• Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubiko *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 188 *** 22:20    Anima *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

‘KOHA’ me “Lum Lumin” shënoi ditëlindjen e mjeshtrit të poezisë

Publikuar: 29.08.2012 - 10:00

Prishtinë, 29 gusht – Nipi i poetit të ndjerë Ali Podrimja, Gent Salihu, ka garantuar se asnjëherë më parë nuk janë tubuar më shumë njerëz në ditëlindjen e gjyshit të tij. Të martën, kur poeti emblematik shqiptar do të mbushte 70 vjeç, Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës ka qenë e mbushur plot me miq e familjarë të tij. Aty “Botimet KOHA” ka promovuar ribotimin e kryeveprës së poetit me nam, “Lum Lumi”, pikërisht në nderim të këtij përvjetori. E botuar 30 vjet më parë, kryevepra e mjeshtrit të fjalës së shkruar, kishte bërë jehonë të madhe. Për dikë ajo ka ndryshuar epokën e poezisë shqipe.

“Asnjë ditëlindje e gjyshit nuk ka pasur më shumë njerëz sesa kjo sot”, ka thënë Salihu, teksa ka falënderuar “Grupin KOHA” që ka marrë iniciativën, që, siç ka thënë ai, t’ia shënojë në mënyrë kaq të veçantë ditëlindjen e 70-të Ali Podrimjes. E në promovimin që është mbajtur aty në mesditë, Salihu nuk ka folur gjatë. Ai ka lexuar poezinë që konsiderohet të jetë e fundit e shkruar nga poeti i madh, “Fustani i verdhë”.

“Është folur shumë për poezinë e fundit që ka shkruar gjyshi, ‘Fustani i verdhë’, edhe pse nuk jam i sigurt nëse kjo është e fundit, sepse në bllokun që e kemi gjetur në xhepat e pantallonave të tij ka edhe disa vargje të tjera, për të cilat do t’i diskutojmë me kolegët e tij, për të konfirmuar nëse ato janë më të reja se kjo”, ka thënë Salihu. E dy miq të tij kanë folur për personalitetin dhe veprën e poetit Podrimja. Akademik Rexhep Ferri, i cili poetin e njeh që nga bankat e shkollës fillore në Gjakovë, ka folur për fëmijërinë dhe miqësinë e tij të gjatë më poetin me nam, ndërsa akademik Mehmet Krajës i ka takuar të flasë për veprën “Lum Lumi”.

Te “Lum Lumi”, Podrimja shfaq dhimbjen për humbjen e të birit të tij nga një sëmundje e pashërueshme, për t’i dhënë kësaj ndjenje përmasa universale, përmes poezisë së tij. Ajo ngërthen në vete dhimbjen për një humbje të pazëvendësueshme, është ditar ankthi që rëndë kalon nëpër kohë, është dëshmi e luftës e cila që nga fillimi dihej e humbur por së cilës nuk i tretej shpresa. Të gjitha të hyrat që do të arkëtohen nga shitja e këtij edicioni të veçantë do t’i dhurohen fondacionit “Ndihmë Fëmijëve me Kancer”, që është iniciativë e prindërve me qëllim të përkrahjes së stafit të Repartit Hematologjik - Onkologjik në Klinikën Pediatrike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Dy mijë kopje të librit tashmë kanë dalë në treg me çmim prej 5 eurosh, në të gjitha pikat e shitjes së “Kohës Ditore”. Ata që do të bëhen me veprën më të çmuar të poetit Podrimja, veç nderimit që ia bëjnë atij do të ndihmojnë edhe fëmijët që kanë nevojë për trajtim të veçantë. Një ditë më parë Ilir Gorani, drejtor ekzekutiv i fondacionit “Ndihmë Fëmijëve me Kancer”, ka thënë për gazetën një ditë më parë, se mirëpret iniciativën e “Grupit KOHA”, pasi mendon se kjo do të plotësojë fondet për aktivitetet e tyre në forcimin e shërbimit publik të pediatrisë në Kosovë.

“Me këto mjete që do të mblidhen do të na mundësohet ta vazhdojmë edhe për një kohë bërjen falas të analizës ‘Flowcytometry’ për diagnostikim të hershëm të leukemisë”, ka thënë Gorani, të hënën.

Në promovimin e librit, ka qenë akademik Rexhep Ferri, ai i cili me jo pak emocion ka lexuar fjalën e tij për njohjen me poetin Podrimja, qysh nga fëmijëria. Ka thënë, se duke u përpjekur që të jetë sa më i sinqertë edhe i drejtë, në listën e prioriteteve të tij, poezia e Ali Podrimjes është ndër të parat dhe më të veçantat.

“Dinjitoz për ta prezantuar një letërsi edhe një kohë. Asnjëherë nuk e ka shprehur mosbesimin në poezi”, ka thënë akademik Ferri. “Poezitë, që i ka shkruar Ali Podrimja, po them se i kam lexuar të gjitha. Por kohë pas kohë më vjen që ato poezi t’i rilexoj. Nuk po idealizoj asgjë. Rileximi i poezisë së mirë është përjetim i ri”, ka shtuar ai.

