• Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 15:15 Oxygen ® *** 17:00 KOHA E LAJMEVE *** 17:15 Oxygen ® - Vazhdimi *** 19:00 Lajmet e mbrëmjës *** 19:40 Serial Për femijë " Little Chearlies Bear " . Epis 13, 14, 15 *** 20:15 N'darkë *** 21:30 Sporti Total *** 22:55 Marketing *** 23:00 KOHA E LAJMEVE ...

Ish-gjyqtari Puka ndihet “viktimë”

Publikuar: 18.10.2012 - 21:21

Prishtinë, 18 tetor - Procesi gjyqësor ndaj ish-gjyqtarit Kolë Puka, si dhe dy avokatëve Zef Marleku e Lon Palushaj, ka përfunduar të mërkurën në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, për t’u dhënë vendimi përfundimtar të premten. Puka ka kërkuar nga trupi gjykues që ta shpallin të pafajshëm me arsyetimin se ka qenë viktimë dhe pre e mashtrimit të të ndjerit Hilmi Hana që ishte drejtor financiar në Fondin e garancisë (CIU). Duke mos mohuar se ka bërë falsifikim dokumentesh ai i ka kërkuar falje gjykatës për një veprim të tillë.

Kolë Puka, i akuzuar për krim të organizuar, dhjetëra falsifikime të dokumenteve, përpilim e ekzekutim të marrëveshjeve gjyqësore dhe jashtëgjyqësore e përpilim aktgjykimesh të falsifikuara si dhe për keqpërdorim të mbi 1 milion eurove që u përkisnin si kompensim 24 qytetarëve të dëmtuar në komunikacion, në emër të të cilëve kishte zhvilluar procese gjyqësore dhe kishte marrë këto të holla nga Bashkësia e Sigurimeve “Kosova në likuidim”, ka kërkuar nga gjykata që gjithashtu t’i lirohen edhe automjetet e konfiskuara. Tri veturat e tij, njëra xhip e tipit “Range Rover”, tjetra “Audi A6” ishin të blera, sipas Pukës, me anë të kredive bankare.

“Si prova për këtë i kam dorëzuar edhe dokumentet e kredisë dhe lus të m’i ktheni”, ka thënë Puka. Ndërkaq, për veturën e tipit “VW Lupo”, Puka ka thënë se atë e kishte blerë para vitit 2004. ”E kam blerë në vitin 2003, para fillimit të këtyre veprimeve të dyshimta”, ka shtuar ai.

Ndërkaq gjatë kësaj seance, fjalën përfundimtare e ka dhënë mbrojtja e të akuzuarit Zef Marleku, i cili dyshohet së bashku me Pukën dhe avokatin tjetër Lon Palushaj se ka kryer veprat penale që lidhen me nxjerrjen e kundërligjshme të vendimeve, mashtrim dhe legalizim i përmbajtjes së pavërtetë, falsifikim i dokumenteve, lidhje e kontratës së dëmshme, keqpërdorim i besimit, dhënie e kundërligjshme e ndihmës juridike, të gjitha në bashkëkryerje. Tomë Gashi, avokati i Markelut, ka kërkuar që klienti i tij të lirohet nga këto akuza ngase ka qenë viktimë e punës kriminale të ish-gjyqtarit Puka.

“Asnjë provë konkrete nuk e vërteton se Zef Marleku ka qenë bashkëpunëtor në aktivitetin kriminal të Pukës. Marleku veproi krejtësisht në të kundërtën e bashkëpunimit me Kolë Pukën, ai menjëherë posa u lirua nga paraburgimi në vitin 2009 paraqiti kallëzim penal kundër Pukës duke i dërguar njoftim Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale për aktivitetin kriminal të gjyqtari Puka, dhe duke i dhëne shënimet e sakta të numrit të llogarisë rrjedhëse në ProCredit Bank që përfundon me numrin 105, me të cilin llogari Puka kishte realizuar një pjesë të skenarit të tij kriminal të keqpërdorimit mbi 1 milion e 257 eurove”, ka thënë Gashi.

