LDK: Qeveria Thaçi ka devijuar nga agjenda zhvillimore e vendit

Artikujt tjerė
- LDK: Qeveria Thaçi ka devijuar nga agjenda zhvillimore e vendit
- Gjermanët, kampionë për udhëtime në botë
- Kosova, vend tërheqës për investitorët turq
- Ngritje alarmuese e çmimeve
- Eksportet e Shqipërisë me Kosovën në vendin e dytë
- ZRRE bën gati tarifat për energjinë elektrike
- Thatësia ndikoi në rritjen e çmimeve për 10 për qind
- Brezovica pret investitorët e huaj
- Kompanitë e naftës akuzojnë Ministrinë e Tregtisë për krijim të monopolit
- Unilever përshtat strategjinë e shitjes për varfërinë evropiane
Prishtinë, 2 shtator - LDK vlerëson se Qeveria Thaçi ka devijuar krejtësisht nga agjenda zhvillimore e vendit. Plani i shpenzimeve 2013-2015 e forcon këtë vlerësim dhe nxjerr në shesh mashtrimet elektorale të Thaçi për milionat e premtuara për komuna të caktuara.
Edhe në tri vitet e ardhshme, fokusi i investimeve mbetet në infrastrukturë rrugore, e cila me 10 mil euro për km është shumë e shtrenjtë për gjepin e varfër të kosovarëve. Ndërtimi i rrugëve nuk po përcillet me efekte pozitive në punësim dhe në zvogëlimin e kostos së bizneseve. Ministria e Infrastrukturës po shpenzon shumë në autostradën Morinë-Merdarë dhe rrugët M2 dhe M9. Kjo po kufizon investimet në projektet e tjera nëpër komuna. Milionat e premtuar nga Thaçi gjatë fushatës zgjedhore nëpër komuna ishin vetëm mashtrim elektoral, pasi po shkojnë jashtë Kosovës përmes kompanisë Bechtel-Encha.
Nuk parashihen fare investime në funksionalizimin e hekurudhave dhe lidhjen me shtetet fqinje, të cilat do të zvogëlonin shpenzimet e transportit që janë të larta përmes transportit rrugor. Porti i Shëngjinit që ju dhurua Kosovës u harrua krejtësisht, pa asnjë investim.
Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, me investime kapitale prej 2.5 mil euro për 2013, nuk ka asnjë orientim pragmatik për tërheqjen e investitorëve, zhvillimin e NVM-ve apo promovimin e eksporteve. Mjetet shpenzohet në broshura, tryeza dhe konferenca, reklama për turizëm (siç ishte reklamimi skandaloz në CNN gjatë këtij viti), pjesëmarrje në konferenca etj. Nga 6.8 mil euro sa ka pasur buxhet kjo ministri në vitin 2012, buxheti për 2013 bie në 5.5 mil euro, si rezultat i përgjysmimit të investimeve kapitale nga 4.3 mil euro në 2.5 mil euro, thuhet në një kumtesë të LDK-së.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik një pjesë të mirë të investimeve do ta shpenzoi në studime e analiza fizibiliteti, si dhe pagesa për këshilltarë transaksionesh.
Bujqësia neglizhohet krejtësisht. Mungojnë investimet në sistemin e ujitjes, që do të zvogëlonin shpenzimet e bujqve dhe do të rrisnin produktivitetin. Sistemet e ujitjes që kanë mbetur nga koha e socializmit janë vjetruar dhe janë pa mirëmbajtje adekuate. Ambienti për biznes mbetet i pafavorshëm. Qeveria Thaçi ka centralizuar dhe byrokratizuar më shumë procedurat e të bërit biznes. LDK vlerëson se Kosova ka qenë dhe mbetet ndër vendet më liberale në rajon dhe më gjerë për të bërë biznes. Legjislacioni për fillimin e biznesit dhe legjislacioni i punës që rregullon punësimin dhe të drejtat e punëtorëve ka qenë gjithashtu liberal. Por investimet po mungojnë. Kjo për shkak se biznesi nuk mund të zhvillohet në një vend ku mungon shteti ligjor dhe kur përparësitë në treg krijohen përmes lidhjeve me pushtetin. Kontratat për investime publike, si në ndërtimin e rrugëve dhe në KEK, mund të merren vetëm nëse ekzistojnë lidhje të forta me qarqe të caktuara në kreun e PDK-së. Në rast të kontesteve ekonomike, bizneset duhet të presin me vite të tëra që të zgjidhet rasti i tyre në gjykata.
Shpenzimet për mallra dhe shërbime nuk sigurojnë funksionalizim të objekteve të ndërtuara. Shkollat dhe rrugët po mbesin pa mirëmbajtje, pasi buxheti për mallra dhe shërbime është i vogël, në ndërkohë që rriten shpenzimet nëpër ministri. Si rezultat, investimet kapitale po shkojnë dëm duke mos prodhuar asnjë efekt ekonomik. Vlerësimet ndërkombëtare tregojnë se rritja e investimeve kapitale duhet të përcillet me në rritje të buxhetit për mirëmbajtje prej 5% të vlerës së atij investimi.
Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare pa efekt për ekonominë vendore. Ky anëtarësim është në përputhje me vlerat e ekonomisë së tregut. Por, përderisa nuk punohet në zëvendësimin e importeve me mallra vendore, ekonomia kosovare do të humb edhe ato pak tregje që ka dhe do të kthehemi në një vend importues total.
LDK i bazon konstatimet e veta në gjendjen faktike në vend, në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2013-3015, raportin e gjashtë-mujorit të parë të shpenzimeve të qeverisë dhe në raportin e fundit të BQK-së.













