publiku do të dëgjojë koncerte nga orkestra prej gjithë botës, kështu që do të presim reagimin e tyre”, ka thënë Kuqi. “Nëse na presin mirë, i bie se kemi pasur sukses”, ka shtuar ai.

Paraqitjes në Turqi të Filarmonisë së Kosovës do t’i paraprijë koncerti në kryeqytet. Më 23 të këtij muaji, filarmonia do të hapë sezonin me koncertin inaugurues.

I pari i këtij institucioni, ka thënë se veçantia e koncertit është dirigjenti mysafir nga Kroacia, Pavle Deshpalj.

“Veçantia e koncertit ka të bëjë me pjesëmarrjen e dirigjentit me renome evropiane, i cili me prejardhje është arbresh”, ka thënë Jashari.

Jashari po ashtu ka zbuluar përmbajtjen e programit të koncertit që do t’u prijë katër koncerteve të radhës që Filarmonia – Opera e Kosovës do të realizojë deri në fund të vitit.

“Solist në këtë koncert do të jetë Antonio Gashi. Do të interpretohet një program shumë atraktiv, me vepra të Beethovenit, Camille Saint Sanes dhe Antonin Dvorak”, ka thënë ai.

Biletat për koncertin e radhës të Filarmonisë – Opera e Kosovës kushtojnë pesë euro.

 

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 25°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė 25°CMe vranėsira tė pjesshme
Shkup 30°CMe vranėsira tė pjesshme
Prishtinė27°CMe diell
Tiranė28°CMe diell
Shkup30°CMe diell