I mbrojturi i tij, Zef Marleku, nuk e ka mohuar, sipas Gashit, asnjëherë faktin që me kërkesë të ish-gjyqtarit Puka, i ka dhënë autorizim atij për shfrytëzimin e llogarisë bankare me të cilën Puka, më pas kishte zhvilluar aktivitete kriminale, për të cilat Gashi ka thënë se klienti i tij nuk ka qenë në dijeni.

“Zef Marleku i besoi Pukës, ngase atë e njihte me viteve të tëra, dhe me të kishte lidhje familjare të krijuara me martesa të anëtarëve të familjes së tij’, ka thënë Gashi.

Sipas avokatit Gashi, ekspertizat grafologjike kanë vërtetuar se Zef Marleku nuk ka nënshkruar asnjë autorizim dhe asnjë ujdi jashtëgjyqësore, të cilat si të falsifikuara i ka përpiluar dhe i ka përdorur sipas tij, Kolë Puka. Ndërsa, sa i përket fletëpagesave që janë gjetur në lëndët në zyrën e Marlekut, Gashi ka thënë se ai i ka sqaruar gjykatës pse janë gjetur ato fletëpagesa tek ai, duke dhënë shpjegime të sinqerta dhe logjike, “pa pasur asnjë arsyeje për të fshehur këtë fakt”.

Gashi ka potencuar se personi i vetëm që kishte krijuar pasuri marramendëse në biznesin kriminal është ish-gjyqtari Puka, që sipas akuzës me para të keqpërdoruara kishte blerë disa shtëpi, troje, lokale, banesa në vlera me qindra e mijëra euro dhe vetura luksoze dhe shumë të shtrenjta.

“Është e qartë se Puka për periudhën kohore nga vitit 2000 prej kur është emëruar si  gjyqtar e deri në vitin 2009 kur është shkarkuar ka pasur rrogën prej 450 euro, besoj se duket qartë se kush në këtë rast është keqpërdoruesi dhe kush viktima dhe besoj që nuk ka dhe nuk mund të ketë shpjegim më të qartë”, ka shtuar Gashi.

Ndërkaq, Zef Marleku, ka thënë se një gjë të tillë nuk e ka imagjinuar asnjëherë se do t’i ndodhte nga gjyqtari Puka.

“Kurrë në jetën time s’kisha mundur me e marr me mend një aventurë të një personi që e kam pas koleg. Katastrofa më e madhe është që ai tash nuk e pranon. Më ka mbështet për muri e nuk e pranon. Unë jam njeri familjar dhe kurrë në jetë nuk e kisha lëshuar veten në këso veprimesh me dije”, ka thënë Marleku.

Kurse i akuzuari tjetër, avokati Lon Palushaj, me lot në sy ka thënë fjalët e tij të fundit para trupit gjykues dhe është betuar para tyre se kurrë në jetën e tij nuk kishte bërë vepër penale. Ai ka kërkuar që të lirohet nga pikat e aktakuzës që e rëndojnë atë.

”Kurrë në jetën time nuk e kam kryer dhe nuk kam dashtë e as nuk dua të kryej vepër penale. Nëse duhet të dënohet një njeri që i beson tjetrit atëherë duhet të dënohen 80 përqindëshi i Kosovës dhe i vendeve të tjera”, ka thënë Palushaj.

Ndërkohë, për Kolë Pukën, Prokuroria e EULEX- it, tashmë ka konfirmuar edhe një akuzë tjetër që ka të bëjë me shpërdorim të pozitës zyrtare, ndërsa është dyshuar edhe për një sërë veprash penale. Për përgjegjësinë e tij kriminale, Kolë Puka është shpallur fajtor në maj të këtij viti për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autoritetit dhe është dënuar me pesë vjet burgim. Puka supozohet se ka kryer rreth 260 veprime kriminale për gati një dekadë sa ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën Komunale të Klinës. Aktualisht Puka gjendet në paraburgim.



 

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 22°CI kthjellėt
Tiranė 22°CMe vranėsira tė pjesshme
Shkup 21°CI kthjellėt
Prishtinė26°CMe diell
Tiranė25°CMe diell
Shkup30°CMe diell