Zyrtarë dhe subjekte politike ngushëllojnë familjen Podrimja

Artikujt tjerė
- Po, me AAK-në
- Ipeshkvia e Kosovës ngushëllon familjen Podrimja
- Franca ngushëllon familjen Podrimja
- FMN-ja tërheq vërejtjen për mbipopullimin e administratës
- PDK-LDK: Kur votuam Jahjagën se kishim mendjen te populli
- Qeveria e luksit në kohë krize
- Jahjaga ngushëlloi Obaman
- ASHAK: Poezia e Ali Podrimjes ishte zëri identitar i Kosovës
- Zyrtarë dhe subjekte politike ngushëllojnë familjen Podrimja
- Ngushëllimet e Krasniqit: Krijimtaria e Podrimjës, pasuri kombëtare
Prishtinë, 21 korrik Me rastin e ndarjes nga jeta të poetit të njohur të Kosovës, Ali Podrimja, familjes Podrimja i kanë dërguar dhe vazhdojnë ti dërgojnë mesazhe ngushëllimi zyrtarë dhe subjekte politike të Kosovës, miq, kolegë dhe njerëz të kulturës nga mbarë Kosova.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga i dërgoi një telegram ngushëllimi familjes Podrimja, në të cilën thuhet:
E nderuara familja Podrimja,
E morëm me dhimbje të thellë e trishtim lajmin për ndarjes nga jeta të më të dashurit tuaj, poetit e intelektualit të madh, Ali Podrimja.
Humbja e Ali Podrimjes nuk është humbje vetëm për familjen, të afërmit e miqtë. Është humbje e madhe për të gjithë qytetarët e Kosovës, për kulturën, për artin, për Kosovën në përgjithësi.
Poeti e intelektuali i madh Ali Podrimja, me fjalët dhe veprat e tij, kaloi shumë herët kufijtë e Kosovws dhe u bë i njohur në rrethe shumë më të gjera tw artit dhe tw kulturës duke e ofruar Kosovwn me botën.
Vepra e madhe e Ali Podrimjes do të jetojë ndër mote, duke ruajtur kujtimin për të dhe duke shërbyer si frymëzim e motivim për brezat e rinj të poetëve dhe intelektualëve të Kosovës.
Jemi me ju në këto çaste të rënda dhembjeje e pikëllimi.
U prehtë në paqe Njeriu i madh i Kosovës, Ali Podrimja.
Kryemnistri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ngushëllon kryesinë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe familjen Podrimja me rastin e vdekjes së poetit të shquar Ali Podrimja.
Në telegramin e ngushëllimit thuhet:
E nderuara familje Podrimja!
Të nderuar anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës!
Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e poetit, akademikut dhe intelektualit të shquar Ali Podrimja.
Vdekja e poetit Ali Podrimja është humbje e madhe për familjen, për kulturën kombëtare dhe Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Ali Podrimja, një talent i rrallë dhe krijues i vlerave të përjetshme artistike, ka lënë gjurmë të thella dhe të pashlyeshme në kulturën tonë kombëtare.
Volumi i krijimtarisë së tij artistike është margaritar estetik, lertar dhe esesitik, që më shumë se gjysmë shekulli u ngrit dhe u përpunua vazhdimisht, duke i lënë trashëgimi të pasur shpirtërore letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Ali Podrimja ishte lirik i lindur dhe i realizuar në veprën e tij poetike, dhe preku majat e lirikës shqipe, duke u bërë edhe vetë vlerë kulmore.
Vdekja e tij shënon ndërprerjen e penës së vargjeve lirike të përkryera, por hap kapitullin e studimeve të parreshtura për krijimtarinë e tij gjigande.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe më të thella për familjen Podrimja, për kolegët e tij akademikë, për shkrimtarët, studiuesit, miqtë dhe adhuruesit e poetit Ali Podrimja.
Në telegramin e ngushëllimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqit thuhet:
Me trishtim dhe pikëllim të thellë e morëm lajmin për vdekjen në Francë të poetit të madh shqiptar me renome ndërkombëtare, Ali Podrimja.
Vdekja e këtij kolosi të poezisë shqipe, është humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për Ju, për miqtë, artin dhe kulturën shqiptare në përgjithësi.
Shëmbëlltyra e tij do të kujtohet përjetësisht me respekt të veçantë, ndërsa vepra e tij do të mbetet e pavdekshme.
Duke ndarë dhembjen bashkë me Ju, në emër të Kuvendit dhe në emrin tim, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ngushëlloi familjen Podrimja, komunitetin letrar në Kosovë dhe gjithë popullin e Kosovës. Është vërtetë moment i vështirë për të thënë çfarëdo fjale për njeriun që me krijimtarinë e tij inspiroi breza të terë dhe shpërndau anekënd botës gjithë pasurinë dhe elanin e kombit tonë për letërsinë dhe artin në përgjithësi. Vdekja e poetit me renome ndërkombëtare, krenarisë sonë, Ali Podrimja është një humbje e gjithë kombit shqiptar, e padyshim dhe e gjithë komunitetit letrat dhe artistik në botë.
Krijimtaria e tij, dhe gjithë ajo miqësi që kishte krijuar për vite me radhë me njerëzit e letërsisë dhe artit në tërë botën, ndihmuan shumë që Kosova të ketë respektin e merituar në botë. Kam pasur nderin që e kam njohur dhe ka qenë gjithmonë një motivim për mua.
