MPB mirëpret Raportin e DASH-it për trafikim qeniesh njerëzore në Kosovë

Artikujt tjerė
- MPB mirëpret Raportin e DASH-it për trafikim qeniesh njerëzore në Kosovë
- BPSK kundërshton ngritjen e çmimit të rrymës
- KEK- i duket pak rritja e çmimit!
- Kryeqyteti do të bëhet me muze të holokaustit të shqiptarëve
- NATO ia beson Hungarisë hapësirën e lartë ajrore të Kosovës
- Greva shtyn QKUK-në të gjejë zgjidhje për pastrim të hapësirave
- Thaçi e Cooperi kërkojnë zbatimin e marrëveshjeve nga Serbia
- Përshëndetet emërimi Hoxhiqit
- Cooper pritet me domate nga Vetëvendosje
- QPA: Gjykatat dhe agjencitë e pavarura institucionet më jotransparente
Prishtinë, 21 qershor - Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, njëherësh koordinator në shkallë vendi kundër trafikimit me qenie njerëzore, Sasha Rashiq gjatë një konference për media tha sot se MPB e mirëpret raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit që i referohet luftës kundër trafikimit me qenie njerëzore në Kosovë. Raporti është objektiv dhe ka gjëra të cilat mund të përmirësohen dhe disa tashmë janë përmirësuar që nga dita e përpilimit, deri ne ditën e shpalljes së raportit, ka thënë Rashiq.
Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore. Jemi të vendosur që me të gjitha forcat dhe mjetet në mënyrë institucionale të luftojmë kundër kësaj dukurie, e cila drejtpërsëdrejti cenon dinjitetin njerëzor, shtoi zëvendësministri Rashiq.
Koordinatori shtetëror kundër trafikimit me qenie njerëzore, Sasha Rashiq, tha se qëllimi Qeverisë së Kosovës është që ti mbrojë të gjithë qytetarët e Kosovës, në mënyrë që vendi të jetë i sigurt. Kosova është gjithnjë burim, vend transit i mundshëm dhe destinim i trafikimit me qenie njerëzore. Numri më i madh i viktimave të trafikimit në Kosovë janë viktima me qëllim të shfrytëzimit seksual, por dhe në punë, siç është edhe një dukuri që po vërehet kohëve të fundit, ajo e fëmijëve që kërkojë lëmoshë.
Ai, ndër motivet për të qenë më luftarakë kundër këtyre dukurive, ka përmendur edhe dimensioni politik, sepse lufta kundër kësaj forme të krimit të organizuar ndërlidhet edhe me integrimet evropiane, liberalizimin e vizave.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka përmbushur të gjitha standardet, por janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme që kjo të reflektohet edhe në këtë raport. Gjithashtu, sa i përket rehabilitimit të viktimave të trafikimit janë bërë përparime dhe është krijuar një sistem i funksionimit të strehimoreve për viktimat që pas rehabilitimit të rikthehen në jetën normale.
Ajo me çka mund të krenohemi, që përmendet në raport, është se janë duke u bërë përpjekje në parandalimin e kësaj dukurie. Përmes fushatave të ndryshme, përmes institucioneve përgjegjëse jemi duke ngritur nivelin e vetëdijesimit të qytetarëve në lidhje me trafikimin me qenie njerëzore dhe kështu zvogëlojmë numrin e viktimave të mundshme,- tha Rashiq
Zëvendësministri Rashiq konfirmoi kritikat në raport që lidhen me procedimin e lëndëve të atyre që janë të përfshirë në trafikim, si kryes të veprës dhe të përshirë në vepra penale që ndërlidhen me trafikimin e qenieve njerëzore. Janë bërë disa përparime në këtë aspekt. Gjykatat janë duke bërë punën e tyre, por proceset gjyqësore zgjasin më shumë se periudha e raportimit. Qeveria e Kosovës ka përpiluar Kodin e ri Penal, që do të kalojë në Kuvendin e Kosovës, ku parashihen edhe dënimet që drejtpërsëdrejti i referohen çështjes së trafikimit me qenie njerëzore.
Në sistemin e rangimit të shteteve sa i përket përmbushjes së kritereve, Kosova është në një nivel me një numër të konsiderueshëm të shteteve anëtare të BE-së dhe disa edhe i tejkalon. Sidoqoftë Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar që të arrijë maksimumin për të lëvizur në pozitën e parë dhe të përmbushen të gjitha kriteret sa i përket eliminimit të trafikimit.





