Ballafaqimi me të kaluarën nëpërmjet filmit

Artikujt tjerė
- Rona Nishliut çmimi i dytë në festivalin rus
- Zbulohet flamuri kuqezi i vitit 1844
- Ballafaqimi me të kaluarën nëpërmjet filmit
- Kalendari historik, 10 korrik
- Nexhmije Pagarusha, Qytetare Nderi e Tropojës
- Vdiq aktori Ernest Borgnine
- Grabiten 60 vepra arti në Korçë, 30 të Vangjush Mios
- Susan Sarandon bën homazh për Nora Ephron
- Arrestohen shitësit e pikturës së rreme të Picassos
- The Amazing Spider-Man kryeson arkat filmike
Prizren, 5 korrik Të nxehtët e ka bërë punën e tij në Prizren, duke e lënë në hije madje edhe shfaqjen e filmave në mesditë. Edhe mysafirët e vizitorët e shumtë nga vende të ndryshme të botës po i ikin kohës së pikut për të marshuar drejt qytetit tek në mbrëmje. Nja dyqind metra larg Shtëpisë së Kulturës, në njërin prej objekteve më identifikuese për Prizrenin, në Hamamin e Qytetit, bën shumë fllad. Ekspozita e fotografisë me pehlivanët nuk e ka më interesanten e saj, por më në thellësi të Hamamit, njerëz të profileve të ndryshme janë bërë bashkë në një panel për të diskutuar në lidhje me diçka, që në njërën anë lidhet fort me filmin e në anën tjetër nuk ka të bëjë me të. Në DokuFest është një program special, në të cilin po shfaqen filma dokumentarë nën titullin Dealing with the past. Në këta filma, regjisorë të ndryshëm nga vende të ndryshme të Evropës apo më saktë të rajonit, kanë sjellë rrëfime në të cilat ballafaqohen me të kaluarën e tyre. Historitë nuk kanë shumë konotacion shoqëror, por, përkundrazi, janë shumë personale. Kësisoj, është filmi dokumentar i autorit serb Sergjan Keça, A letter to dad, i cili është dhënë vitin e kaluar në DokuFest, ku edhe ishte shpërblyer me një çmim. Ky film dokumentar, në të cilin autori ballafaqohet me të kaluarën e babait të tij, që ka qenë pjesë e pushtetit në Serbi, është dhënë edhe të hënën mbrëma si paraprirës i një diskutimi, i cili ka pasur të bëjë me ballafaqimin me të kaluarën.
Ky film, natyrisht nuk është nisur për tu bërë si dokumentar që do të kishte temën e ballafaqimit me të kaluarën. Është një film i cili ka të bëjë me babanë tim dhe aty mbetet. Por që ky film kap edhe elemente të ballafaqimit me të kaluarën në aspektin shoqëror është diçka që tregon se ky ballafaqim duhet të nisë individualisht, ka thënë regjisori serb, i cili nuk ka folur edhe aq shumë për këtë temë. Ai u ka lënë vend panelistëve të tjerë, të cilët kanë diskutuar nën moderimin e kryeredaktorit të Kohës Ditore, Agron Bajrami. Sanjin Pejkoviq, Bekim Balaj e Steiner Bryl kanë qenë emrat, të cilët e kanë përbërë këtë panel, të parin në këtë edicion të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër DokuFest.
Për Balajn, i cili punon në një organizatë joqeveritare që merret me pasojat e konfliktit në rajon, hapi i parë drejt ballafaqimit me të kaluarën është gjetja e së vërtetës. Se në çfarë rruge a mënyre gjendet ajo e vërtetë, sipas Balajt, nuk ka rëndësi.
Por e vërteta duhet të gjendet, ka thënë Balaj. Hedhja në dritë e atyre që janë viktimë dhe atyre që kanë ushtruar dhunë mbi viktimën, sipas Sanjin Pejkoviq, i cili ka pasur përvoja të gjata në këtë kontekst në Bosnjë-Hercegovinë, është e nevojshme për një ballafaqim me të kaluarën dhe zgjidhjen e tij. Por, sipas Pejkoviqit, kjo nuk mund të arrihet duke futur në lojë rregullat institucionale dhe shtetërore. Ky ballafaqim, sipas tij, arrihet duke i lënë njerëzit të flasin pa ndonjë shtytje. Dialogët politikë nuk kryejnë punë. Më shumë kryen punë një film, ka thënë ai. Si shembull për inkuadrimin e artit, përkatësisht të filmit, ai ka marrë filmin Reunion-Ten Years after the war me regji të Jon Haukeland. Ky film dokumentar 72- minutash prodhim kosovaro-norvegjez, ka bërë bashkë në rrëfim të rinjtë e Prishtinës dhe ata të Beogradit. Rrëfimi është i vendosur disa ditë para se trupat e NATO-s të bombardonin në Kosovë. Në ato ditë, kosovarë dhe serbë bëhen bashkë për tu përfshirë në një dialog, i cili nuk prodhon ndonjë rezultat, por veçse krijon ndjenjën midis këtyre dy nacionaliteteve se nuk shkon asgjë keq. Edhe filmi tjetër dokumentar Artists view of the past, për 30 minuta, nën regji të regjisorit boshnjak, Dino Mustafiq, shpërfaq të njëjtin ballafaqim artistik me të kaluarën. Dokumentari hidhet në kërkim të përgjigjes për mënyrën se si artistët ballkanas e shohin të kaluarën e tyre. Kësisoj, Mustafiq ka marrë në këtë dokumentar artistë nga ish-vendet e Jugosllavisë, të cilët shpalosin kujtimet e tyre, mendimet dhe shpresat për të ardhmen.
Inkorporimi i artit në këtë ballafaqim është parë si i rëndësishëm dhe për Steiner Bryl, i cili ka hedhur poshtë idenë e mbështetjes së një dialogu mes njerëzve nën petkun institucional.