Në sytë e mikut të vjetër, poeti Podrimja nuk ka qenë aspak i lehtë e i qetë.

“Pa pushim donte të ishte i kudondodhur. Për çdo gjë shpejt i shpërthente zemërimi. Në të njëjtën kohë mundohej të tregohej i matur. Duke mos qenë i lirë, krijohej përshtypja se diçka po e mundon”, ka kujtuar akademik Ferri, teksa ka shprehur mall për mikun e tij.

I mbledhur në një pikë linte përshtypjen se ndaj tij do të bëhej një e padrejtë po të flitej diku për poezinë e ai aty të mos ishte, shprehet akademik Ferri, teksa ka shtuar se kohën që ia merrte poezia nuk e kursente.

“Vetëm ajo kohë ishte koha e tij. Në librin ‘Lum Lumi’ për shumë vite kërkoi Lumin, frymën, shpirtin, erën e vet, jetën. Me sa shihej nuk kishte kohë të merrej edhe me vdekjen”.

Më shumë për kryeveprën e akademik Ali Podrimjes, ka folur kolegu e miku i tij, akademik Mehmet Kraja. Ai ka shprehur bindjen se janë të paktë librat e poezisë si “Lum Lumi” i Ali Podrimjes, që mbeten në vëmendje të lexuesit për një kohë të gjatë, jo vetëm me ndonjë poezi, me ndonjë varg, me ndonjë motiv apo metaforë, por libri si tërësi. Sipas tij, me “Lum Lumin” e Podrimjes përfundon një epokë e poezisë shqipe, epokë e perifrazës bukolike, e idilit të ëndërruar, e improvizimit të dhembjes, ose edhe e improvizimit të modernitetit.

“Me këtë libër fillon epoka e poezisë shqipe që synon esencat përmbajtjesore, që përmes këtyre esencave të vendosë komunikimin me bashkëqytetarët e saj dhe me bashkëqytetarët e botës”, ka thënë akademik Kraja.

Ai ka zbërthyer “fshehtësinë” e artit që ka arritur të kapë Ali Podrimja me këtë libër. Shtresimi i parë për këtë e përbën drama personale e poetit, që është dramë e individit, dramë që e identifikon atë me një tragjedi njerëzore.

“Shtresimin e dytë e përbën fati i kolektivitetit, me të cilin Ali Podrimja është i lidhur pashkëputshëm. Këtë lidhje me fatin kolektiv poeti e gjen të thuash lehtësisht, sepse ai tashmë kishte krijuar një lidhje të kahershme me Kosovën dhe të gjitha dhembjet e saj”, ka thënë Kraja, teksa ka zbuluar edhe në aspektin e tretë, që është kuptimi universal i tragjikes njerëzore.

“Podrimja në këtë libër shtron pyetje të vështira, që lidhen me kuptimin e jetës dhe të vdekjes, me përjetësinë dhe universin. Janë shqetësime individuale dhe universale njëkohësisht, që i takojnë çdo njeriu të botës”, ka thënë akademik Kraja. Ai ka treguar se Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, ka marrë përsipër që të botojë të plotë veprën e Ali Podrimjes, e më pas do të bëhen botime kritike dhe studime sistematike të saj.

Podrimja ka më shumë se 30 libra të shkruar, e është i përkthyer në më shumë se 20 gjuhë të ndryshme të botës, që e bënë atë poetin më të përkthyer shqiptar. Kryevepra e tij, “Lum Lumi” ka pasur disa ribotime. Ribotimi i “Botimeve KOHA” është bazuar në versionin e vitit 2003 dhe përmban tri fjalë hyrëse. Nis me një fjalë përshkruese nga vetë Ali Podrimja, pastaj një recension nga Sali Bashota, si dhe me fjalën e akademik Rexhep Ismajlit të cilën ai e mbajti në akademinë përkujtimore të organizuar nga AShAK-u, me rastin e vdekjes së poetit me nam.

Ali Podrimja u gjet i vdekur të shtunën e 21 korrikut të këtij viti, në një pyll rreth 4 kilometra larg qendrës së qytetit të qetë e të vogël në jug të Francës, Lodeve. Aty po merrte pjesë në edicionin e 15-të të festivalit të poezisë “Zërat e Mesdheut”, ku po përfaqësonte poezinë shqipe. Kishte humbur kontaktet me miqtë e familjarët në Kosovë dhe me organizatorët e Festivalit në Francë, tri ditë para se të gjendej trupi i tij i pajetë, të mërkurën e 18 korrikut. Raporti i autopsisë së tij, i kryer nga Klinika mjekoligjore në Montepelliere, ka treguar se vdekja e poetit kosovar me nam ka ardhur natyrshëm. Poeti i njohur kosovar është varrosur më 26 korrik, me nderime të larta në varrezat e Prishtinës.





 

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 17°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė 17°CMe vranėsira tė pjesshme
Shkup 16°CMe vranėsira tė pjesshme
Prishtinė26°CKryesisht me vranėsira
Tiranė29°C
Shkup31°CMe diell