• Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubiko *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 190 *** 22:20    Cosmo *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Vetëvendosje: Gjykata Kushtetuese vepron në mënyrë joligjore!

Publikuar: 07.03.2013 - 19:05

Prishtinë, 7 mars - Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka mbajtur seancën dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës nr. K0 131/12, të parashtruar nga deputeti Shaip Muja në lidhje me kushtetutshmërinë e neneve që përcaktojnë mënyrën e punësimit të punonjësve shëndetësorë, si dhe sistemin shëndetësor në Ligjin për shëndetësinë, të miratuar nga Kuvendi, thuhet në një njoftim për opinion të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas VV-së, Gjykata Kushtetuese pasi që ka pranuar kërkesën, me të cilën janë kontestuar nenet 18, 19, 41 dhe 60 të Ligjit për Shëndetësinë, 04/L-125, më 24 dhjetor 2012, ka nxjerrë vendimin për pezullimin e dispozitave të këtyre neneve. Më 24 janar 2013, Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë vendimin për vazhdimin e masës së përkohshme për 3 muaj në vazhdim, pra deri më 30 prill 2014.

Mirëpo, në seancën e sotme dëgjimore Gjykata Kushtetuese shpalosi një papërgjegjshmëri. Lëshimi ka të bëjë me marrjen në shqyrtim të kërkesës me nenet që tashmë nuk ekzistojnë fare në Ligjin për Shëndetësinë të miratuar në Kuvend.

Gjatë gjithë seancës dëgjimore, deputeti Muja fliste për përmbajtjen e neneve 18, 19, dhe 60 që kishin të bëjnë me përmbajtjen e Projektligjit, dhe jo të ligjit të miratuar në Kuvendin e Kosovës. Do të kishte kuptim sikur Muja çështjen ta bazonte në ligjin që është në fuqi, por ai gjithë çështjen e bazon në një dokument të pavlefshëm (projektligjin para procesit të miratimit në Kuvend).  Kjo tregon qartë se deputeti Muja dhe shokët e tij deputetë, që e përkrahën iniciativën e tij, realisht s’ishin të interesuar seriozisht për këtë çështje.

Por më flagrantja është se Gjykata Kushtetuese më 24 dhjetor dhe më 24 janar nxori vendimin mbi pezullimin e neneve 18, 19, 41, 60 të Ligjit për Shëndetësinë, duke u bazuar në një dokument që nuk ka të bëjë me Ligjin as nga përmbajtja as nga vlefshmëria. Pra, për çudi Gjykata pati besim të verbër në kërkesën në fakt të paligjshme të z. Muja, besim të cilin nuk ia lejon ligji.

Gjykata Kushtetuese, sipas dispozitave të nenit 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, obligohet që sipas detyrës zyrtare apo me kërkesë të palëve të vendosë përkohësisht masa të përkohshme ndaj një çështje që është objekt i procedurës, nëse këto masa janë të nevojshme për të evituar rreziqe ose dëme të pariparueshme, ose nëse marrja e këtyre masave të përkohshme është me interes publik. Por këtë e bën vetëm nëse kërkesa vërtetohet si e bazuar në ligj.

Ndërkohë, gjatë gjithë seancës dëgjimore asnjëri nga gjyqtarët nuk e ka vënë në pyetje këtë çështje, për deri sa nuk e ka theksuar këtë çështje Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, i cili ka sqaruar se asnjë nga çështjet që  ndërlidhen me nenet 18, 19 dhe 60 nuk kanë të bëjnë me përmbajtjen e ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, dhe se kërkesa e Mujës është sa e pavend aq dhe joligjore.

Qëndrimi i Gjykatës nuk është vetëm një gabim procedural, është më së paku joseriozitet e më së shumti shpërfillje e qëllimtë e interesit të publikut.

Me këtë gabim, në dukje procedural, Gjykata Kushtetuese ka vërtetuar se në raste të caktuara mesa duket nuk vepron patjetër sipas ligjit dhe përcaktimeve që rrjedhin prej tij.

Në këtë pikë i bëjmë thirrje opinionit publik që të jetë i vëmendshëm duke qenë se mbi Gjykatën Kushtetuese në këtë rast nuk mund të veprojë ndonjë institucion tjetër në mënyrë legjitime përpos presionit të publikut”, përfundon komunikatën Vetëvendosje.

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 16°CShi i lehtė
Tiranė 16°CKryesisht me vranėsira
Shkup 21°CKryesisht me vranėsira
Prishtinė21°C
Tiranė22°CRrebesh shiu
Shkup26°CMe diell