Ai do të na mungojë shumë. Por poeti ynë na la shumëçka, një krijimtari të tërë, e cila do të jetë një pasuri kombëtare e jona. Një artist i vërtetë, Aliu do të jetë përherë në kujtimet tona dhe puna e tij do të shërbejë si frymëzimi më i mirë për fëmijët tanë, për brezat tjerë që do të vijnë, duke mbjellë kështu ndjenjën e dashurisë mes njerëzve, thuhet në ngushëllimin e ministrit Krasniqi.
Në telegramin e ngushëllimit të Vetëvendosjes thuhet :Me tronditje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta e poetit Ali Podrimja.
Ikja e Ali Podrimes është humbje e rendit poetik e njerëzor. Poetika në shqip, humbi poetin, miqtë e familjarët, njeriun, e arti e ka veprën e tij, e cila do të jenë frymëzim i shumë brezave të ardhshëm .
Vetëvendosje shpreh ngushëllimet e thella familjes, miqve dhe bashkëkrijuesve të Ali Podrimes.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka shprehur ngushëllimet e tij dhe të LDK-së për ndarjen nga jeta të poetit tonë të mirënjohur, Ali Podrmija.
Në mesazhin e ngushëllimit Mustafa thotë :
E nderuara familje Podrimja,
Në emër të gjithë anëtarësisë dhe strukturave të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe në emrin tim personal, ju shpreh ngushëllimet më të thella për ndarjen nga jeta të poetit tonë të madh, Ali Podrimja.
Lajmi për shuarjen e Tij na ka tronditur të gjithëve, sepse Ali Podrimja ishte një krijues me dhunti të veçanta, një poet që kaherë i kishte kapërcyer kufijtë nacionalë, duke u bërë vlerë e artit të përbotshëm.
Ali Podrimja ka qenë dhe do të mbetet emblemë e poezisë së krijuar në Kosovë, po edhe të poezisë shqipe në përgjithësi. Ndaj, ikja e tij është një goditje e rëndë për të gjithë komunitetin tonë letrar e artistik.
Ali Podrimja ishte ndër krijuesit e brezit të njohur të letrave shqipe, i cili, më 1971, botoi në Rilindje tekstin me titull "Vox Clamantis in Deserto" (Zëri i të dëshpëruarit në shkretëtirë). Ky tekst kritik e programatik, i nënshkruar nga krijues të tjerë, miq të Podrimjes, si Anton Pashku, Rexhep Ismajli, Gani Bobi, Mensur Raifi etj., jo vetëm që pati bërë bujë të madhe, por qe shndërruar në një lloj manifesti edhe për brezat e mëvonshëm krijues, sidomos në Kosovë, sepse ishte i pari tekst që hapur i shpallte luftë realizmit socialist në letërsi dhe në artet e tjera.
Me të gjitha veprat e tij, po sidomos me kryeveprën Lum Lumi, Ali Podrimja arriti ta universalizojë dhimbjen dhe tragjedinë personale, arriti që vargun shqip ta skalisë përsosmërisht.
Në këto çaste të rënda dhimbjeje, Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh solidaritetin e plotë me familjen Podrimja dhe me të gjithë ata që e njohën dhe e deshën poetin më në zë të Kosovës, Ali Podrimja, vepra e të cilit do të jetojë gjatë, si një shembull i jashtëzakonshëm i përkushtimit dhe i lidhjes së një krijuesi me fatin e vendit të tij.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me dhimbje të thellë mori lajmin për ndarjen nga jeta të poetit të madh dhe njërit prej krijuesve më të njohur shqiptarë, në vend dhe në botë, Ali Podrimjes.
Në këto momente të pikëllimit të thellë, AAK ndan dhimbjen me familjen Podrimja, me miqtë dhe kolegët e shumtë të poetit tonë të njohur.
Vepra e Ali Podrimjes do të mbetet një prej kapitujve më të çmueshëm jo vetëm në letërsinë dhe kulturën shqiptare, por edhe në opusin e gjithëmbarshëm të poezisë botërore.
Ramë Buja, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Podrimja, Akademisë e Shkencave të Kosovës dhe Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Në telegram thuhet:
Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për vdekjen e më të dashurit tuaj, akademik Ali Podrimja.
Familja dhe miqtë e tij, kanë humbur një njeri të dashur, ndërsa bota akademike, komuniteti letrar dhe artistik në Kosovë e më gjerë ka humbur një nga emrat më të mëdhenj të kulturës dhe artit, ka humbur intelektualin që me mjeshtëri të madhe poetike na dhuroi shumë vepra që do të jetojnë përgjithmonë.
Vdekja e poetit, përmes të cilit e njohu gjithë bota krijimtarinë dhe letërsinë shqiptare ka sjellë dhembje në të gjitha familjet, te secili qytetar, sepse Ai ishte i gjithë Kosovës.
Ali Podrimja mbetet emri më i dashur për shumë gjenerata që u rritën me krijimtarinë e tij, ndërsa ai dha një kontribut të madh edhe për librin shkollor.
Penda e tij e palodhshme, e ka bërë Ali Podrimjen të pavdekshëm për gjeneratat që vijnë pas, për historinë e letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Ju lutem që, në emër timin dhe të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, të pranoni ngushëllimet më të sinqerta.












meti22.07.2012/09:15
mjerisht jeta i ka rregllulla e veta se njerez si ky nuk duhet te largohen nga rrethi yne.lavdi vepres se ketij ylli shqiptar.